Pacientët që kapërcejnë infeksionet e rënda me COVID-19 vuajnë të njëjtat probleme që kalojnë njerëzit në përgjithësi midis moshës 50 dhe 70 vjeç, ka zbuluar një studim i ri, raportoi SkyNews të martën.
Gjetjet sugjerojnë se efektet e koronavirusit janë ende të dallueshme pas më shumë se gjashtë muajsh pas sëmundjes, se rikuperimi kognitiv është gradual, dhe se madje mund të ndikojë edhe te njerëzit që e kanë kaluar më lehtë përballjen me virusin.
Ka dëshmi se COVID-19 shkakton probleme të dukshme të zgjatura dhe probleme me shëndetin mendor, me pacientët e shëruar të cilët ende përjetojnë simptoma disa muaj pas infektimit.
Simptomat që i përshkruajnë janë: plogështia, marramendja, probleme me kujtimin e fjalëve, shqetësimi në gjumë, ankthi e madje edhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD).
Një studim i mëhershëm në Britani gjeti se një në shtatë individë raportonte se kishte simptoma që përfshinin vështirësi kognitive 12 javë pas testimit pozitiv.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 46 individë që u trajtuan në spital për koronavirus.
Studimi gjeti se ata ishin më pak të saktë dhe merrnin më shumë kohë për përgjigje. Rezultatet ishin ende të dukshme gjashtë muaj më vonë.
Ndikimi ishte më i fuqishëm tek ata që kishin qenë në aparatura frymëmarrjeje, por ekipi po ashtu gjeti se edhe pacientët që nuk ishin shumë të sëmurë sa për t’u shtruar në spital, mund të kenë shenja të dëmtimit të lehtë.
“Duke krahasuar pacientët me 66,008 anëtarë të publikut të gjerë, studiuesit vlerësojnë se madhësia e humbjes kognitive është mesatarisht e ngjashme me atë të pësuar nga 20 vjet plakje, midis 50 dhe 70 vjeç, dhe se kjo është e barabartë me humbjen e 10 pikëve të shkallës së inteligjencës”, kanë thënë ata.