Ankthi nuk shkakton hipertension afatgjatë, megjithatë episodet e shpeshta të ankthit mund të shkaktojnë rritje të përkohshme por dramatike të tensionit të gjakut.
Këtë e thonë disa studime, sipas të cilave, shpeshtësia e episodeve të ankthit, sidomos kur bëhet fjalë për çdo ditë, mund të dëmtojë enët e gjakut, zemrën, veshkat, njësoj si hipertensioni kronik.
Për më tepër, njerëzit që janë në ankth apo të stresuar janë më të prirur të ndërmarrin zakone jo të shëndetshme në stilin e tyre të jetesës siç janë: Duhanpirja, alkooli dhe ushqyerja e tepruar.
Nga ana tjetër, medikamentet që merren për trajtimin e ankthit dhe sëmundjeve apo çrregullimeve të tjera mendore kanë ndikim duke rritur tensionin e gjakut.
Mënyrat e thjeshta të cilat zbusin ankthin në mënyra natyrale:
Kujdesi me alkoolin
Një gotë ose dy tingëllojnë një alternativë e pranueshme për qetësimin e emocioneve. Por nëse teprohet me alkoolin, atëherë ka mundësi për përballje me një nivel më të lartë të ankthit.
Pirja e tepruar e alkoolit ndikon ndjeshëm në punë e shtëpi por jo vetëm kaq. Alkooli mund të nxisë probleme të tjera shëndetësore që shtojnë ankthin.
Rregulli i artë është jo më shumë se një pije alkoolike, pra një gotë, në ditë për femrat dhe jo më shumë se 2 pije për meshkujt.
Aktiviteti Fizik
Mjafton një ecje prej 10 minutash ose një aktivitet fizik për 45 minuta.
Nëse kryhet një aktivitet i rregullt fizik të paktën 3 herë në javë, do të vihet re që krizat e ankthit do të pakësohen.
Kopshtaria
Kontakti me natyrën dhe në veçanti përkujdesja për bimët dhe lulet është një kurë që funksionon. Kopshtaria është një aktivitet stimulues për trurin.
Nëpërmjet këtij aktiviteti njerëzit ndihen më mirë nga ana emocionale.
Terapia e Aromave
Aroma si ajo e lavandës, kamomilit dhe trëndafilit mund të ndihmojnë.
Ekspertët mendojnë se këto aroma dërgojnë mesazhe kimike në tru të cilat ndikojnë për mirë te humori dhe emocionet.
Gjumi
Gjumi furnizon trurin me energji dhe përmirëson humorin dhe përqendrimin. Nëse flihet mjaftueshëm, ka më pak mundësi për t’u prekur nga ankthi.
Dhoma e gjumit duhet të jetë e freskët, në errësirë dhe pa zhurma. Aktiviteti fizik përmirëson gjumin, për sa kohë ushtrohet në mëngjes ose pasdite. /Agroweb