Lifestyle

Djersitja gjatë natës, tregues i mundshëm i disa telasheve shëndetësore

Një numër i konsiderueshëm i njerëzve djersijnë shumë gjatë natës dhe kjo ndodh jo për shkak të temperaturës së lartë të brendshme apo batanijeve të trasha.

Djersitja e tepërt gjatë natës mund të ndodhë shkaku i një sërë faktorëve të panjohur dhe mund të ndërlidhjet gjithashtu edhe me një grup problemesh të fshehura shëndetësore.

Një grup ekspertësh shëndetësorë në Britaninë e Madhe kanë shpalosur disa prej shkaqeve e ndryshme që mund ta shkaktojnë djersitjen e tepërt gjatë natës.

Hipertiroidizmi
Ndjeshmëria ndaj nxehtësisë dhe djersitja janë dy prej simptomave më dalluese të problemeve me hipertiroidizmin. Gjëndra tiroide kontrollon gjithë metabolizmin e trupit dhe në rast se ajo prodhon më shumë hormone, trupi punon më shumë dhe më shpejt sesa që duhet.

Për këtë arsye temperatura trupore ngrihet dhe njeriu ndjen më shumë uri teksa ka edhe më shumë etje.

Niveli i ulët i sheqerit

Niveli i glukozës në gjak mund të bjerë gjatë natës dhe kjo gjë rëndom manifestohet me djersitje gjatë gjumit. Për këtë arsye ekspertët rekomandojnë që para gjumit të konsumohen disa kafshata të ushqimeve të shëndetshëm.

Urthi

Urthi mund të ndikojë në ndërprerjen e gjumit gjatë natës dhe të shoqërohet edhe me djersitje të tepërt. Për këtë arsye rekomandohet që në raste të tilla të hahen vakte më të pakta, por jo përpara gjumit. Ekspertët rekomandojnë që gjithsesi të shmangen ushqimet e skuqura, domatet dhe ushqimet me yndyrë.

Limfoma
Shumë prej tumoreve të njohur deri më tani shkaktojnë djersitje të tepërt, por më e përhapura mes tyre është limfoma, e cila e ka pikënisjen tek sistemi imunitar.

Medikamentet
Shumë barna, përfshirë në këtë mes aspirinën dhe ibuprofenin, mund të shkaktojnë djersitje të tepërt. Mes këtyre ilaçeve përfshihen edhe ato që përdoren për trajtimin e depresionit apo trajtimet hormonale.

Tuberkulozi
Djersitja e tepërt gjatë natës është njashtu edhe një simptomë e tuberkulozit, e cila shfaqet edhe me kollë të fortë dhe sekrecione me njolla gjaku. Por përveç tij, edhe ankthi që kulmon me ëndrra të frikshme dhe stërmunduese shoqërohet me djersitje të tepërt gjatë natës.

Menopauza
Sipas ekspertëve, djersitja e tepërt mund të jetë po ashtu simptomë e menopauzës apo ndërprerjes së ciklit menstrual mes grave. Menopauza gjithashtu shoqërohet me ankth dhe depresion. Edhe infeksionet bakteriale manifestohen me temperaturë të lartë, por edhe me djersitje të tepërt gjatë natës.

Cili është trajtimi?

Ulja e temperaturës së dhomës së gjumit dhe ventilimi i saj do të ndihmojnë që gjumi të bëhet më i lehtë për njerëzit që djersijnë më tepër gjatë natës. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e çarçafëve dhe rrobave prej pambuku, të cilët e përthithin më mirë djersën.

Ata sugjerojnë gjithashtu që të shmangen materialet sintetike, të cilat shkaktojnë siklet gjatë gjumit. Por sugjerimi kryesor i ekspertëve është që secili person që përballet me një problem të tillë të mundohet që ta identifikojë shkakun e djersitjes dhe më pas të konsultohet me mjekët.