Lifestyle

Azia i druan plakjes së shpejtë të popujve

Descriptive Text

Vitin e kaluar Koreja e Jugut ka thyer rekordin e saj për shkallën më të ulët të fertilitetit në botë, me numrin mesatar të foshnjave që pritej për grua të binte në 0.78. Në Japoninë fqinje, e cila kishte lindje të ulëta rekord prej më pak se 800 mijë vitin e kaluar, kryeministri Fumio Kishida është zotuar ta dyfishojë buxhetin për politikat e fëmijëve nga 10 trilionë jenë (74.7 miliardë dollarë; 59.2 miliardë £), që është pak më shumë se 2% e produktit të brendshëm bruto të vendit

Rënia e nivelit të lindjeve është shqetësim i madh për disa nga ekonomitë më të mëdha të Azisë.

Qeveritë në rajon po shpenzojnë qindra miliarda dollarë duke u përpjekur ta ndryshojnë trendin. A do të funksionojë përpjekja?

Japonia filloi të prezantojë politika për të inkurajuar çiftet të kenë më shumë fëmijë në vitet 1990. Koreja e Jugut filloi të bënte të njëjtën gjë në vitet 2000, ndërsa politika e parë e fertilitetit të Singaporit daton në vitin 1987.

Kina, e cila ka parë rënien e popullsisë së saj për herë të parë në 60 vjet, së fundmi iu bashkua klubit në rritje.

Teksa është e vështirë të përcaktohet sasia e saktë se sa kanë kushtuar këto politika, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka thënë së fundmi se vendi i tij kishte shpenzuar më shumë se 200 miliardë dollarë (160 miliardë £) gjatë 16 viteve të fundit në përpjekje për të rritur popullsinë.

Megjithatë, vitin e kaluar Koreja e Jugut ka thyer rekordin e saj për shkallën më të ulët të fertilitetit në botë, me numrin mesatar të foshnjave që pritej për grua të binte në 0.78.

Në Japoninë fqinje, e cila kishte lindje të ulëta rekord prej më pak se 800 mijë vitin e kaluar, kryeministri, Fumio Kishida, është zotuar ta dyfishojë buxhetin për politikat e fëmijëve nga 10 trilion jen (74.7 miliardë dollarë; 59.2 miliardë £), që është pak më shumë se 2% e produktit të brendshëm bruto të vendit.

Në nivel global, teksa ka më shumë vende që po përpiqen të ulin normat e lindjeve, numri i vendeve që dëshirojnë të rrisin lindshmërinë është më shumë se trefishuar që nga viti 1976, sipas raportit më të fundit të Kombeve të Bashkuara.

Pra, pse këto qeveri duan ta rrisin popullsinë e tyre?

E thënë thjesht, të kesh një popullsi më të madhe që mund të punojë dhe të prodhojë më shumë mallra dhe shërbime çon në rritje më të lartë ekonomike. Dhe ndërsa një popullsi më e madhe mund të nënkuptojë kosto më të larta për qeveritë, ajo gjithashtu mund të rezultojë në të ardhura më të mëdha tatimore.

Japonia kryeson listën

Gjithashtu, shumë vende aziatike po plaken me shpejtësi. Japonia kryeson me gati 30% të popullsisë së saj tani mbi moshën 65 vjeç dhe disa vende të tjera në rajon nuk janë shumë prapa.

Krahasoni atë me Indinë, e cila sapo ka kaluar Kinën si vendi më i populluar në botë. Më shumë se një e katërta e njerëzve të saj janë midis moshës 10 dhe 20 vjeç, gjë që i jep ekonomisë së saj potencial të madh për rritje.

Dhe kur pjesa e popullsisë në moshë pune zvogëlohet, kostoja dhe barra e kujdesit për popullsinë jo-pune rriten.

“Rritja negative e popullsisë ka një ndikim në ekonomi dhe e kombinuar me një popullsi në plakje, ata nuk do të jenë në gjendje të përballojnë të mbështesin të moshuarit”, ka theksuar Xiujian Peng nga Universiteti Victoria.

Shumica e masave në të gjithë rajonin për rritjen e lindjeve kanë qenë të ngjashme: pagesa për prindërit e rinj, arsim i subvencionuar ose falas, çerdhe shtesë, stimuj tatimorë dhe leje prindërore e zgjeruar.

Por a funksionojnë këto masa?

Të dhënat për dekadat e fundit nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori tregojnë se përpjekjet për ta rritur popullsinë e tyre kanë pasur shumë pak ndikim. Ministria e financave e Japonisë ka publikuar një studim që thotë se politikat ishin një dështim.

Është pikëpamje e bërë jehonë nga Kombet e Bashkuara.

“Ne e dimë nga historia se llojet e politikave që ne i quajmë inxhinieri demografike, ku përpiqen të stimulojnë gratë të kenë më shumë foshnje, ato thjesht nuk funksionojnë”, ka theksuar Alanna Armitage nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara për BBC-në.

“Ne duhet të kuptojmë përcaktuesit themelorë se pse gratë nuk kanë fëmijë, dhe kjo është shpesh paaftësia e grave për të qenë në gjendje të kombinojnë jetën e tyre të punës me jetën e tyre familjare”, ka shtuar ajo.

Investimi në politika

Por në vendet skandinave politikat e fertilitetit kanë funksionuar më mirë sesa në Azi, sipas Pengut.

“Arsyeja kryesore është sepse ata kanë sistem të mirë të mirëqenies dhe kostoja e rritjes së fëmijëve është më e lirë. Barazia e tyre gjinore është gjithashtu shumë më e balancuar se në vendet aziatike”.

Vendet aziatike janë renditur më poshtë në krahasim në raportin global të hendekut gjinor nga Forumi Ekonomik Botëror.

Ekzistojnë gjithashtu pyetje të mëdha se si duhet të financohen këto masa të shtrenjta, veçanërisht në Japoni, e cila është ekonomia e zhvilluar më me borxhe në botë.

Opsionet në shqyrtim në Japoni përfshijnë shitjen e më shumë obligacioneve qeveritare, që do të thotë rritje e borxhit të saj, rritje e taksës së shitjes ose rritje e primeve të sigurimeve shoqërore.

Opsioni i parë shton barrën financiare për brezat e ardhshëm, ndërsa dy të tjerët do të godasin punëtorët tashmë në vështirësi, gjë që mund t'i bindë ata të kenë më pak fëmijë.

Por Antonio Fatás, profesor i ekonomisë në INSEAD thotë se pavarësisht nëse këto politika funksionojnë, ata duhet të investojnë në to.

“Normat e fertilitetit nuk janë rritur, por sikur të kishte më pak mbështetje? Ndoshta do të ishin edhe më të ulëta”, ka sqaruar ai.

Qeveritë po investojnë gjithashtu në fusha të tjera për të përgatitur ekonomitë e tyre për tkurrjen e popullsisë.

“Kina ka investuar në teknologji dhe inovacione për ta kompensuar fuqinë punëtore në rënie në mënyrë që ta zbusë ndikimin negativ të popullsisë në tkurrje”, ka theksuar Peng.

Gjithashtu ndërsa mbetet e papëlqyeshme në vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, ligjvënësit po diskutojnë ndryshimin e rregullave të tyre të imigracionit në përpjekje për t’i joshur punëtorët e rinj nga jashtë.

“Globalisht, shkalla e lindshmërisë po bie, kështu që do të jetë një garë për të tërhequr të rinjtë që të vijnë dhe të punojnë në vendin tuaj”, Peng.

Nëse paratë janë shpenzuar mirë për politikat e fertilitetit, këto qeveri duket se nuk kanë zgjidhje tjetër. (Përktheu: Blerta Haxhiu)