Lifestyle

Katër dietat të cilat ju ndihmojnë ta ulni rrezikun e një vdekje të hershme

Dieta shendetshme

Shumica nga ne në janar fillojmë të mendojmë se si të përmirësojmë jetët tona, përfshirë edhe mënyrën e të ushqyerit.

Mendojmë se si të hamë ushqim të shëndetshëm.

Por, çfarë nënkupton të hash “më shëndetshëm” dhe çfarë dieta ia vlen që të ndiqen?

Ushqimi që hamë luan rol të madh në formën tonë fizike, shëndetin mental dhe sa gjatë jetojmë.

Hulumtuesit në Kinë, kanë zbuluar katër dietat më të mira për ta ulur rreziqet nga vdekja e hershme, shkruan “The Sun’.

Në studimin e ri, të publikuar në “JAMA Internal Medicine”, hulumtuesit kanë vëzhguar 100 mijë burra dhe gra të moshës 50-vjeçare, duke shikuar se si dieta ka ndikuar në jetëgjatësinë e tyre. Gjithë pjesëmarrësit kanë ndjekur një nga katër dietat – ndërsa të gjithëve u ndihmoi të jetonin më gjatë dhe ulën rrezikun për të zhvilluar sëmundje serioze.

Indeksi i ushqimit të shëndetshëm

Indeksi i ushqimit të shëndetshëm është një njësi mase i kualitetit të përgjithshëm të dietës së ndokujt.

Është një sistem i bazuar në pikë, ku shifra maksimale është 100.

Pikët vendosen bazuar në sasinë e drithërave, perimeve, frutave, qumështit, mishit, kalorive, yndyrave, yndyrave të ngopura, kolesterolit, natriumit dhe shumëllojshmërisë që gjendet në një dietë.

Një dietë me një rezultat më të madh se 80 konsiderohet e shëndetshme.

Ata që ndjekin dietën dhe përdorin indeksin e të ushqyerit shëndetshëm për të zgjedhur ushqimin e tyre, kanë më pak gjasa të vdesin para kohe nga sëmundjet e zemrës, të frymëmarrjes e sëmundje tjera, thuhet në hulumtim.

Dieta Mesdhetare

Një dietë mesdhetare është e pasur me ushqime që janë të mira për ju dhe ka sasi të vogël të ushqimeve të këqija, të tilla si ato me përmbajtje të lartë të sheqerit.

“Dieta mesdhetare ndryshon sipas vendit dhe rajonit, kështu që ka një sërë përkufizimesh. Por, në përgjithësi, është e pasur me perime, fruta, bishtajore, arra, fasule, drithëra, peshk dhe yndyra të pangopura si vaji i ullirit. Zakonisht përfshin një konsum të ulët të mishit dhe ushqimeve me përbërje nga bulmeti”, shpjegon Shërbimi Nacional i Shëndetësisë në Britani të madhe.

Shkencëtarët zbuluan se ata që mbajnë dietë mesdhetare kanë po ashtu më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe sëmundje tjera të rënda.

Po ashtu kanë më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet neurodegjenerative, siç është demenca.

Dietë me bazë bimore

Një dietë me bazë bimore, nganjëherë e quajtur si vegan, përmban vetëm fasule, drithëra, fruta, arra, fara dhe perime.

Mirëpo, ka disa zëvendësime që mund të përdoren për të zëvendësuar substancat me bazë shtazore.

Si shembull, qumështi i lopës zëvendësohet me qumështin e sojës, dhe margarina vegane është alternativë fenomenale e gjalpit.

Hulumtuesit kanë zbuluar se ata që mbajnë dietë vegane kanë më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes, krahasuar me ata që nuk ndjekin këtë dietë.

Indeksi alternativ i të ushqyerit shëndetshëm

Dieta alternative e të ushqyerit shëndetshëm cakton vlerësime për ushqimet dhe lëndët ushqyese që parashikojnë sëmundjet kronike.

Ata në dietë hanë ushqime të shumëllojshme, duke përfshirë perime, fruta, drithëra, fasule, arra, fara, mish pa dhjamë, ushqim deti, vezë, qumësht, kos e djathë.

Kufizojnë ushqimet që kanë sasi të ulët të vitaminave dhe mineraleve dhe shmangin ushqimet me sheqer të shtuar.

Ata që ndjekin këtë dietë, kanë më pak gjasa të vdesin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes apo sëmundje tjera, thuhet në hulumtim.

Po ashtu ka më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet neurodegjenerative, siç është demenca.