Lifestyle

Konsumimi i këtyre pijeve rrit rrezikun për sulm në zemër

Është absolutisht thelbësore që të kujdeseni mirë për zemrën tuaj nëse dëshironi të jetoni një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Ndërsa nuk ka asnjë garanci që nuk do të keni sulm në zemër në një moment, ka ndryshime në stilin e jetës që mund të bëni për të zvogëluar këtë rrezik, shkruan revista "Eat This, Not That". 

Sulmi në zemër ndodh kur qarkullimi i gjakut në zemër është i bllokuar. Shkaku i këtij bllokimi është kryesisht grumbullimi i depozitave yndyrore që përfshijnë kolesterolin e dëmshëm. Ky grumbullim njihet si ateroskleroza dhe mund të çojë në ngushtimin e arterieve tuaja, duke e bërë më të vështirë rrjedhjen e gjakut.

Një komponent që luan një rol të madh në shëndetin e përgjithshëm të zemrës është dieta dhe që përfshin pijet. Kur bëhet fjalë për ushqimin, ne shpesh nuk mendojmë për gjërat që pimë aq shumë sa për gjërat që hamë.

Këto janë pijet ose përbërësit e pijeve që duhet të shmangni ose të paktën t'i pini me kujdes për të mbajtur zemrën tuaj të shëndetshme.

Pijet e gazuara

“Kërkimet kanë treguar se pijet me sheqer mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, që është shkaku kryesor i sulmeve në zemër”, thotë Cedrina Calder, mjeke në një spital në Nashville, SHBA.

Kufizimi i konsumit të pijeve të gazuara, si dhe pijeve të tjera me sheqer, mund të jetë vendimtar për shëndetin e zemrës.

Kafeina

Megjithëse pirja e një filxhani kafe në ditë është treguar se zvogëlon rrezikun për sulm në zemër, shumë kafeinë është e keqe për zemrën.

Një studim i fundit zbuloi se njerëzit që pinë gjashtë filxhanë kafe në ditë ose më shumë mund të rrisin yndyrnat që gjenden në gjak, gjë që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Pije energjike

“Pijet energjike mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës duke rritur presionin e gjakut dhe duke shkaktuar ritme jonormale të zemrës”, thotë Calder.

Pra, nëse keni menduar se këto pije thjesht ju kanë dhënë energji, dijeni se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë,

Alkooli

Ata që pinë alkool kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të problemeve të zemrës sesa ata që nuk pinë. Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të çojë në shumë probleme shëndetësore, një prej të cilave janë problemet me zemrën. Studimet kanë treguar se gratë që pinë rregullisht alkool janë në një rrezik shumë më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës sesa burrat.

‘Milkshake’

Dy përbërës të këtyre pijeve me shkumë i bëjnë ato të rrezikshme për zemrën - sheqeri dhe yndyrat.

“Disa kërkime madje sugjerojnë se vetëm një vakt me yndyrë të lartë mund të shkaktojë sëmundje të zemrës te disa njerëz”, thotë Calder.