Lifestyle

OBSH-ja planifikon ta riemërtojë linë e majmunëve për ta shmangur stigmatizimin

Descriptive Text

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se po zhvillon një forum të hapur për të riemërtuar “linë e majmunëve” pasi disa kritikë kanë ngrehur shqetësimin se emri mund të jetë nënçmues ose të ketë konotacione raciste.

Në një deklaratë të premten, Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka riemërtuar dy familje të virusit, duke përdorur numra romakë në vend të zonave gjeografike, për të shmangur stigmatizimin. Versioni i sëmundjes i njohur më parë si “Pellgu i Kongos”, tani njihet si “Clade one” ose I dhe Clade i Afrikës Perëndimore do të njihet si “Clade two ose II”, shkruan NBC News të dielën.

OBSH-ja tha se vendimi u mor pas një takimi të shkencëtarëve këtë javë dhe në përputhje me praktikat më të mira aktuale për emërtimin e sëmundjeve, e cila synon “të shmangë shkaktimin e ofendimit të çdo grupi kulturor, social, kombëtar, rajonal, profesional ose etnik dhe të minimizojë çdo ndikim negativ në tregti, udhëtime, turizëm ose mirëqenie të kafshëve”.

Shumë sëmundje të tjera, duke përfshirë encefalitin japonez, virusin Marburg, gripin spanjoll dhe sindromën respiratore të Lindjes së Mesme, janë emëruar sipas zonave gjeografike ku u shfaqën ose u identifikuan për herë të parë. OBSH-ja nuk ka sugjeruar publikisht ndryshimin e ndonjë prej këtyre emrave.