Një pajisje e madhësisë së shkrepëses, që është vendosur në kokën e pacientes Sarah, e cila është 36-vjeçare, rreth një vit më parë, është përherë “e ndezur”, por përçon impulse vetëm kur ndien se asaj mund t’i nevojiten. Sarah thotë tani se implantimi ia ka ndryshuar jetën krejtësisht
Një implantim elektrik që vendoset në kafkë dhe që lidhet me trurin mund ta detektojë dhe trajtojë depresionin e rëndë, besojnë shkencëtarët amerikanë pas rezultateve premtuese me pacientin e parë, ka raportuar agjencia britanike BBC.
Një pajisje e tillë i është vendosur Sarahut, e cila është 36-vjeçare, për më tepër se një vit më parë dhe ajo thotë se implantimi ia ka ndryshuar jetën krejtësisht.
Pajisja e madhësisë së shkrepëses, që është vendosur në kokën e saj, është përherë “e ndezur” por përçon impulse vetëm kur ndien se asaj mund t’i nevojiten, ka specifikuar agjencia.
Studimi eksperimental është përshkruar në revistën shkencore “Nature Medicine”.
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisco kanë theksuar se është ende shumë herët që të thuhet nëse pajisja do t’u ndihmojë edhe pacientëve të tjerë, njëjtë sikurse Sarahut, që vuajnë nga depresioni vështirë i kuruar, porse kanë shtuar se shpresojnë dhe planifikojnë që të ndërmarrin edhe testime të tjera.
Qarqet e depresionit
Sarah është personi i parë në botë që i është nënshtruar trajtimit me këtë terapi eksperimentale. Ajo kishte pasur një sërë trajtimesh të dështuara, duke përfshirë ilaçet kundër depresionit dhe terapinë elektrokonvulsive gjatë viteve të fundit. Kirurgjia mund të tingëllojë e frikshme, por Sarah ka thënë për BBC-në se perspektiva për të fituar “çdo lloj lehtësimi” ishte më e mirë sesa errësira që kishte përjetuar.
“Më ishte kufizuar jeta. Ndihesha e torturuar përditë. Mezi lëvizja apo bëja diçka”, ka theksuar ajo. Kirurgjia përfshinte shpimin e vrimave të vogla në kafkën e saj për t’i përshtatur telat që do t’ia monitoronin dhe stimulonin trurin.
Kutia që përmbante baterinë dhe gjeneratorin e pulsit ishte futur në asht, nën kafkë dhe flokë. Procedura zgjati një ditë të plotë pune dhe u bë nën anestezi të përgjithshme, që do të thotë se Sarah ishte pa vetëdije gjatë gjithë kohës. Sarah thotë se kur u zgjua ndihej euforike.
“Kur implantimi u ndez për herë të parë jeta ime mori një kthesë të menjëhershme për të mirë. Ajo ishte përsëri e këndshme. Brenda pak javësh mendimet për vetëvrasje m’u zhdukën. Kur isha në depresion të thellë gjithçka që shihja ishin pamje të shëmtuara”, ka treguar ajo për agjencinë britanike.
Një vit më vonë Sarah thotë se është mirë dhe se nuk ka efekte anësore. Ajo nuk mund ta ndiejë pajisjen kur ndizet, por thotë: “Ndoshta mund t’ju them brenda 15 minutash se ajo është fikur për shkak të një ndjenje vigjilence dhe energjie apo pozitivitetit që do të ndiej”.
Si funksionon pajisja
Studiuesja Katherine Scangos, që është psikiatre në Universitetin e San Franciscos, ka thënë se risia u bë e mundur duke gjetur “qarqet e depresionit” në trurin e Sarahit.
“Gjetëm një vend, i cili është një zonë e quajtur striatum ventral, ku stimulimi eliminonte vazhdimisht ndjenjat e depresionit. Dhe gjithashtu gjetëm një zonë të aktivitetit të trurit në amigdala që mund të parashikonte kur simptomat e saj ishin më të rënda”, ka theksuar ajo.
Shkencëtarët thonë se nevojiten shumë më tepër studime për ta testuar terapinë eksperimentale dhe për të përcaktuar nëse mund të ndihmojë më shumë njerëz me depresion të rëndë dhe ndoshta edhe kushte të tjera.
Trajtimi i personalizuar
Mjekia Scangos, e cila ka regjistruar dy pacientë të tjerë për studim dhe shpreson të rekrutojë edhe nëntë më vonë, ka thënë se duhet shikuar se si këto qarqe ndryshojnë te pacientët dhe që kjo punë të përsëritet për shumë herë.
“Dhe duhet të shohim nëse bioshenjuesi i një individi ose qarku i trurit ndryshon me kalimin e kohës teksa vazhdon trajtimi. Nuk e dinim nëse do të ishim në gjendje ta trajtonim depresionin e saj, sepse ishte shumë i rëndë. Pra, jemi vërtet të emocionuar për këtë”, ka thënë ajo.
Edward Chang, neurokirurgu që e formësoi pajisjen, ka thënë se implantimi tek Sarahu nuk është demonstrim i efikasitetit të kësaj qasjeje.
“Është me të vërtetë vetëm demonstrimi i parë i kësaj pune në një person dhe kemi shumë punë përpara, si fushë, për t’i vërtetuar këto rezultate për të parë nëse kjo është në të vërtetë diçka që do të zgjasë si një opsion trajtimi”, ka theksuar ai për BBC-në.
Profesori Jonathan Roiser, ekspert i neuroshkencës në Kolegjin Universitar të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë: “Edhe pse kjo lloj procedure kirurgjikale shumë invazive do të përdorej vetëm te pacientët në gjendje më të rëndë me simptoma të pazgjidhshme, është hap emocionues për shkak të natyrës së stimulimit”.
“Ka mundësi që nëse provohet te pacientët e tjerë do të kërkohen vende të ndryshme regjistrimi dhe stimulimi, pasi qarqet e sakta të qarkut të trurit nën simptomat ndoshta ndryshojnë midis individëve”, ka bërë të ditur ai.