Shumica e zemrave të transplantuara janë nga donatorë që kanë vdekur në tru, por hulumtimet e reja tregojnë se një qasje e ndryshme mund të jetë po aq e suksesshme dhe të rrisë numrin e organeve të disponueshme.
Quhet dhurimi pas vdekjes së qarkullimit të gjakut (DCD), metodë e përdorur prej kohësh për të rikuperuar veshkat dhe organet e tjera, por jo zemrat më të brishta. Studiuesit e Duke Health kanë treguar se përdorimi i atyre zemrave të larguara prej kohësh mund t’u lejojë mijëra pacientëve të tjerë një shans për një transplantim të shpëtimit - duke zgjeruar numrin e zemrave të donatorëve me 30%.
“Sinqerisht, nëse do të mund t’i lëviznim gishtat dhe thjesht t’i bënim njerëzit ta përdorin këtë, mendoj se ndoshta do të ndihmojë edhe më shumë se kaq”, ka theksuar kirurgu i transplantimit, doktori Jacob Schroder i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Duke, i cili drejtoi kërkimin. “Kjo me të vërtetë duhet të jetë standard i kujdesit”.
Metoda e zakonshme e dhurimit të organeve ndodh kur mjekët, nëpërmjet testimit të kujdesshëm, përcaktojnë se dikush nuk ka funksion të trurit pas një dëmtimi katastrofik - që do të thotë se ai është i vdekur nga truri. Trupi lihet në një ventilator që mban zemrën dhe organet të rrahura me oksigjen derisa të rikuperohen dhe të vendosen në akull.
Në të kundërt, dhurimi pas vdekjes së qarkullimit të gjakut ndodh kur dikush ka një dëmtim të trurit që nuk mund të mbijetojë, por, për shkak se i gjithë funksioni i trurit nuk ka pushuar ende, familja vendos të tërheqë mbështetjen e jetës dhe zemra ndalon. Kjo do të thotë se organet mbeten pa oksigjen për një kohë para se të rikuperohen - dhe kirurgët, të shqetësuar se zemra do të dëmtohej, e lanë atë pas.
Çfarë ka ndryshuar?
Tani mjekët mund t’i heqin ato zemra dhe t’i vendosin në një makinë që i “ringjall” ato, duke pompuar gjakun dhe lëndët ushqyese teksa ato transportohen - dhe duke demonstruar nëse ato funksionojnë mirë përpara transplantimit të planifikuar.
Studimi i fundit, i kryer në shumë spitale anembanë vendit, përfshiu 180 marrës të transplantimit, gjysma të cilëve iu dha zemra DCD dhe gjysma tjetër nga donatorë të vdekur nga truri që u transportuan në akull.
Mbijetesa gjashtë muaj më vonë ishte pothuajse e njëjtë - 94% për marrësit e donacioneve për vdekjen kardiake dhe 90% për ata që morën zemrat e zakonshme, raportuan studiuesit në New England Journal of Medicine.
Gjetjet janë emocionuese dhe tregojnë “potencialin për të rritur drejtësinë dhe barazinë në transplantimin e zemrës, duke lejuar më shumë persona me dështim të zemrës të kenë qasje në këtë terapi jetëshpëtuese”, kardiologia e transplantimit dr. Nancy Sweitzer nga Universiteti i Washingtonit në St., e përfshirë në studim, ka shkruar në një editorial shoqërues.
Vitin e kaluar, 4.111 transplantime të zemrës u kryen në SHBA, një numër rekord, por jo aq i mjaftueshëm për ta përmbushur nevojën. Qindra mijëra njerëz vuajnë nga dështimi i avancuar i zemrës, por shumë prej tyre nuk u ofrohet kurrë një transplantim dhe të tjerë vdesin duke pritur për një.
Testimet e para
Studiuesit në Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar fillimisht filluan të provonin transplantimet e zemrës DCD rreth shtatë vjet më parë. Duke ishte pionier i eksperimenteve në SHBA në fund të vitit 2019, një nga rreth 20 spitalet amerikane që tani ofrojnë këtë metodë. Vitin e kaluar kishte 345 transplantime të tilla zemre në SHBA dhe 227 deri më tani këtë vit, sipas Rrjetit të Bashkuar për Ndarjen e Organeve.
Në studimin e udhëhequr nga Duke, gati 90% e zemrave DCD u rikuperuan duke u transplantuar, duke sinjalizuar se ia vlen që më shumë spitale të fillojnë ta përdorin metodën më të re.
Sweitzer vuri në dukje se shumë donatorë të mundshëm kanë lëndime të rënda të trurit, por nuk i plotësojnë kriteret për vdekjen e trurit, që do të thotë se shumë zemra potencialisht të përdorshme nuk dhurohen kurrë. Por ajo gjithashtu ka paralajmëruar se ka ende më shumë për të mësuar, duke vënë në dukje se pacientët më të sëmurë në listën e pritjes kishin më pak gjasa të merrnin zemra DCD në studim.
Schroder ka theksuar se shumica e atyre që morën zemra DCD tashmë kishin implantuar pompa zemre që e bënin transplantimin më të vështirë për t'u kryer, edhe nëse ata nuk renditeshin aq lart në listën e pritjes. Studimi u financua nga TransMedics, i cili prodhon sistemin e ruajtjes së zemrës.
Përktheu: Blerta Haxhiu
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.