Çështja e mungesës së barnave është përkeqësuar gjithashtu pasi jetëgjatësia në SHBA është rritur, që do të thotë se më shumë njerëz po sëmuren me kancer. Për të ndihmuar në lehtësimin e krizës së zinxhirit të furnizimit, FDA-ja filloi të punojë me një prodhues kinez për të importuar një nga ilaçet e kimioterapisë. Lëvizja ka të ngjarë të ndihmojë në zgjidhjen e disa kufizimeve afatshkurtra të furnizimit në muajt e ardhshëm, por do të bëjë pak për të adresuar një problem më ciklik të mungesës së ilaçeve të kimioterapisë
Toni Dezomits, 55-vjeçare një ish-zyrtare e zbatimit të ligjit, tashmë në pension, i është rikthyer kanceri ovarian (i vezoreve) i fazës së katërt.
Ajo ka bërë disa raunde kimioterapi, kur doktori i saj i tha se kishte disa lajme të tjera të këqija.
Vetëm një ditë para raundit të saj të tretë të trajtimit, muajin e kaluar, Dezomitsit iu tha se kishte një mungesë mbarëkombëtare të ilaçit gjenerik të kimioterapisë, karboplatinës - një nga tri medikamentet që ajo duhej të merrte.
E detyruar të zgjedhë midis të shkuarit pa ilaçe ose ta zëvendësojë atë me një tjetër me efekte anësore më të forta, Dezomits nga Karolina e Veriut po përfundon tri seancat e saja të fundit të kimioterapisë me vetëm dy nga barnat e rekomanduara.
“Ju keni këto dy zgjedhje nën-optimale”, ka treguar ajo. “Jam e shqetësuar, sepse e di që ilaçi që nuk po marr është ai i cili dha rezultate shumë të mira herën e parë”.
Ekspertët kanë njoftuar se SHBA-ja aktualisht po vuan një nga mungesat më të rënda të barnave të kimioterapisë që është parë për tri dekada.
Dezomitsi është një nga rreth 100 mijë pacientët që mund të jenë prekur gjatë disa muajve të fundit, sipas Dr Julie Gralow, shefe mjekësore në Shoqatën Amerikane të Onkologjisë Klinike.
Që nga kjo javë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka bërë të ditur se mbi 130 barna ishin në mungesë, 14 prej të cilave janë trajtime të kancerit.
Ekspertët thonë se një mori faktorësh kanë kontribuar në mungesat, të cilat këtë herë kanë prekur rëndë dy terapi të linjës së parë - karboplatinën dhe cisplatinën - të përdorura për të trajtuar një sërë kanceresh, duke përfshirë kancerin e kokës dhe qafës, kancerin gjinekologjik dhe atë gastrointestinal.
Mungesa më e fundit erdhi pasi një fabrikë në Indi - e cila furnizonte materiale cisplatin për të gjithë prodhuesit amerikanë - u mbyll për shkak të shqetësimeve të cilësisë. Kjo rriti kërkesën për një ilaç zëvendësues, karboplatin, ka sqaruar Dr Gralow.
Si rezultat, disa ofrues janë detyruar të zgjasin periudhën kohore midis seancave të kimioterapisë së pacientëve, ndërsa disa pacientëve u është dashur të udhëtojnë me makinë disa orë për të marrë trajtim në qendra të ndryshme të kancerit.
Kur onkologu i saj lokal nuk mundi t’i siguronte karboplatinën e saj, Dezomits provoi një qendër më të madhe kanceri në Teksas ku kishte qenë më parë. Por ata i thanë asaj se nuk mund t’i jepnin ilaçin sepse kishin prioritet dhënien e tij tek pacientët me shanse më të mira për t'u kuruar.
"Është si përzgjedhje në fushën e betejës”, ka theksuar Dezomits, e cila ishte ushtare në luftën e Gjirit Persik. “Ky vend duhet të jetë pak më i mirë se kaq. Ne duhet të jemi në gjendje të marrim barna që shpëtojnë jetën që kushtojnë rreth 9 ose 10 dollarë për dozë”.
Kostoja e ulët e barnave gjenerike të linjës së parë të kancerit ka luajtur në fakt një rol në mungesat e përsëritura të barnave të kimioterapisë, thonë ekspertët. Teksa medikamentet janë të lira për t’u prodhuar, kompanitë farmaceutike nuk janë të stimuluara për ta bërë këtë sepse ato nuk sjellin fitime të mëdha, ka shpjeguar Dr Karen Knudsen, shefe ekzekutive e Shoqatës Amerikane të Kancerit.
Çështja e mungesës së barnave është përkeqësuar gjithashtu pasi jetëgjatësia në SHBA është rritur, që do të thotë se më shumë njerëz po sëmuren me kancer.
Për të ndihmuar në lehtësimin e krizës së zinxhirit të furnizimit, FDA-ja filloi të punojë me një prodhues kinez për të importuar një nga ilaçet e kimioterapisë.
Lëvizja ka të ngjarë të ndihmojë në zgjidhjen e disa kufizimeve afatshkurtra të furnizimit në muajt e ardhshëm, por do të bëjë pak për të adresuar një problem më ciklik të mungesës së ilaçeve të kimioterapisë, ka treguar Dr Knudsen.
“Një zgjidhje emergjente është duke u vendosur, por ne jemi në një moment kur duhet të ketë një zgjidhje më të qëndrueshme”, ka thënë ajo.
Ekspertët mjekësorë kanë lajmëruar se qeveria amerikane duhet të punojë me sektorin privat për të gjetur më shumë zgjidhje afatgjata.
Qeveria amerikane mund të përdorë dollarët e saj të blerjes së barnave për të krijuar rezerva strategjike kombëtare të ilaçeve kritike dhe për të nxitur më shumë kompani farmaceutike me cilësi më të lartë për t’i prodhuar ato, ka theksuar Dr Gralow.
Pacientja Dezomits ka frikë se pa më shumë veprime, njerëzit në të gjithë SHBA-në mund të vazhdojnë të vihen në situata sfiduese për të gjetur kujdesin ndaj kancerit që u nevojitet.
“Tashmë është mjaft stresuese të përballesh me kancerin dhe vdekshmërinë tënde”, ka shtuar ajo. “Kjo është vetëm një pengesë tjetër para pacientëve që tani ata duhet të mendojnë”.