Lifestyle

A duhet të merrni vaksinë të re përforcuese për COVID? Nëse po, kur?

Është lloji i përllogaritjes që shumë amerikanë do të përballen, pasi vaksinat përforcuese, që synojnë sforcimin e Omicronit që qarkullon aktualisht, vihen në dispozicion për një popullatë me rreziqe dhe nivele imuniteti shumë të ndryshme

John Wherry do të presë deri në vjeshtë për të marrë në konsideratë marrjen e një vaksine përforcuese të përditësuar të COVID-19. Imunologu i Universitetit të Pensilvanisë e di se është shumë herët pas infektimit të tij në fund të kësaj vere, veçanërisht pasi ai nuk është në rrezik të lartë nga virusi.

Është lloji i përllogaritjes që shumë amerikanë do të përballen, pasi vaksinat përforcuese, që synojnë sforcimin e Omicronit që qarkullon aktualisht, vihen në dispozicion për një popullatë me rreziqe dhe nivele imuniteti shumë të ndryshme.

Këtu janë disa gjëra që duhen ditur.

Si ndryshojnë vaksinat e reja përforcuese?

Ato janë injeksione të kombinuara ose "bivalente" që përmbajnë gjysmën e vaksinës origjinale që është përdorur që nga dhjetori i vitit 2020 dhe gjysmën e mbrojtjes kundër versioneve dominuese të Omicronit të sotëm, BA.4 dhe BA.5. Është përditësimi i parë i vaksinave për COVID-19 i pranuar ndonjëherë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Cila është e përshtatshme?

Vaksinat e përditësuara nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech janë të autorizuara për këdo 12 vjeç e lart dhe versioni rival i Modernas është për të rriturit. Ato do të përdoren si një vaksinë përforcuese për këdo që ka pasur tashmë serinë e tyre kryesore të vaksinimit, duke përdorur vaksina nga çdo kompani e pranuar nga SHBA-ja, pavarësisht se sa vaksina përforcuese kanë marrë tashmë.

Nëse sapo kam marrë një nga vaksinat përforcuese origjinale, a ta marr llojin e ri menjëherë?

Jo. AUB-ja caktoi kohën minimale të pritjes dy muaj. Por këshilltarët e qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve thanë se është më mirë të prisni më gjatë. Disa këshillojnë të paktën tre muaj, një tjetër tha se dikush që nuk është në rrezik të lartë mund të presë deri në gjashtë muaj.

"Nëse prisni pak më shumë, ju do keni një përgjigje më të mirë imunologjike", tha këshilltarja e QKPS-së, dr. Sarah Long nga Universiteti Drexel.

Kjo për shkak se dikush që së fundmi ka marrë një vaksinë përforcuese tashmë ka më shumë antitrupa kundër viruseve në qarkullimin e tij të gjakut. Antitrupat zbehen gradualisht me kalimin e kohës dhe një vaksinë tjetër shumë shpejt nuk do të ofrojë shumë përfitime shtesë, shpjegoi Wherry, i cili nuk ishte i përfshirë në vendimmarrjen e qeverisë.

Po nëse jam shëruar së fundmi nga COVID-19?

Është ende e rëndësishme që të vaksinoheni edhe nëse jeni infektuar tashmë, por edhe këtu ka rëndësi koha.

QKPS-ja u ka thënë prej kohësh njerëzve që të shtyjnë vaksinimin derisa të shërohen, por gjithashtu që njerëzit mund të konsiderojnë të presin tre muaj pas shërimit për të marrë një vaksinë. Dhe disa këshilltarë të QKPS-së thonë se pritja e tre muajve është e rëndësishme, si për përfitime potencialisht më të mëdha nga vaksinimi, ashtu edhe për të reduktuar shanset e një efekti të rrallë anësor, inflamacionit të zemrës, që ndonjëherë prek djemtë adoleshentë dhe të rinjtë.

Sa përfitime do të ofrojnë vaksinat e reja përforcuese?

Kjo nuk është e qartë, sepse testet e kësaj recete të saktë sapo kanë filluar te njerëzit.

AUB-ja ka pranuar vaksinat përforcuese të reja bazuar në një pjesë të madhe në studimet njerëzore të një vaksine të modifikuar në mënyrë të ngjashme, që sapo është rekomanduar nga rregullatorët në Evropë. Ato vaksina të modifikuara synojnë një lloj të mëparshëm versioni Omicroni, BA.1, që qarkulloi dimrin e kaluar dhe studimet zbuluan se ato ringjallën antitrupat e njerëzve që luftojnë virusin.

Me versionin e mëparshëm të Omicronit të zëvendësuar tani nga BA.4 dhe BA.5, AUB-ja urdhëroi një modifikim shtesë të vaksinës, dhe testet në minj treguan se ato nxisin një përgjigje po aq të mirë imune.

Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse antitrupat e prodhuar nga një vaksinë përforcuese të përshtatur me Omicronin mund të zgjasin më shumë se disa muaj. Por një vaksinë përforcuese gjithashtu supozohet të forcojë kujtesën e sistemit imunitar, duke shtuar mbrojtjen kundër sëmundjeve serioze nga virusi që ndryshon vazhdimisht.

Si e dimë se janë të sigurta?

Përbërësit bazë të përdorur në të dyja vaksinat e përditësuara që synojnë Omicronin janë të njëjtë. Testimi nga Pfizer dhe Moderna i versioneve të tyre të synuara BA.1, rezultoi i sigurt në studimet njerëzore dhe këshilltarët e QKPS-së arritën në përfundimin se ndryshimi shtesë i vogël i recetës nuk duhet të jetë dallim.

Vaksinat e gripit përditësohen çdo vit pa prova tek njerëzit.

A mund të marr një vaksinë përforcuese të re dhe një tjetër kundër gripit njëherazi?

Po, një në çdo krah.

Po nëse dua të pres?

Njerëzit me rrezik të lartë nga COVID-19 inkurajohen të marrin vaksinën përforcuese të re kur të jetë e nevojshme. Në fund të fundit, BA.5 ende po përhapet gjerësisht dhe normat e shtrimit në spital në të rriturit e moshuar janë rritur që nga pranvera.

Shumica e amerikanëve që kualifikohen për një vaksinë përforcuese të përditësuar kanë kaluar të paktën gjashtë muaj nga vaksinimi i fundit, sipas QKPS-së, kohë e mjaftueshme që një vaksinë tjetër të shkaktojë një përgjigje të mirë imune.

Por formula origjinale ende ofron mbrojtje të mirë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, veçanërisht pas asaj vaksine përforcuese të parë shumë të rëndësishme. Pra, nuk është e pazakontë që njerëzit më të rinj dhe më të shëndetshëm të përdorin vaksinë përforcuese të kohës për të përfituar nga kërcimi i përkohshëm i një vaksine në mbrojtje edhe ndaj një infeksioni të lehtë, siç bëri Wherry.

Një 51-vjeçar i shëndetshëm, Wherry tha se e shtyu për shtatë muaj vaksinën përforcuese të dytë të rekomanduar për moshën e tij, deri në fund të verës, pak para një udhëtimi ndërkombëtar që ai e dinte se do të rriste rrezikun e tij nga turmat që nuk mbajnë maska.

Me vaksinat përforcuese të përditësuara që po qarkullojnë tani, ai planifikon të përcaktohet në katër ose pesë muaj, kur me sa duket niveli i tij i antitrupave fillon të bjerë dhe ai po planifikon mbledhjet gjatë festave nëse do të përfitonte nga një tjetër vaksinë.

Përktheu: Forca Jashari