Shkencëtarët kanë testuar me sukses një ilaç të ri që mund të imitojë dobitë e një stërvitjeje rigoroze, raporton EuroNews.
Ekipi nga Universiteti i Floridës në SHBA testoi ilaçin te minjtë me mbipeshë, duke arritur të rrisë metabolizmin e tyre dhe të rrisë shtimin e muskujve dhe humbjen e peshës.
Ekipi i udhëhequr nga Thomas Burris nga Universiteti i Floridës testoi këtë ilaç të ri për 28 ditë, një molekulë e quajtur SLU-PP-332 . Rezultatet u botuan në Journal of Pharmacology and Experimental Therapeutics.
Ilaçi është pjesë e një klase të propozuar të trajtimeve të njohura si “mimetikë ushtrimesh” të cilat imitojnë përshtatjet fiziologjike të lidhura me aktivitetet fizike.
“Ky kompleks në thelb i thotë muskulit skeletor të bëjë të njëjtat ndryshime që sheh gjatë stërvitjes së qëndrueshmërisë", tha Burris, një profesor i farmacisë.
Shkencëtarët vërejtën se minjtë përgjatë testimit i rritnin shpenzimet e tyre të energjisë, që do të thotë se digjnin më shumë kalori, pa ndonjë ndryshim zakonesh.
Për të korrur shpërblimet e aktivitetit fizik, shkencëtarët kanë kërkuar prej vitesh mënyra për të riprodhuar edhe vetëm një pjesë të këtyre përfitimeve shëndetësore – dhe duket se mund t'ia kenë dalë mbanë.
Gjatë provës, studiuesit u përqendruan në receptorët e lidhur me estrogjenin (ERRs) të cilët gjenden brenda qelizave.
ERR-të gjenden në pjesë të trupit që kërkojnë shumë energji, si muskujt, zemrën dhe mëlçinë. ERR-të nxiten nga aktiviteti fizik, një efekt i riprodhuar nga molekula ‘SLU-PP-332’.
“Kur i trajtoni minjtë me ilaçin, mund të shihni se i gjithë metabolizmi i trupit të tyre kthehet në përdorimin e acideve yndyrore, gjë që është shumë e ngjashme me atë që përdorin njerëzit kur agjërojnë ose ushtrojnë", tha Burris.
Minjtë në testim fituan 10 herë më pak yndyrë, duke humbur 12 për qind të peshës së tyre trupore krahasuar me grupin e kontrollit.
“Ata përdorin më shumë energji vetëm duke jetuar", shtoi Burris.
Nëse është zhvilluar me sukses, ilaçi mund të jetë ndryshim i lojës për njerëzit që vuajnë nga obeziteti, diabeti, ose vetëm të moshuarit që kanë tendencë të përjetojnë një rënie të masës muskulore me kalimin e kohës.
"Kjo mund të jetë në gjendje t'i mbajë njerëzit më të shëndetshëm ndërsa plaken", tha Burris.
Ushtrimi rregullisht mund të ketë një ndikim të madh pozitiv në shëndet, me përfitime të provuara për njerëzit me kushte kardiovaskulare, diabet dhe disa kancere.
Përveç kësaj, aktiviteti fizik ka qenë i lidhur edhe me një gjendje më të mirë të trurit me rreziqe më të ulëta të stresit, depresionit, ose demencës sipas Shërbimit Kombëtar shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (NHS).
Në lidhje me atë se sa duhet ushtruar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon nga 2,5 deri në 5 orë në javë aktivitet mesatarisht intensiv.
Fatkeqësisht, 25 për qind e të rriturve dhe 80 për qind e adoleshentëve nuk i përmbushin këto rekomandime.
Për të korrur shpërblimet e aktivitetit fizik, shkencëtarët kanë kërkuar prej vitesh mënyra për të riprodhuar edhe vetëm një pjesë të këtyre përfitimeve shëndetësore – dhe duket se mund t'ia kenë dalë mbanë.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.