Lifestyle

Tensioni i lartë i gjakut dhe rreziku nga sëmundjet e trurit

Disa studime tregojnë që tensioni i lartë i gjakut mund të çojë në demencë, duke dëmtuar pjesë të trurit.

Për herë të parë, shkencëtarët identifikuan zonat e trurit, që mund të çojnë në gjendjen e humbjes së kujtesës.

Gjatë studimeve shkencëtarët përdorën skanimet “ERM” për të përcaktuar se si tensioni i lartë i gjakut ndikon në pjesët e trurit, që ata mendonin se ishin përgjegjëse për kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.

Testet që u bënë në pacientët italianë me hipertension konfirmuan se këto zona kishin një efekt të drejtpërdrejtë nëse ata do të zhvillonin demencë.

Ekipi erdhi në përfundim se zbulimi mund t'u hapë rrugë trajtimeve të reja parandaluese për gjendjen.

Tomas Guzik, nga Universiteti i Edinburgut, theksoi se shpresojnë që zbulimet e tyre të ndihmojnë në zhvillimin e mënyrave të reja për të trajtuar dëmtimet kognitive te njerëzit me tension të lartë të gjakut.

“Duke parë këto zona specifike të trurit, mund të jemi në gjendje të parashikojmë se kush ka gjasë që më shpejt të zhvillojë humbje të kujtesës, në kontekstin e tensionit të lartë të gjakut”, tha Guzik.

Sipas tij kjo mund të ndihmojë kërkuesit të zhvillojnë metoda mjekimi të sakta e të synuara vetëm për pacientët që janë më të rrezikuar.

Sipas statistikave një në tre britanikë jeton me tension të lartë, ndërsa më shumë se 850 mijë kanë demencë.

Studimet e mëhershme kanë treguar se hipertensioni mund të rrisë rrezikun e demencës, veçanërisht të asaj vaskulare, e cila shkaktohet nga qarkullimi i dobët i gjakut në tru.

Studimi i fundit, i botuar në “European Heart Journal”, përdori skanimet e trurit tek më shumë se 30 mijë britanikë.

Duke parë të dhënat gjenetike, ata testuan nëse tensioni i lartë i gjakut ishte në të vërtetë shkaku i ndryshimeve në pjesë specifike të trurit.

Ata gjetën se ndryshimet në nëntë pjesë të trurit ishin të lidhura me presionin e lartë të gjakut.

Këto pjesë përfshijnë një strukturë të rrumbullakët në bazën e pjesës së përparme të trurit, që janë përgjegjëse për rregullimin e lëvizjes dhe kanë ndikim në lloje të ndryshme të të mësuarit.

“Studimi ynë, për herë të parë, ka identifikuar vende specifike në tru që mund të jenë të lidhura me tensionin e lartë të gjakut dhe dëmtimin e aftësive njohëse”, tha doktori Mateusz Siedlinski, nga Kolegji Mjekësor i Universitetit “Jagiellonian”. / The Sun