Lifestyle

Fëmijët kaluan 83 minuta më shumë para ekranit gjatë pandemisë

Koha e kaluar para ekranit gjatë pandemisë me COVID-19 u rrit më së shumti tek nxënësit e shkollave fillore, mesatarisht me një orë e 20 minuta shtesë në ditë, sipas një hulumtimi.

Rritja e mprehtë e kohës para ekranit u shoqërua me dietat më të varfra te fëmijët, shëndetin e dobët të syve, përkeqësimin e shëndetit mendor duke përfshirë ankthin, dhe probleme të sjelljes si agresioni, nervozizmi dhe rritja e shpeshtësisë së zemërimit, thanë studiuesit, raportoi The Guardian të premten.

Gjetjet kanë nxitur thirrje për veprim për të frenuar ndikimin e dëmshëm në shëndetin e miliona fëmijëve.

Rritja më e madhe ditore e kohës para ekranit ishte në mesin e atyre të moshës nga gjashtë deri në 10 vjeç. Por rritje "të konsiderueshme" u panë në të gjitha grupmoshat, duke përfshirë të rriturit, sipas Universitetit Anglia Ruskin, i cili udhëhoqi analizat globale të studimit.

Studiuesit zbuluan se në përgjithësi më shumë kohë e kaluar duke parë ekranet si televizori ose kompjuteri lidhej me një ndikim negativ në dietë, gjumë, shëndetin mendor dhe shëndetin e syve.

Rritjet më të mëdha shënuan nxënësit e shkollave fillore, prej 83 minutash në ditë. Më pas ishin të rriturit, me 58 minuta dhe adoleshentët (nga 11 deri në 17 vjeç), me 55 minuta. Fëmijët nën pesë vjeç kanë pasur rritjen më të ulët të kohës para ekranit, me 35 minuta.

Studiuesit analizuan 89 studime nga vende duke përfshirë Britaninë, SHBA-në, Australinë, Francën, Kilin dhe Izraelin. Analiza u fokusua në rritjen e kohës së kaluar para ekranit para dhe gjatë pandemisë, në detaje, duke mbuluar një mostër prej më shumë se 200,000 njerëz.