Lifestyle

Gjysma e personave me Omicron nuk janë në dijeni se ishin të infektuar

Më shumë se gjysma e njerëzve - 56% - të cilët janë të prekur me variantin Omicron, nuk janë të vetëdijshëm se e kanë pasur atë.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në JAMA Network Open. Është një lajm i mirë, në një farë mënyre, pasi nënvizon faktin se Omicroni shkakton simptoma relativisht të lehta (ose aspak simptoma) te njerëzit e vaksinuar. Ana negative është se shumë njerëz ka të ngjarë ta përhapin virusin pa dashje, shkroi “Time” të mërkurën.

Susan Cheng, drejtoreshë e Institutit për Kërkime mbi Plakjen e Shëndetshme në Institutin e Zemrës Cedars-Sinai Smidt dhe kolegët e saj studiuan 210 punonjës dhe pacientë në Cedars-Sinai, të cilët ofruan të paktën dy mostra gjaku për testimin e antitrupave - një para përhapjes së Omicronit dhe një pas. Studiuesit i analizuan ato për nivelet e antitrupave ndaj virusit SARS-CoV-2.

Shumica e njerëzve në studim ishin të vaksinuar dhe studiuesit matën nivelet e dy llojeve të ndryshme të antitrupave: ato që sistemi imunitar prodhoi në përgjigje të vaksinave dhe ato që sistemi imunitar prodhoi pas infektimit me virusin.

Studiuesit zbuluan se 56% e njerëzve në studim që rezultuan pozitivë nuk ishin të vetëdijshëm se ishin infektuar, ose sepse nuk kishin përjetuar asnjë simptomë të COVID-19 ose se ndjenin vetëm simptoma të buta që ia atribuonin një ftohjeje ose alergjie.

Fakti që një në dy persona të infektuar me Omicron nuk janë as të vetëdijshëm se kanë COVID-19, përbën një arsye të fortë për testime më të shpeshta. Testimi i rregullt i vetes është një ide e mirë edhe nëse nuk ndiheni të sëmurë, pasi transporti, puna, shkolla dhe vendet publike të mbushura me njerëz janë të gjitha vende ku mund të merrni virusin.