Nëse keni dëgjuar se vera e kuqe është më e mirë për shëndetin se birra apo pijet e forta, apo se pijet e pastra si vodka apo xhini janë më të sigurta se rumi apo uiski, fatkeqësisht lajmi nuk është i mirë, shkruan “The New York Times”.
“Alkooli është alkool. Pirja e çfarëdo lloj alkooli, në çfarëdo sasie, është e dëmshme për shëndetin”, ka thënë Jürgen Rehm, shkencëtar i lartë në Qendrën për Varësinë dhe Shëndetin Mendor në Toronto.
Sërish, ekspertët e pranojnë që ndonjëherë shmangia totale e alkoolit nuk është as realiste dhe as praktike për të gjithë. Ndaj, nëse vendosni të pini, ka disa strategji që mund të ndihmojnë për ta ulur rrezikun dhe për të shmangur efektet e padëshiruara si dhimbjet e kokës apo pagjumësia pas pirjes.
Pse alkooli është i dëmshëm
Kur pini një gotë, trupi e shndërron etanolin që ndodhet në alkool në një substancë tepër të rrezikshme që quhet acetaldehid, e cila mund ta dëmtojë ADN-në.
“Shumë inde të trupit – përfshirë gojën, fytin, mëlçinë, zorrën e trashë dhe gjirin, janë të ndieshme ndaj këtij dëmtimi”, ka shpjeguar doktori Timothy Stockwell, studiues për alkoolin në Universitetin e Viktorias në Kanada.
Kur ADN-ja riparohet, mund të lindin mutacione që çojnë në kancer.
Prandaj, sipas doktoreshës Katherine Keyes, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Columbias, konsumimi i alkoolit rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje të ndryshme të kancerit. Pirja e tepërt, që konsiderohet më shumë se 8 pije në javë për gratë apo 15 për burrat, ose 4 pije për gratë dhe 5 për burrat në një rast, lidhet gjithashtu me sëmundje të zemrës dhe të mëlçisë, depresion, ankth dhe probleme me kujtesën, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Sipas Keyes, “sa më shumë etanol përmban pija, aq më e dëmshme është ajo”. Për ta vlerësuar këtë, duhet parë përqindja e alkoolit në etiketë (A.B.V.). Për shembull, mes dy birrave të njëjtës madhësi, njëra me 4% dhe tjetra me 8% A.B.V., ajo me 4% përmban gjysmën e etanolit.
A ka pije më të mira se të tjerat?
Në përgjithësi, birrat kanë më pak etanol për litër se vera, dhe vera ka më pak se pijet e forta si vodka apo tekilla, por mund të ketë përjashtime.
“Disa birra artizanale kanë përqindje alkooli që ia kalojnë edhe verërave apo likerëve”, ka thënë Stockwell.
Një rregull i mirë, sipas ekspertëve, është: zgjidhni pije me përqindje më të ulët alkooli (A.B.V.) dhe kini kujdes me sasinë.
Një birrë standarde 330 ml me 5% A.B.V. përmban thuajse të njëjtën sasi etanoli si një gotë vere 150 ml me 12% A.B.V. apo një “shot” 45 ml me 40% A.B.V.
Doktori Peng-Sheng (Brian) Ting nga Universiteti Tulane këshillon që nëse doni të dini saktësisht se sa alkool po konsumoni, qëndroni te vera apo birra dhe shmangni koktejet e përziera me shumë përbërës, pasi llogaritja e përqindjes së alkoolit është më e vështirë.
Rreziku nga kaloritë dhe përzierjet me kafeinë
Disa lloje pijesh janë shumë të pasura me kalori, e nëse konsumohen shpesh, mund të çojnë në shtim në peshë apo obezitet. Përzierës si lëngjet apo pijet e gazuara përmbajnë shpesh sheqerna të shtuara, të cilat rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.
Keyes paralajmëron edhe për pijet që përziejnë alkoolin me kafeinë, si “vodka Red Bull” apo “espresso martini”.
“Energjia që ju jep kafeina mund t’ju bëjë të ndiheni më pak të dehur se që jeni në të vërtetë, duke çuar në konsum më të madh dhe dehje më të rëndë”, ka thënë Keyes.
Po pijet e errëta krahasuar me ato pa ngjyrë?
Nuk ka prova që pijet e errëta janë më të dëmshme për shëndetin se ato pa ngjyrë. Por sipas doktorit Damaris Rohsenow nga Universiteti Brown, pijet e errëta si burboni, rumi apo brendi përmbajnë më shumë kongenerë, substanca që krijohen gjatë fermentimit dhe ndikojnë në shijen, ngjyrën dhe aromën.
“Më shumë kongenerë nënkupton ‘hangover’ më të keq (pasoja më të këqija nga dehja)”, ka thënë ajo.
Megjithatë, edhe disa pije të pastra si disa lloje tekillash mund të kenë shumë kongenerë dhe të shkaktojnë po ashtu dhimbje koke të forta.
Nuk ka “alkool të shëndetshëm”.
Por nëse vendosni të pini:
Zgjidhni pije me përqindje më të ulët alkooli (A.B.V.)
Kini kujdes me sasinë dhe masat standarde
Qëndroni larg përzierjeve me kafeinë
Shmangni koktejet me shumë sheqer ose pije të gazuara
Për të evituar “hangoverin” (pasojat e dehjes), konsumoni më pak pije të errëta
“Sa më pak, aq më mire, ose më së miri, aspak”, ka thënë Stockwell