Lifestyle

Kontrollet mjekësore që synojnë ta ulin rrezikun e demencës

Njerëzit e të gjitha moshave po inkurajohen të bëjnë më shumë për t'u kujdesur për trurin e tyre në përpjekje për ta reduktuar rrezikun e demencës.

Një mjet i ri i kontrollit të trurit nga Alzheimer's Research UK ofron këshilla për të qëndruar të vëmendshëm, për ta mbajtur trurin aktiv dhe për t’u lidhur me të tjerët.

Marrja e kontrolleve të rregullta të dëgjimit në të 40-at dhe 50-at është një mënyrë për të parandaluar izolimin social, thuhet në raport.

Por shumica e rasteve të demencës nuk mund të parandalohen, kështu që zbulimi i hershëm dhe trajtimet më të mira janë ende jetike.

Hulumtimet kanë sugjeruar se ekzistojnë 12 faktorë rreziku për demencën, të cilët, nëse modifikohen, mund të ndalojnë katër në 10 persona të zhvillojnë humbje të kujtesës, konfuzion dhe probleme komunikimi.

Këshilla e bazuar në këta faktorë rreziku është të ndalohet pirja e duhanit, të bëhen ushtrime të rregullta, të reduktohet alkooli dhe të sfidohet pak truri – dhe nuk është kurrë herët apo tepër vonë për të filluar të bëhet kjo, thonë ekspertët.

Çdokush mund të bëjë kontrollin e trurit, i cili është bazuar në hulumtimet më të fundit, për të zbuluar se si t’i ulë shanset e tyre individuale për demencë.

Por synohet veçanërisht për të rriturit e moshës 40-50 vjeç, sepse kjo shihet të jetë hap i rëndësishëm për të ndërmarrë veprime për t’u kujdesur për shëndetin e trurit.

Prof. Jonathan Schott, zyrtari kryesor mjekësor në bamirësi, ka treguar se do ta “siguronte një mjet praktik dhe të lehtë për t’i lejuar njerëzit të ndërmarrin veprime për ta zvogëluar rrezikun e demencës”.

Por ai ka thënë se vetëm një e treta e njerëzve e kuptuan se ishte e mundur, gjë që duhej ndryshuar.

Alzheimer është shkaku më i zakonshëm i demencës, i cili prek afro një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe 55 milionë në mbarë botën.

Numrat parashikohet të rriten ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme, pasi më shumë njerëz jetojnë më gjatë dhe rreziku i tyre nga demenca rritet me moshën.

Dr Sarah Bauermeister, shkencëtare e lartë në Dementia Platforms UK, ka shpjeguar se disa studime kishin gjetur një lidhje midis humbjes së dëgjimit dhe rrezikut të demencës.

“Pse nuk është e qartë”, ka thënë ajo, “por një faktor i mundshëm është se ata po punojnë më shumë për të dëgjuar biseda në vend që të fokusohen në detyrat njohëse - dhe bota e tyre zvogëlohet”.

Ajo është shprehur se ishte një ide e mirë që të kontrollohej dëgjimi dhe të korrigjohej me një aparat dëgjimi nëse është e nevojshme.

Rreziku ynë individual për të zhvilluar demencë është i lidhur me një kombinim të moshës sonë, gjeneve që trashëgojmë dhe stilit të jetesës që bëjmë.

Shumë nga këto gjëra nuk mund të ndryshohen, prandaj nuk ka asnjë mënyrë të pagabueshme për të parandaluar demencën në 60% të rasteve.

"Është e rëndësishme të mos i fajësoni njerëzit për shfaqjen e demencës”, ka theksuar Dr. Charles Marshall, ligjërues i lartë klinik për sëmundje në Universitetin Queen Mary të Londrës.

Disa grupe, si ata me prejardhje më të varfër dhe ata më pak të arsimuar, janë në rrezik më të lartë.

Mirëpo, ai ka treguar se Kontrolli Shëndetësor i NHS-së, shërbim për ata të moshës 40-74 vjeç, mund të përdoret për ta testuar shëndetin e trurit dhe për t’u dhënë njerëzve këshilla se si ta përmirësojnë atë, duke identifikuar gjithashtu ata me shenja të hershme të demencës.

Aktualisht, duhen mesatarisht tri vjet për të marrë një diagnozë të demencës dhe ka shumë pak trajtime për simptomat.

Përktheu: Blerta Haxhiu