Lifestyle

Dumnica: Muzika me vlerë zhvillon trurin e fëmijëve

Fëmijët konsiderohet se e kanë trurin si një shpuzë me fuqi të madhe thithëse, prandaj edhe prindërit duhet pasur kujdes se çka u ofrojnë atyre.

Në emisionin “Me kast”, pianistja Jeta Dumnica tha se dëgjimi i muzikës së mirëfilltë ndihmon fëmijët që të mësojnë më shpejt, të jenë më të qetë dhe gjithashtu edhe më të përkushtuar.

“Mësimi i një instrumenti ndikon në zhvillimin e trurit, nga përvoja ime qe 20 vjet në mësimdhënie e kam kuptuar se fëmijët janë shumë më të lumtur kur luajnë një instrument. Fëmijët e ekspozuar ndaj muzikës jo vetëm dëgjimit, por edhe luajtjes janë më të lumtur, kanë një jetë më të hareshme e janë më të mirë në mësime, por edhe në mësimin e gjuhëve’’.

Por jo vetëm në zhvillimin e trurit të fëmijëve, sipas profesoreshës Dumnica, muzika ndikon edhe në shëndetin e njeriut, madje tregon se ka raste kur në operime komplekse kërkohet që mjekët dhe pacienti të përcillen me muzikë.

“E pashë një postim që ishte bërë viral ku një mjek operonte dhe dikush luante në instrument derisa bëhej një operim në tru, por duhet të rekomandohet çfarë lloj muzike sepse varet nga harmonia, instrumenti e kompozitori”, tregoi ajo.

Sipas Dumnicës, në Kosovë vlerësimi i muzikës së mirëfilltë, sidomos asaj klasike, po shkon drejt një përmirësimi por që ende ka raste kur fëmijët me potencial nuk shtyhen përpara nga prindërit.

“Kemi pasur raste që një fëmijë ka pasur super talent për muzikën dhe nuk e ka vazhduar, pse të mos krijojmë kuadro të reja kur kemi talente, një jetë e balancuar i bën shumë mirë fëmijës”, theksoi Dumnica.

Ndërsa sa u përket festivaleve për fëmijë, Dumnica thotë se nuk ka shumë aktivitete të tilla të mirëfillta.

“Festivale për të rritur ka shumë sa bëhet konfuzitet nëpër salla, po flas për muzikën klasike. Në 7-8 vjetët e fundit ka filluar degradimi, përveç Filarmonisë që ka sjellë emra të mëdhenj ngadalë-ngadalë ka filluar degradimi. Neve nuk na duhen njerëz që vijnë e luajnë e ne shkojmë vetëm se duhet me qenë në publik, unë po dua të shoh njerëz që janë në nivel të mirë botëror”, tha Dumnica.

Më tutje profesoresha e pianos thotë se investimi në shkollimin e fëmijëve në fushën e muzikës sidomos të fëmijëve të talentuar është një hap drejt krijimit të kuadrove që duhet të kontribuojnë në muzikën me vlera në Kosovë.

Sipas saj, një numër i madh i muzikantëve të dalluar tashmë e kanë lëshuar Kosovën dhe ata kontribuojnë në vende të ndryshme, duke e bërë kështu Kosovën krenare, por që, sipas saj, Kosova ka nevojë të përfaqësohet si shtet me këto talente. (Përgatiti Paulina Nushi - Muhaxhiri)