Lifestyle

Studimi për COVID-19 nxjerr rezultate premtuese për pacientët më të rrezikuar

Doktorët kanë arritur të zbulojnë “antitrupa dallues” që mund të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve me rrezik më të madh për të zhvilluar COVID-19 më të gjatë, një situatë në të cilën simptomat e dëmshme të sëmundjes mund të zgjasin për disa muaj.

Hulumtuesit në spitalin e Zuerichut kanë analizuar mostrat e gjakut nga pacientët me COVID dhe kanë gjetur se niveli i ulët i antitrupave të caktuar ishte më i zakonshëm tek ata që kishin më gjatë virusin se te pacientët që ishin shëruar më shpejt e më lehtë.

Kur të dhënat kombinoheshin me moshën e pacientit, detajet e simptomave dhe nëse pacientët kishin ose jo astmë, antitrupat dallues ua mundësuan doktorëve të parashikojnë nëse njerëzit do të kenë rrezik të ulët, të lartë apo tejet të lartë për të zhvilluar sëmundje afatgjate.

“Në përgjithësi, mendojmë se gjetjet tona dhe identifikimi i imunitetit dallues do të ndihmojë në identifikimin më të hershëm të pacientëve që janë në rrezik të zhvillimit të COVID-it të gjatë, ndërsa do të lehtësojë hulumtimin, kuptimin dhe gjetjen e trajtimeve për COVID të tillë”, ka thënë Onur Boyman, profesor i imunologjisë, që e udhëhoqi hulumtimin.

Ekipi analizoi 175 njerëz që testuan pozitivë për COVID-19 dhe 40 vullnetarë të shëndetshëm që vepruan si grup kontrolli. Për të parë se si simptomat e tyre ndërruan pas një kohe, doktorët ndoqën 134 pacientët me COVID-19 për një vit që nga momenti kur rezultuan pozitivë.

Analizat e gjakut të pjesëmarrësve treguan se ata që kanë pasur COVID më të gjatë – të njohur edhe si sindromi post-akut COVID-19 – kishin më pak antitrupa IgM dhe IgG3. Kur COVID-i i godiste, igM ngritej shpejt, ndërsa antitrupat IgG nisnin ngritjen më vonë dhe ofronin mbrojtje më afatgjatë.

Shkencëtarët kombinuan antitrupat dallues me moshën e pacientit, nëse ata kanë pasur astmë, dhe detaje të simptomave të tyre. Për të konfirmuar se rezultati ishte i mirë, ata kryen testime në 395 pacientë që ishin përcjellë për 6 muaj.

Testi s’mund të parashikojë rreziqet për COVID të gjatë para se ata të infektohen sepse nevojitet shfaqja e simptomave, por Dr. Carlo Cervia ka thënë se njerëzit me astmë dhe me nivel më të ulët të IgM-së dhe IgG3-shit ishin në rrezik më të lartë.

“Kjo pritet të përmirësojë kujdesin për pacientët me COVID-19 të gjatë si dhe të motivojë grupet me rrezik të lartë, si astmatikët, që të vaksinohen e të parandalohet COVID-i i gjatë”, ka thënë Cervia.

Hulumtimi u publikua në “Nature Communications”.

Edhe pse ende s’ka asnjë kurë efektive për COVID të gjatë, gjetja e atyre që janë më në rrezik do t’u ndihmojë mjekëve të udhëzojnë pacientët për trajtim klinik me terapi më të gjatë dhe t’i paraprijnë rreziqeve me rehabilitim më të hershëm. Kontrollimi më i mirë gjatë trajtimit me ilaçe mund të ndihmojë në uljen e rreziqeve. Vaksina mund të ulë rreziqet për COVID të gjatë, por duhen më shumë studime për këtë.

Shkencëtarët kanë mirëpritur lajmin, por kanë shtuar se duhen studime në masë më të madhe.