Lifestyle

Shëndeti mendor te fëmijët e të pasurve në Britani të Madhe u përkeqësua gjatë pandemisë

Sipas një studimi i cili së fundi është botuar në “Journal of Epidemiology and Community Health”, shëndeti mendor i fëmijëve u përkeqësua në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar gjatë pandemisë.

Por gjetjet e këtij studimi tregojnë se dallimet sa i përket shëndetit mendor te fëmijët e familjeve të varfra dhe atyre të pasura, janë ngushtuar gjatë pandemisë, shkruan The Guardian.

Gjetjet e studimit ku u analizuan të dhënat e 9272 fëmijëve, tregojnë se hendeku midis shëndetit mendor të fëmijëve më të varfër dhe atyre më të pasur u ngushtua gjatë pandemisë. Sipas studimit nga 2.35 pikë, sa vlerësohet se ishte hendeku para pandemisë, gjatë pandemisë ra në 0.02.

Por, sipas tyre shëndeti mendor i fëmijëve, prindërit e të cilëve kishin të ardhura më të larta, u përkeqësua më shumë krahasuar me ata fëmijë, prindërit e të cilëve kishin të ardhura më të ulëta, të cilët thuhet se qëndronin më keq sa i përket shëndetit mendor edhe para pandemisë.

Një prej arsyeve që është përmendur në këtë studim është se prindërit e pasur bënin një punë që paguhej shumë dhe nuk qëndronin me fëmijët në kohën kur shkollat ishin të mbyllura.

Përveç fëmijëve, edhe prindërit që kanë qenë pjesë e stafit esencial në vendet e tyre të punës e nuk kanë mundur të punojnë nga shtëpia, thuhet se kanë treguar shkallë më të lartë të depresionit.

"Presionet e larta me të cilat u përballen disa prindër që punonin gjatë pandemisë, të cilët detyroheshin të balanconin kujdesin ndaj fëmijëve dhe punës së paguar, mund të kenë kontribuar në përkeqësim të shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj periudhe, krahasuar me kohën e mëparshme", thotë studimi. (Përgatiti Vita Abrashi-Kajtazi)