Inteligjenca artificiale mund ta rrezikojë shëndetin e miliona njerëzve dhe paraqet kërcënim ekzistencial për njerëzimin, kanë thënë mjekë dhe ekspertë botërorë teksa kanë bërë thirrje për ndaljen e zhvillimit të inteligjencës artificiale deri sa të rregullohet me ligje.
Inteligjenca artificiale ka potencialin që ta revolucionarizojë kujdesin shëndetësor duke përmirësuar diagnostikimin e sëmundjeve e të gjejë mënyra më të mira për t’i trajtuar pacientët dhe duke zgjeruar kujdesin shëndetësor te më shumë njerëz. Por zhvillimi i inteligjencës artificiale ka edhe potencialin për të prodhuar ndikim negativ shëndetësor, sipas ekspertëve shëndetësorë nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Kostarika dhe Malajzia, në një shkrim për “BMJ Global Health”.
Këta ekspertë i kanë lidhur rreziqet e inteligjencës artificiale me ilaçe dhe kujdes shëndetësor. Sipas tyre, rreziqet “përfshijnë edhe potencialin e AI-së për gabime duke i shkaktuar pacientit dëme, telashe me të dhënat private dhe sigurinë dhe përdorimi i AI-së në mënyra që mund t’i përkeqësojë pabarazitë sociale dhe shëndetësore”.
Shembull, sipas tyre, ishte përdorimi i pulsoksimetrit të inteligjencës artificiale që çonte më lartë nivelet e oksigjenit në gjak te pacientët me lëkurë më të mbyllur, duke rezultuar në nëntrajtimin e hipoksisë (niveli i ulët i oksigjenit në inde), raporton "TheGuardian".
Ata po ashtu kanë paralajmëruar për kërcënime më të gjera e botërore nga inteligjenca artificiale për ekzistencën njerëzore.
Sipas ekspertëve, inteligjenca artificiale mund t’i rrezikojë njerëzit edhe përmes përcaktuesve socialë të shëndetit, nëpërmjet kontrollit dhe manipulimit të njerëzve, përdorimit të armëve autonome vdekjeprurëse dhe ndikimit në shëndetin mendor të papunësisë masive nëse sistemet bazohen në AI dhe largojnë punëtorët.
“Kur kombinohet me përmirësimin e shpejt të aftësisë për të shtrembëruar të vërteten me lajme të rrema, sistemet e informacionit të drejtuara nga AI-ja mund ta dëmtojnë edhe më shumë demokracinë duke shkaktuar ndarje të besimit ose duke nxitur ndarje sociale dhe luftëra, me ndikime në shëndetin publik”, kanë thënë ekspertët.
“Ne jemi në kërkim të makinave që janë shumë më inteligjente dhe më të fuqishme se ne. Potenciali që makina të tilla të zbatojnë këtë inteligjencë dhe fuqi, qoftë qëllimisht apo jo, dhe në mënyra që mund t’i dëmtojnë ose nënshtrojnë njerëzit, është real dhe duhet të merret parasysh”, kanë paralajmëruar ata.
Sipas tyre, pa u rregulluar çështja nëpërmjet kornizave ligjore duhet të shmanget përdorimi i inteligjencës artificiale.