Një studim i ri sugjeron se dëshira për të biseduar për gjëra konfidenciale me njerëz të panjohur është në fakt ndjenjë e zakonshme. Pra, herën tjetër që ju qëllon të flisni me dikë që nuk e njihni, nuk duhet të supozoni se domosdo duhet t’i përmbaheni një bisede sipërfaqësore. Ka goxha mundësi që personi me të cilin jeni duke folur të jetë i lumtur që të ndajë me ju disa nga aspektet më personale të jetës së tij, siç mund të jeni edhe ju me të.
Shumë prej nesh u shmangen bisedave me të panjohurit, duke menduar se ky lloj ndërveprimi është i vështirë dhe i padëshiruar nga të dyja palët. Por, ndoshta e kemi gabim. Një studim i ri sugjeron se dëshira për të biseduar për gjëra konfidenciale me njerëz të panjohur është në fakt ndjenjë e zakonshme.
Pra, herën tjetër që ju qëllon të flisni me dikë që nuk e njihni, nuk duhet të supozoni se domosdo duhet t’i përmbaheni një bisede sipërfaqësore. Ka goxha mundësi që personi me të cilin jeni duke folur të jetë i lumtur që të ndajë me ju disa nga aspektet më personale të jetës së tij, siç mund të jeni edhe ju me të.
Studiuesit kanë realizuar 12 eksperimente të ndryshme, që përfshijnë më shumë se 1.800 individë për të parë qëndrimin e njerëzve ndaj bisedave dhe kontakteve, me pjesëmarrës që përfshinin studentë, drejtues biznesi dhe vullnetarë të rekrutuar në internet.
“Lidhja me të tjerët në mënyra kuptimplote tenton që t’i bëjë njerëzit më të lumtur. Por njerëzit ngurrojnë që të përfshihen në biseda më të thella dhe më kuptimplota me të panjohurit”, ka thënë shkencëtari i sjelljeve Nikolas Eplej nga Shkolla e Biznesit në Universitetin e Çikagos.
“Pra, ky paradoks social na bëri shumë përshtypje: nëse lidhja me të tjerët në mënyra të thella dhe kuptimplota rrit mirëqenien, atëherë pse njerëzit nuk e bëjnë atë më shpesh në jetën e përditshme?”- pyet Eplej. Përgjigjja e shkurtër sipas Eplejt dhe kolegëve të tij është “pritshmëria e gabuar”.
Studimi tregoi se bisedat e thella apo sipërfaqësore me të panjohurit përfunduan duke sjellë kënaqësi më të madhe sesa që pritej fillimisht. Atyre që morën pjesë në studim iu kërkua t’i shkruanin temat e tyre të bisedës ose iu dhanë disa pyetje për të diskutuar.
Kërkesat përfshinin një larmi të madhe të të dyja subjekteve, nga ato të thella në ato banale. Pra, gjithçka nga: “A mund ta përshkruani një moment kur keni qarë para një personi tjetër?” tek “Çfarë mendoni për motin sot?”. Përgjatë të gjitha eksperimenteve, bisedat me të panjohurit ishin më pak të vështira dhe më përmbushëse nga sa pritej nga pjesëmarrësit.
Kjo vlente veçanërisht për bisedat e thella, të cilat krijuan ndjenja më të mëdha të lidhjes në krahasim me bisedat mbi tema më pak të rëndësishme. Në përgjithësi, bashkëbiseduesit zbulonin më shumë gjëra personale sesa priste personi tjetër. Po ashtu studimi vëzhgoi bisedat me familjen dhe miqtë, duke treguar se këtu pritshmëritë e kujdesit dhe interesit janë më të sakta.
“Qeniet njerëzore janë shumë sociale, ndaj kanë prirje që të nisin një bisedë me dikë. Në rast se ndani me dikë diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, ka të ngjarë që të merrni në këmbim diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, duke e bërë bisedën dukshëm më cilësore”, ka thënë Eplej.
Se çfarë do të thotë e gjitha kjo për ju, herën tjetër kur të uleni pranë një të panjohuri në autobus, është fakti se një bisedë e thellë mund të jetë më shpërblyese sesa mendoni, dhe se personi ngjitur me ju mund të jetë më i interesuar për atë që keni për t’i thënë sesa mund ta prisni.
Sigurisht që ky është një përgjithësim, i bazuar tek eksperimentet me më pak se 2.000 njerëz, ndaj ende mund të prisni reagim të ftohtë nga një i panjohur në autobus. Por, në përgjithësi, si qenie njerëzore duket se kemi më shumë seç duhet frikë nga bisedat kuptimplota dhe të thella.
Ka shumë prova se bisedat më të thella sjellin më shumë lumturi dhe mirëqenie dhe qasja më optimiste ndaj tyre mund të sjellë përfitime, pra, si për ju ashtu edhe për personin me të cilin po bisedoni. Pasi edhe këta të fundit mund të jenë po aq të etur për t’u hapur sa edhe ju.
“Teksa pandemisë po i vjen fundi, të gjithë do të rikthehemi të flasim sërish me njëri-tjetrin, duke qenë të vetëdijshëm se edhe të tjerëve iu pëlqejnë bisedat kuptimplote, të cilat mund t’ju bëjnë të kaloni më pak kohë në biseda sipërfaqësore dhe të keni ndërveprime më të këndshme”, ka theksuar Eplej.