Lifestyle

Ballafaqim faktesh: Cilat medikamente ndihmojnë e cilat jo ndaj COVID-19?

Shoqata gjermane për Higjienën e Spitaleve ka rekomanduar që, si masë profilaktike të bëhet gargarë me solucione të caktuara. Ideja që qëndron prapa gjithë kësaj është se gargara i mbyt viruset në grykë të fytit, ende pa depërtuar në organizëm

Berlin, 19 janar - Gjatë javëve të fundit, disa medikamente dhe solucione kanë tërhequr vëmendjen në luftën kundër koronavirusit. Por jo të gjitha e përmbushin pritshmërinë për të qenë ilaçi magjik kundër sëmundjes pandemike të shkaktuar nga koronavirusi i ri, COVID-19. Më poshtë gjeni disa fakte lidhur me disa prej këtyre ilaçeve.

Avigani

Ky ilaç mund ta shkurtojë kohëzgjatjen e sëmundjes nga koronavirusi. Medikamenti japonez kundër gripit, që përmban lëndën Favilavir, është përfolur shumë, fillimisht në Azi e më pas edhe në vende të tjera. Ilaçi përdoret kundër gripit dhe ka efekt kundër viruseve të ndryshme me bazë ARN-në. Më 2014, medikamenti ishte treguar i suksesshëm kundër Ebolas. Më 2016, Qeveria japoneze e dërgoi Favilavir, si ndihmesë emergjence në Guinea, për ta luftuar epideminë e Ebolës. Aktualisht, ky medikament është vërtetuar se mund ta shkurtojë kohën e sëmundjes nga koronavirusi, por megjithëkëtë ka efekte të forta anësore, si shoku anafilaktik apo infeksioni i mushkërive.

Dexamethasoni

Bllokuesi i infeksioneve Dexamethason e ul vdekshmërinë te pacientët që janë në respirator dhe janë më gjatë se shtatë ditë të sëmurë. Instituti “Robert Koch” (RKI), si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e kanë rekomanduar këtë medikament për pacientë të këtillë. Dexamethasoni, megjithatë, nuk mund të përdoret te personat me simptoma të lehta dhe as në fazën fillestare të sëmundjes. Nëse përdoret qysh gjatë shfaqjes së simptomave të para, ilaçi mund ta zbehë imunitetin apo ta bllokojë atë, si dhe madje të provokojë një ecuri të rëndë të sëmundjes, kishte shpjeguar në një podcast në fillim të tetorit për NDR, Sandra Ciesek, drejtore e Institutit për Mjekësinë e Virologjisë në Klinikën Universitare në Frankfurt.

Hydroxychloroquina

Kjo lëndë është e hershme dhe është përdorur kundër malaries. Në fillim të pandemisë së COVID-19, Hydroxychloroquina ishte përdorur si një medikament shpresëdhënës. Por ndërkohë, Instituti Federal për Barnat dhe Produktet Mjekësore ka paralajmëruar për përdorimin e tij kundër COVID-19. Pacientët që trajtohen me Hydroxychloroquinë duhet të mbikëqyren intensivisht, pasi që ka mundësi që të kenë efekte të forta anësore, thuhet në një njoftim të këtij instituti publikuar në faqen e tij në internet. Gjithashtu, nuk janë dëshmuar ende efektet pozitive te pacientët me koronavirus.

Ilaçet e diskutueshme

Artemisinin

Në fillim të pandemisë, lëngu me erëza nga Madagaskari kishte bërë bujë: “Covid Organics” ka promovuar Artemininin me bazë nga bimët Hypericum. Mirëpo, deri më tani nuk ka pasur studime të qëndrueshme klinike lidhur me efektin e “Covid Organics”. Një ekip i drejtuar nga profesori Peter Seeberger, shef i sektorit të Sistemeve Biomolekulare në Institutin Max-Planck, ka arritur të dëshmojë se ekstraktet e bimës Artemisia kanë efekt ndaj koronavirusit. Por këto studime janë ende në fazë fillestare dhe nuk janë verifikuar përfundimisht.

Ndërkohë, në Meksikë po vazhdon faza e dytë e këtij studimi me 360 veta, të cilët po testohen mbi efektin e bimës Artemisia në kontekstin e COVID-19. Rezultatet deri tani nuk janë publikuar. Seeberger, në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka thënë se ka mjaftueshëm pika të referimit për të hulumtuar shkencërisht efektin e Artemisinin ndaj koronavirusit. Ai këshillon rreptësisht që të mos përdoret çaji i Artemisinit me idenë se kësisoj mund të shërohesh prej COVID-19. Efektet nuk janë ende duke u testuar klinikisht.

Tocilizumab dhe Sarilumab

Efekti i antitrupave Tocilizumab dhe Sarilumab është i diskutueshëm. Përbërësi aktiv normalisht përdoret për trajtimin e artritit reumatik dhe sipas një studimi, që është ende në fillimet e tij, e ulin në mënyrë të dukshme vdekshmërinë prej COVID-19. Qeveria e Britanisë së Madhe planifikon që në të ardhmen këtë përbërës ta përdorë kundër koronavirusit. Por, një tjetër studim ka nxjerrë përfundimin se përbërësi aktiv, në fakt, nuk e ul shkallën e vdekshmërisë.

Solucionet e gojës dhe hundës

Shoqata gjermane për Higjienën e Spitaleve ka rekomanduar që, si masë profilaktike, të bëhet gargarë me solucione të caktuara. Ideja që qëndron pas kësaj është se gargara i mbyt viruset në grykë të fytit, ende pa depërtuar në organizëm.

Nëse pacientët janë të infektuar, kjo masë ndihmon që të ulet rreziku i infektimit të të tjerëve prej tyre. Zëdhënësi i shoqatës, Peter Walger, ka theksuar në bisedën për DW-në se kjo masë nuk ndihmon, po qe se viruset kanë depërtuar në qeliza. Pra, përdorimi i solucioneve të tilla nuk shmang infeksionin, por vetëm viruset në qarkullim të lirë, të cilët dalin nëpërmjet kollës, teshtimës apo gjatë frymëmarrjes, dhe që shërbejnë si bazë për një infeksion të ri.

E njëjta vlen edhe me spërkatësit për hundë. Deri tani është folur për produktin Algovir.

Shkas për rekomandimin për një profilaksi të tillë u bë një studim i Grupit Hulumtues nga Bochumi dhe studiuesve të tjerë, ka thënë Walger. Në epruvetë arriti të vërtetohet se solucione të caktuara për shpëlarjen e gojës mbysnin sasi të mëdha virusesh të llojit SARS-CoV-2.

OBSH-ja dhe Shoqata Gjermane e Mjekësisë Dentare që nga muaji gusht kanë rekomanduar që pacientët përpara trajtimit të bëjnë gargarë me një solucion të caktuar. Megjithatë, këto shoqata vënë në dukje se ende nuk ka studime klinike që dëshmojnë se solucionet për shpëlarjen e gojës u ndihmojnë njerëzve ndaj SARS-CoV-2.

Remdesiviri

Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte trajtuar me këtë medikament pas infektimit me koronavirusin. Megjithëkëtë, efekti i remdesivirit ndaj COVID-19 është mjaft i diskutueshëm.

IRK-ja e rekomandon përdorimin e tij vetëm në kushte të veçanta. Ndërsa, Qeveria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetet në studime që parashikojnë se ky përbërës e ul kohëzgjatjen e sëmundjes. Sipas OBSH-së, nuk ka prova sa duhet për ta rekomanduar Remdesivirin.