Lifestyle

Guardian: Sindroma e rrallë e mpiksjes së gjakut nga “AstraZeneca” me shkallë të lartë mortaliteti

Mirëpo, studiues që i ekzaminuan simptomat, shenjat dhe rezultatet nga 220 rastet e konfirmuara dhe të mundshme që janë paraqitur në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar midis 22 marsit dhe 6 qershorit, kanë theksuar se ky lloj i reagimit nga vaksina është shumë i rrallë

Ani pse jashtëzakonisht e rrallë, sindroma e mpiksjes së gjakut pas administrimit të dozës së parë të vaksinës “Oxford”/”AstraZeneca” mbart një shkallë të lartë rreziku për vdekjen dhe mund të ndodhë përndryshe te të rinjtë dhe të shëndetshmit, kanë bërë të ditur studiuesit britanikë.

Në mesin e nën 50-vjeçarëve, mpiksjet e gjakut ndodhin në përafërsisht një prej më se 50 mijë personave të vaksinuar, kanë sugjeruar të dhënat të cilat i publikoi të enjten e përditshmja britanike Guardian.

Studiuesit kanë ekzaminuar simptomat, shenjat dhe rezultatet në 220 raste të konfirmuara dhe të mundshme që janë paraqitur në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar midis 22 marsit dhe 6 qershorit.

“Është me rëndësi të theksohet se ky lloj i reagimit ndaj vaksinës së “Oxford”/”AstraZenecas” është shumë i rrallë”, tha Sue Pavord, mjeke konsulente e hematologjisë në Fondin e Besimit të Spitaleve të Universitetit të Oxfordit dhe autorja kryesore e analizës së botuar fillimisht në revistën shkencore New England Journal of Medicine, raportoi Guardian.

Por për ata që zhvillojnë mpiksje gjaku, rezultatet “mund të jenë shkatërrimtare”, shtoi ajo. “Rëndom i prek marrësit e rinj, përndryshe të shëndetshëm të vaksinave, dhe ka shkallë të lartë vdekshmërie. Është veçanërisht i rrezikshëm kur pacienti ka numër të ulët të trombociteve dhe gjakderdhje në tru”, theksoi Pavord, duke folur për gazetën britanike.

“Mund ta prekë këdo”, shtoi Beverley Hunt, drejtoreshë mjekësore e “Thrombosis UK” dhe profesoreshë për trombozë dhe hemostazë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Pesëdhjetë për qind e atyre që janë përfshirë në këtë analizë nuk kanë pasur asnjë sëmundje të mëparshme dhe nuk dukej se kishin faktorë të veçantë individualë të rrezikut për zhvillimin e sindromës, tha Hunti për Guardianin.

Studiuesit zbuluan se sindroma - e quajtur trombocitopeni (VITT) – ka shkaktuar vdekjen e 23 për qind të rasteve të analizuara. Kjo shkallë e rrezikut për vdekje rritet theksueshëm, deri në 73 për qind, te pacientët me numër shumë të ulët të trombociteve dhe gjakderdhje të trurit pas mpiksjes së gjakut në tru, thanë studiuesit.

VITT është e ngjashme me gjendjen e raportuar ndonjëherë mes pacientëve të trajtuar me heparinë për hollimin e gjakut, porse duket që është “më agresive sesa ajo njihnim deri më tani”, ka thënë Pavord.

Megjithëse ka pasur disa raporte të efekteve të ngjashme anësore të mpiksjes së gjakut edhe pas vaksinimit me dozat e kurës “Pfizer”/”BioNTech”, rrezikshmëria më e lartë duket të jetë e lidhur vetëm me vaksinën e “Oxford”/”AstraZeneca”, thanë studiuesit.

“Jemi mendjehapur”, ka thënë për Guardianin mjekia Catherine Bagot, konsulente hematologjie në Glasgow Royal Infirmary, dhe pedagoge e lartë klinike në Universitetin e Glasgowit. “Vaksina ‘Pfizer’ - për sa u përket rastet për të cilat jemi në dijeni - nuk ka përmbushur përkufizimin as të një rasti të konfirmuar e as të rasteve të mundshme”.

Në fillim të majit, Komiteti i Përbashkët britanik për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) rekomandoi që personave nën moshën 40-vjeçare t’u ofroheshin vaksina alternative për atë të “Oxford”/”AstraZeneca” në rastet kur ishte e mundur, pas raporteve për raste shumë të rralla të koagulimit të gjakut menjëherë pas dozave të para.

Mes 220 rasteve të konfirmuara dhe të mundshme të shpërfaqura në analizë, mosha e të prekurve sillet nga 18 deri në 79-vjeçare, me një mesatare prej 48 vjetësh. Rreth 85 për qind e tyre ishin nën 60 vjeç, megjithëse shumica e popullsisë së moshuar ishte vaksinuar. Porse kjo, sipas Pavordit të cituar nga Guardian, nuk do të thotë që vaksina e “Oxford”/”AstraZenecas” nuk duhet t'u jepet personave nën 60 vjeç.

“Në rast se evidentohet përhapje e lartë e COVID-19, më shumë njerëz mund të infektohen dhe të vihen në kujdes intensiv, dhe nëse ata janë mbi moshën 60-vjeçare, kanë më shumë gjasa që të vdesin. Në këtë rast, ka kuptim që vaksina e ‘Oxford’/’AstraZenecas’ t’u jepet të gjithëve. Porse kur evidentohet shkallë më e ulët e COVID-19, kufiri i moshës do të duhej të ishte përshtatshëm”, tha ekspertja. “Ajo që është absolutisht e nevojshme të merret parasysh është peizazhi më i gjerë dhe ky është se rreziku nga COVID-i është shumë më i madh për grupmoshat e shtyra”.