Lifestyle

Pacientët rezistentë ndaj virusit i zbërthejnë pikat e dobëta të COVID-19

Disa persona janë pazakonshëm rezistentë ndaj koronavirusit, andaj shkencëtarët tani janë duke i hulumtuar gjenet dhe gjakun e tyre, me shpresën për ta zbuluar thembrën e Akilit të pandemisë

Si riosh, Steven Cron ka mundur vetëm i dëshpëruar që të shikonte se si shokët e tij, njëri pas tjetrit, po vdisnin nga një sëmundje që nuk kishte as emër.

Kur partneri i tij, gjimnasti Jerry Green, u sëmur rëndë më 1978 nga ajo që sot njihet si AIDS, Cron thjesht mendoi se radhën tani e kishte ai. Por derisa Green e humbi të parit, meqë virusi HIV po e plandoste dalëngadalë trupin e tij, Cron ishte krejtësisht i shëndoshë.

Dekadën në vijim, me dhjetëra shokë dhe partnerë të të tjerëve patën fat të ngjashëm.

Imunologu Bill Paxton, i cili ka punuar në Qendrën Imunologjike për AIDS në New York, Aron Diamond, për vite me radhë është vënë në kërkim të personave homoseksualë, të cilët besonte se ishin rezistentë ndaj infeksionit, ka zbuluar më 1996 edhe arsyen pse.

Kur Paxtoni është munduar që në epruvetë t’i infektonte qelizat e bardha të gjakut të Cronit me virusin HIV, këtë gjë assesi nuk arriti që ta bënte. Me kohë u konstatua se Cron e posedonte mutacionin gjenetik – që shfaqet përafërsisht tek një për qind e të gjithë popullatës – e cila e pamundëson lidhjen e virusit HIV me sipërfaqen e rruazave të tija të bardha të gjakut.

Pas një dekade, shkencëtarët kanë zhvilluar ilaçin anti-retrovirusal “Maravirok”, i cili ka transformuar procesin e shërbimit nga HIV-i duke e imituar efektin e këtij mutacioni. Ilaçi u tregua vendimtar në kontrollimin e virusit mes personave të infektuar.

Kur Cron ka vdekur në vitin 2013, në moshën 66-vjeçare, rrëfimi i tij ka lënë prapa vetes një trashëgimi që është përhapur përtej HIV-it.

Gjatë dy dekadave pasuese është shfaqur një horizont krejtësisht tjetër në shkencën e mjekësisë, në kuadër të së cilës shkencëtarët synojnë që t’i identifikojnë “përjashtimet” sikurse Croni, të cilët janë pazakonshëm rezistentë ndaj sëmundjeve.

“Përjashtimet”

Verën e shkuar, Qian Zhang kishte shkuar te stomatologu, kur ai iu drejtua dhe e pyeti: “Si po ndodh që disa persona përfundojnë në përkujdesjen intensive shkaku i COVID-19 derisa motra ime e pati sëmundjen dhe as që e ka ditur se ishte pozitive?”.

Si eksperte e gjenetikës në Universitetin Rockefeller në New York, kjo ishte njëra prej pyetjeve për të cilat Zhang ishte veçanërisht mirë e përgatitur për të dhënë përgjigje. Gjatë njëzet vjetëve të fundit, shkencëtarët në Rockefeller kanë hulumtuar gjenomin njerëzor për të nxjerrë rezultate se pse disa persona sëmuren papritur dhe rëndë kur infektohen me viruset e zakonshme, prej herpesit deri te gripi.

“Në secilën sëmundje infektive që e kemi hulumtuar, përherë mund të gjenden persona që sëmuren rëndë shkaku se kanë mutacione gjenetike, sherri i të cilave janë më të ndjeshëm”, ka thënë Zhang.

Kur shpërtheu vala e parë e pandemisë së koronavirusit, ekspertit të gjenetikës në fakultetin e mjekësisë në New York, Jasson Bob, instinkti fillestar e shtyri që të mendonte nëse kishte persona që virusi nuk do të arrinte t’i infektonte. Ideja e tij ishte që të provonte t’i gjente familjet e tëra që kanë pësuar rëndë nga COVID-19, por njëri anëtar ishte asimptomatik.

“Nëse e kemi një familje tok, do ta kemi më të lehtë që t’i kuptojmë faktorët gjenetikë që vihen në lojë dhe t’i identifikojmë ata që fshihen prapa fenomenit”, ka thënë Bob.

Kësisoj, që nga qershori i 2020-s, ai është duke bashkëpunuar me koordinatorët e grupeve në Facebook për pacientë me COVID-19 dhe familjarët e tyre, në mënyrë që t’i identifikojë familjet kandidate. Ai beson se nëpërmjet sekuencimit të gjenomit të personave rezistentë ndaj COVID-19 do të mund të përcaktojë nëse ekzistojnë disa mutacione të pazakonta që ndihmojnë në shmangien e viursit. Nëse del të jetë kështu, atëherë mund të jetë frymëzim për ilaçet antivirale që do të ofronin mbrojtje nga COVID-19, por edhe nga epidemitë e ardhshme të koronavirusëve.

Disa gjurmë tani veçse ekzistojnë.

Shkencëtarët kanë krijuar një lloj lidhjeje midis grupit të gjakut zero e zero negativ dhe rrezikut më të ulët nga prekja e rëndë prej sëmundjes. Por derisa shkencëtarët të konstatojnë se personat me grup të caktuar gjaku mund të kenë natyrshëm antitrupa kundër virusit, natyra precize e lidhjes mungon.

Gjenet e ndjeshmërisë

Bazuar në hulumtimet e deritashme, duket se antitrupat dhe mutacionet gjenetike që ndikojnë drejtpërsëdrejti në bllokimin e viruseve, përbëjnë globalisht vetëm rreth 14-përqindëshin e rasteve të pacientëve pazakonshëm rezistentë.

Për 86-përqindëshin e mbetur, ekspertët e gjenetikës besojnë se ndjeshmëria buron prej rrjetit të interaksionit gjenetik, i cili ndikon direkt tek ata kur sulmohen prej virusit.

“Vetëm një numër i vogël i njerëzve sëmuret rëndë, ngase kanë mutacionin e njërit prej gjeneve kryesore”, ka thënë Alexandra Ranieri, profesoreshë e gjenetikës në Universitetin e Sienës. “Shumica e pacientëve zhvillojnë një model më kompleks, në të cilin gjenet bashkëpunojnë mes vete, gjë kjo që e krijon ndjeshmërinë për prekje më të rëndë nga COVID-19”.

Tani, shkencëtarët nga Edinburghu dhe Rockefelleri kanë thënë se janë duke ndërmarrë edhe dy studime më të mëdha me pacientët që kanë shfaqur ndjeshmëri befasisht të madhe ndaj sëmundjes, në mënyrë që të zbulojnë gjurmët e mëtutjeshme gjenetike rreth asaj se pse virusi mund t’i sulmojnë personat e shëndoshë.

Vrojtimi i “përjashtimeve” të COVID-19 mund të ofrojë po ashtu të dhëna edhe për misteret e tjera kryesore të pandemisë, si fakti pse burrat janë më të rrezikuar se gratë.

“Synim yni është që t’i identifikojmë variantet gjenetike që ofrojnë rezistencë, jo vetëm ndaj COVID-19, por edhe te viruset e tjera. Shpresojmë se nëse i dallojmë variantet mbrojtëse dhe ta kuptojmë rolin e tyre, do të mund të hapnim shtigje të reja për shërim”.