Ligji i ri shtetëror që hyri në fuqi të dielën, e bën krim të dënueshëm deri në 10 vjet burgim për mjekët që përshkruajnë bllokues të pubertetit dhe hormone për personat trans nën moshën 19-vjeçare. Gjykata nuk ka vendosur ende për ndonjë kërkesë që e bllokon shtetin nga zbatimi i këtij ligji. Masa është pjesë e një vale legjislacioni në shtetet e kontrolluara nga republikanët, të fokusuar tek të rinjtë LGBTQ
Dr. Hussein Abdul- Latif e kaloi javën e fundit duke shtypur receta mjekësore për pacientët e tij të rinj transgjinorë, duke u përpjekur të sigurohej që ata të kishin qasje në mjekimet e tyre për disa muaj përpara se Alabama ta bënte vepër të paligjshme përshkrimin e recetave për ta.
Ai, po ashtu, iu përgjigj pyetjeve të pacientëve e prindërve në ankth për këtë: Çfarë do të ndodhë me mua nëse papritmas më duhet të ndaloj marrjen e testosteronit? A duhet të dalim jashtë shtetit për kujdes?
Ligji i ri shtetëror që hyri në fuqi të dielën, e bën krim të dënueshëm deri në 10 vjet burgim për mjekët që përshkruajnë bllokues të pubertetit dhe hormone për personat trans nën moshën 19-vjeçare. Gjykata nuk ka vendosur ende për ndonjë kërkesë që e bllokon shtetin nga zbatimin e këtij ligji.
Masa është pjesë e një vale legjislacioni në shtetet e kontrolluara nga republikanët, të fokusuar tek të rinjtë LGBTQ. Janë paraqitur disa projektligje për ta kufizuar diskutimin e çështjeve gjinore dhe të identitetit seksual në klasat më të reja për t’i ndaluar fëmijët të përdorin tualetet e shkollës ose të luajnë në ekipe sportive që nuk përputhen me seksin e tyre në lindje.
Abdul-Latif, endokrinolog pediatrik dhe bashkëthemelues i një klinike në Birmingham për trajtimin e fëmijëve me disfori gjinore, ka thënë se është shumë i dekurajuar nga Ligji i Alabamës. Ai ka theksuar se tashmë ishte mjaft e vështirë që familjet në këtë shtet shumë konservator të pajtoheshin me situatat e fëmijëve të tyre. Ata tashmë ishin përballur me stigmën sociale dhe me “vendimin e vështirë për t’i lënë familjet e tyre kishtare ose për t’u parë më pak të denjë”.
Beteja juridike
Mirëpo gradualisht, ka treguar ai, fëmijët trans u bënë më të dukshëm dhe kishte liri më të madhe për ata që të dilnin.
“Ata kanë ekzistuar gjithmonë, mirëpo shpesh nuk e kanë pasur ndjenjën e fuqisë për ta pranuar edhe te mjekët e tyre”, ka bërë të ditur ai. “Dhe tani që e kanë pranuar kush janë, ne po iu kundërpërgjigjemi me veprime ligjore”.
Abdul-Latif vëren se Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqëria Pediatrike Endokrine mbështesin trajtimet që klinikat këtu dhe në shtetet e tjera ofrojnë për të rinjtë transgjinorë.
“Në të kundërt, “shteti jo vetëm që thotë se jam kriminel për përshkrimin e atyre medikamenteve, mirëpo edhe thotë se organizata ime me mijëra mjekë, pediatër dhe endokrinologë pediatër janë ndoshta partnerë në atë ndërmarrje politike”, ka theksuar ai.
Katër familje nga Alabama me fëmijë transgjinorë kanë ngritur padi duke e kundërshtuar ligjin e ri të shtetit si antikushtetues. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i është bashkuar padisë. Një gjykatës federal ka dëgjuar prova këtë javë për një kërkesë në mënyrë që ta bllokojnë shtetin nga zbatimi i statutit, ndërkohë që sfida ligjore vazhdon. Më shumë se 20 organizata mjekësore e të shëndetit mendor, përfshirë Akademinë Amerikane të Pediatrisë, i kanë kërkuar gjithashtu gjyqtarit ta bllokojë ligjin. Një vendim pritet të merret gjatë kësaj jave.
Alabama ka njoftuar se ligji ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve. “Shkenca dhe sensi i përbashkët janë në anën e Alabamës. Ne do ta fitojmë këtë luftë për t’i mbrojtur fëmijët tanë”, tha javën e kaluar prokurori i përgjithshëm i Alabamës, Steve Marshall.
Tani që ligji është në fuqi, familjet po pyesin nëse do të duhet të largohen nga shteti, dhe mjekët janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me pacientët e tyre.
Abdul-Latif, i cili është me origjinë nga Jordania, dhe pediatri dr. Morissa Ladinsky u transferuan në Alabama vite më parë për të punuar si instruktorë dhe mjekë në Universitetin e Alabamës në Birmingham. Në vitin 2015, pasi panë më shumë familje me fëmijë që identifikoheshin si trans dhe kërkonin ndihmë për çështje të lidhura me gjininë, ata vendosën ta themelojnë një klinikë për t’i trajtuar fëmijët me disfori gjinore. Tani ata trajtojnë më shumë se 150 të rinj që janë transgjinorë ose të ndryshëm gjinorë.
Ladinsky, e cila dëshmoi javën e kaluar si dëshmitare në padi, ka thënë për Associated Press se ndihej sikur po ecën nëpër makth” kur legjislativi i Alabamës e miratoi ndalimin. Ajo thotë se masa është tejkalim i paprecedent legjislativ ndaj vendimeve të prindërve dhe praktikës së mjekësisë.
“Kjo është hera e parë, me aq sa di, të paktën për pediatër, që jemi të detyruar të zgjedhim mes Betimit të Hipokratit që e bëjmë “për të mos e bërë asnjë dëm” dhe të mos i braktisim kurrë pacientët kundrejt përballjes me një dënim të mundshëm për krim”, ka theksuar ajo.
Ladinsky menjëherë pranoi ta bashkëthemelonte klinikën gjinore në Birmingham kur Abdul-Latif iu afrua asaj për këtë. Ajo ishte shpërngulur në qytet nga një spital në Cincinnati, Ohio, ku kishte një ekip shëndetësor pediatrik dhe ishte e njohur me trajtimet.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Rruga që e merrte çdo mëngjes për në punë, doli të ishte vendi ku adoleshentja transgjinore e Ohajos, Leelah Alcorn, kishte dalë përpara një rimorkioje me traktor që po afrohej në vitin 2014. Leelah la një shënim vetëvrasës ku shkruhej: “Vdekja ime duhet të thotë diçka. ... Rregullo shoqërinë. Ju lutem!”.
“E tmerrshme”
Disa nga fëmijët që Abdul-Latif dhe Ladinsky kanë trajtuar në klinikën e Birminghamit erdhën tek ata pas tentativave për vetëvrasje, thanë mjekët. Një pacient u përpoq të vriste veten pesë herë, tha ai. Një sondazh i vitit 2021 nga Trevor Project, organizatë jofitimprurëse e përqendruar në përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjeve midis të rinjve LGBTQ, zbuloi se 52% e të rinjve transgjinorë dhe jobinarë e konsideruan seriozisht vetëvrasjen vitin e kaluar dhe 1 në 5 raportuan se kishin tentuar vetëvrasje.
“Në mendjet tona nuk ka dyshim se ata shpëtuan jetën e vajzës sime”, është shprehur David Fuller, vajza e të cilit ishte ndër pacientët e parë të trajtuar në Birmingham.
Jessica Fuller, tani 22 vjeç, ishte 16 vjeç kur erdhi për herë të parë në klinikë pasi i tha babait të saj se ishte trans. “Disforia ishte e tmerrshme dhe unë mendoja për vetëvrasje më shpesh sesa do të doja të flisja”, shkroi Fuller në një email.
Ajo e quajti ligjin e ri të Alabamës “një humbje kohe dhe parash”.
“Është e tmerrshme jo vetëm për fëmijët, por edhe për mjekët dhe infermierët që përpiqen të ndihmojnë fëmijët të mos e vrasin veten”, shkroi ajo. “A do t’i arrestoni për diçka kaq të padëmshme?”
Abdul-Latif ka shpjeguar se ai e kupton se disa njerëz mund të jenë skeptikë mbi trajtimet mjekësore për fëmijët transgjinorë.
“Ama ta bësh atë ligj - është shumë përtej skepticizmit”, ka thënë ai, duke shtuar se ligji “në thelb mbyll një dialog shumë të rëndësishëm në vend për atë që është më mirë dhe çfarë është më e mira për fëmijët me disfori gjinore”.
“I mirëpres argumentet. I mirëpres zërat skeptikë. Nuk i mirëpres zërat imponues që nuk lënë vend për asnjë diskutim”, ka përfunduar ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu