Lifestyle

Po ashpërsohen rregullat për maska shkaku i valës së re

Me mbushjen e shpejtë të klinikave të spitalit të Italisë me pacientë kryesisht të pavaksinuar nga COVID-19, qeveria ka njoftuar në prag të Krishtlindjes që maskat FFP2 – të cilat u ofrojnë përdoruesve më shumë mbrojtje sesa maskat kirurgjikale ose të tjera maska të zakonshme – duhet t’i mbajnë në transportin publik, përfshirë aeroplanët, trenat, tragetet dhe metrotë

Të mbash a të mos mbash maskë është një pyetje që Italia i është përgjigjur me një “po” të fortë që nga shpërthimi i hershëm i COVID-19. Tani epiqendra e dikurshme e pandemisë në Evropë shpreson se masat më të rrepta për maskë do të ndihmojnë në mposhtjen e rritjes së infeksionit të fundit.

Vendet e tjera po i marrin të njëjtat masa pasi virusi tejet ngjitës, por më pak vdekjeprurës – Omicron po përhapet në mbarë kontinentin.

Me mbushjen e shpejtë të klinikave të spitalit të Italisë me pacientë kryesisht të pavaksinuar nga COVID-19, qeveria ka njoftuar në prag të Krishtlindjes që maskat FFP2 – të cilat u ofrojnë përdoruesve më shumë mbrojtje sesa maskat kirurgjikale ose të tjera maska të zakonshme – duhet t’i mbajnë në transportin publik, përfshirë aeroplanët, trenat, tragetet dhe metrotë.

Kjo do të ndodhë edhe pse të gjithë pasagjerët në Itali, që nga kjo javë, duhet të vaksinohen ose të shërohen së fundmi nga COVID-19. FFP2 gjithashtu duhet të mbahen edhe në teatro, kinema dhe ngjarje sportive, brenda ose jashtë, dhe nuk mund të hiqen as për të ngrënë as për të pirë.

Italia rifuti masën që maska të jetë e obligueshme në natyrë. Asnjëherë nuk e kishte larguar masën e të hequrit maskën në ambiente të mbyllura – edhe kur infeksionet ranë ndjeshëm gjatë verës.

Në një mëngjes të ftohtë në Romë këtë javë, 84-vjeçari Lillo D’Amico, po mbante një kapelë të leshtë dhe maskën FFP2 teksa po blinte gazetën e tij në lagjen e tij.

Image

Sakrificë e vogël

“Maskat nuk kushtojnë shumë, thjesht një sakrificë e vogël”, ka theksuar ai. “Kur i llogarit, ajo kushton më pak se hospitalizimi”.

Kur e sheh dikë nga të rinjtë pa maskë duke ecur, ai mban distancë. “Ata i shohin maskat si fyerje ndaj lirisë së tyre”, tha D’Amico duke ngritur supet.

Spanja e rivendosi masën për maskë në natyrë në prag të Krishtlindjes. Pasi shkalla e infektimit ditor u rrit në 2.722 infektime të reja për 100.000 njerëz deri në fund të javës – nga 40 për 100.000 në mes të tetorit – kryeministri Pedro Sanchez u pyet nëse detyrimi i maskave po kryente punë.

“Sigurisht që po. Nuk po e them unë këtë. Po e thotë vetë shkenca, ngaqë është një virus që bartet kur dikush lëshon frymën”, ka spikatur Sanchez.

Portugalia solli përsëri maskat në fund të nëntorit, pasi hoqi kryesisht kërkesën kur arriti qëllimin e saj për të vaksinuar 86% të popullsisë.

Greqia ka rivendosur gjithashtu masën që maska të mbahet edhe në natyrë, teksa kërkon një FFP2 ose maskë kirurgjikale të dyfishtë në transportin publik dhe në hapësirat e brendshme publike.

Këtë javë, ekipi i menaxhimit të shpërthimit i qeverisë holandeze ka rekomanduar obligimin e maskës për njerëzit mbi 13 vjeç në zona të brendshme publike të ngarkuara si restorante, muze, teatro, si dhe për spektatorët në ngjarje sportive në ambient të mbyllur. Këto vende janë aktualisht të mbyllura nën një bllokim të paktën deri të premten, më 14 janar.

“Liria” që ofron maska

Në Francë, obligimi i mbajtjes së maskës u rikthye pjesërisht në dhjetor në shumë qytete, përfshirë Parisin. Mosha e fëmijëve që duhet ta mbajnë maskën në vende publike u ul në 6 nga 11.

Kancelari austriak, Karl Nehammer, në javën e kaluar ka njoftuar që njerëzit duhet ta mbajnë maskën FFP2 jashtë në qoftë se nuk mund të mbajnë distancë të paktën dy metra larg.

Në Itali, me më shumë se 2 milionë njerëz aktualisht pozitivë me virus, në një komb prej 60 milionë banorësh, mungesat në vendin e punës që e kanë kufizuar edhe qarkullimin e trenave dhe autobusëve, qeveria po ashtu i sheh maskat si një mënyrë për ta lënë shoqërinë të funksionojë më lirshëm.

Njerëzit me vaksina përforcuese ose doza të dyta të vaksinës tani mund të shmangin karantinën, pasi kanë rënë në kontakt me një person të infektuar nëse mbajnë një maskë FFP2 për 10 ditë.

Qeveria i ka urdhëruar dyqanet që maskat FFP2 të jenë të disponueshme për 75 centë. Në vitin e parë të pandemisë, maskat FFP2 kanë kushtuar deri në 10 euro - kudo që mund të gjendeshin.

Të hënën, shteti i qytetit të Vatikanit i ka bërë të detyrueshme maskat FFP2 në të gjitha ambientet e brendshme. Shteti i vogël dhe i pavarur i rrethuar me mure përtej Tiberit nga zemra e Romës përcaktoi gjithashtu se punonjësit e Vatikanit mund të shkojnë në punë pa u karantinuar, pasi të kenë kontakt me dikë që rezulton pozitiv nëse, përveç vaksinimit të plotë ose që kanë marrë një vaksinë përforcuese, mbajnë FFP2.

Papa me maskë?

Françesku me të vërtetë dukej se po mbante një maskë FFP2, duke i befasuar blerësit në Romë të martën në mbrëmje, kur ai doli nga një dyqan muzikor pranë Panteonit para se të kthehej në Vatikan.

Në Britani, ku kryeministri Boris Johnson është përqendruar te vaksinimi, maskat nuk janë kërkuar kurrë jashtë.

Megjithatë, këtë muaj qeveria tha se nxënësit e shkollave të mesme duhet të mbajnë mbulesë fytyre në klasë. Mirëpo, Sekretari i Arsimit Nadhim Zahawi tha se ky rregull nuk do të zbatohet "për një ditë më të gjatë se sa duhet”.

Kur qeveria britanike hoqi kufizimet e pandemisë në korrik të vitit 2021, duke e kthyer mbajtjen e maskave nga një kërkesë në një sugjerim, përdorimi i maskave ra ndjeshëm.

Nino Cartabellotta, president i fondacionit GIMBE me bazë në Bolonja, i cili mbikëqyr kujdesin shëndetësor në Itali, thotë se Britania e ka parasysh se çfarë mund të ndodhë kur masat si mbajtja e maskave nuk vlerësohen.

“Situata në Britani, bën të ditur se vetëm përdorimi i vaksinimit nuk ishte i mjaftueshëm” për t’ia kaluar pandemisë, edhe pse Britania ishte një nga vendet e para që filloi vaksinimin, ka sqaruar ai në një intervistë me video.

Përktheu: Blerta Haxhiu