Lifestyle

Potencial për transformim të mjekësisë: Organet e derrave mund të ringjallen

Organet e derrave mund të ringjallen një orë pasi kafshët të vriten, kanë thënë hulumtuesit amerikanë në një studim që po konsiderohet si potencial për transformim të mjekësisë.

Teknika mund të rrisë numrin e organeve në dispozicion për transplant dhe t’u ofrojë mjekëve më shumë kohë për të shpëtuar jetë, nëse aplikohet për njerëz.

Studimi po ashtu sfidon supozimet rreth asaj se çka ndodh në momentet mes jetës dhe vdekjes.

Ekspertët kanë thënë se gjetjet janë “me të vërtetë të jashtëzakonshme” dhe “tepër domethënëse”.

Kur zemra ndal së rrahuri, trupi është i uritur për oksigjen dhe lëndë ushqyese që i nevojiten për mbijetesë. Organet fryhen, enët e gjakut shemben dhe qelizat – blloqet ndërtuese mes organeve të trupit – nisin të vdesin.

Vdekja qelizore mendohej se ishte e shpejt dhe e përhershme, por studiuesit në Universitetin Yale kanë shpërfaqur dëmet që ndodhin te kafshët që kanë vdekur para një ore.

“Mund të rivendosim disa funksione të qelizave, nëpër organe të shumta vitale, që do të duhej të kishin vdekur. Qelizat funksionojnë disa orë pasi nuk do të duhej të funksiononin”, ka thënë profesori Nenad Sestan.

Nga truri te trupi

Ekipi hulumtues kreu një eksperiment të ngjashëm në trurin e derrave më 2019. Tani, kanë përshtatur teknologjinë, të quajtur OrganEx, për të punuar në gjithë trupin.

Kjo teknologji përdor gjak sintetik për të transportuar oksigjenin nëpër trup. Nuk mpikset dhe mund të qarkullojë në enët e gjakut që veçse dëmtohen brenda trupit. Ka një përzierje prej 13 përbërësish për t’i ndërprerë proceset kimike që kulmojnë me vdekjen e qelizave dhe për ta qetësuar sistemin imunitar. Një pajisje për të pompuar në mënyrë ritmike lëngun rreth trupit për të imituar pulsin e një zemre që rrah.

Eksperimenti, i publikuar në gazetën “Nature”, përfshiu rreth 100 derra dhe iu dha miratim etik para se të vazhdohej me eksperiment.

Shkencëtarët iu dhanë anestezion të thellë kafshëve dhe ua ndalën zemrat. Pasi kishin vdekur, për një orë, ato u lidhën me sistemin “OrganEx” dhe iu dha kokteji restaurues për gjashtë orë. Anestezioni u mbajt gjatë gjithë eksperimenteve.

Pas gjashtë orësh, shkencëtarët prenë organet e derrave si zemrën, mëlçinë dhe veshkat. Më pas treguan se ato ishin ringjallur pjesërisht me disa funksione të restauruara.

Ka pasur restaurim të aktivitetit elektrik në zemër dhe disa qeliza muskulore të zemrës ishin në gjendje të ringjalleshin, por jo të gjitha organet funksiononin në të njëjtin nivel si para vdekjes.

Zvonimir Vrselja, hulumtues, ka thënë se organet megjithatë nuk vdesin siç paramendohej. “Kemi demonstruar se mund të fillojmë rikuperimin e qelizave në nivel molekular. Mund të bëjmë që qelizat të mos vdesin”, ka thënë hulumtuesi.

Në një kohë gjatë hulumtimit, koka dhe qafa e derrave nisi të lëvizte spontanisht. Ishte shenjë se po rikuperonin edhe funksione tjera, por për këtë duhen hulumtime të mëtejme.

Neuroshkencëtari David Andrijeviq ka thënë se ishte shumë “moment befasues”. Gjithsesi, ka thënë se “s’ishte tregues i ndonjë aktiviteti mendor nga ana e derrit”.

Sikur në eksperimentin më 2019, ka evidencë të riparimit në tru. Por nuk ka pasur ndonjë aktivitet elektrik të trurit që do të sugjeronte vetëdijen.

Padyshim që do të duhen shumë më shumë hulumtime tjera para se teknologjia të bëhet e përdorshme për njerëzit. Megjithatë, qëllimi parësor është ruajtja e organeve të transplantuara për më gjatë, në mënyrë që ato të mund të arrijnë te pacientët që kanë nevojë për to.

“Mendoj se teknologjia është mundësi e madhe që të krijojmë kapacitete për të ruajtur organet pasi të largohen nga dhuruesi”, ka thënë doktori Stephen Latham.

Duke komentuar studimin, doktor Sam Parnia, drejtor i kujdesit kritik në Universitetin e New Yorkut, ka thënë se studimi është “me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës”.

Ai ka deklaruar se teknologjia mund të përdoret për të përfituar më shumë kohë për mjekët për t’i trajtuar njerëzit, trupat e të cilëve kanë telashe me oksigjen apo edhe ata që kanë vdekur nga përmbytja ose sulmet në zemër.

Ka shtuar se kjo mund “t’i rikthejë njerëzit në jetë disa orë pas vdekjes”.