Lifestyle

Çfarë duhet ditur rreth mungesës së vitaminës D

Mënyra më e mirë për ta pasuruar organizmin me vitaminë D është ekspozimi në diell dhe normalisht përmes ushqimit të pasur me këtë vitaminë.

Ekspozimi në diell duhet të bëhet duke aplikuar krem mbrojtës.

50 deri 90 për qind e vitaminës D absorbohet përmes lëkurës kur ka rreze dielli përderisa pjesa tjetër vjen nga ushqimi sipas “National Library of Medicine”, ka raportuar CBS.

Sa i përket ushqimit, duhet të konsumohen ushqime që kanë përmbajtje të lartë të vitaminës D, si qumështi, jogurti dhe disa peshq të caktuar.

Mungesa e vitaminës D është shumë e shpeshtë dhe nuk është se ka ndonjë simptomë që bën të vërehet mungesa e saj. Analizat e gjakut janë ato që tregojnë nivelin e vitaminës në organizëm.

Ndërkohë që pacientët thonë se ndjejnë lodhje dhe përgjumje kur kanë mungesë të kësaj vitamine.

Roli kryesor i vitaminës D është të ndihmojë trupin e njeriut me mirëmbajtjen e kalciumit dhe eshtrave. Por kërkimet e reja sugjerojnë se mund të ndihmojë edhe në të tjera aspekte.

Shumë studime të reja tregojnë se mungesa e vitaminës D shkakton humbjen e energjisë dhe humorit, e kjo gjë mund të çojë në çrregullim emocional. Ky çrregullim mund të ndodhë gjatë muajve të dimrit kur prania e rrezeve të diellit është më e vogël.