Lifestyle

Mpiksjet e gjakut nga vaksina e AstraZenecas, ndonëse të rralla kanë shkallë të lartë të vdekshmërisë

Ndonëse shumë i rrallë, sindromi i mpiksjes së gjakut pas dozës së parë të vaksinës antiCOVID të Oxford/AstraZenecas ka një rrezik të lartë të vdekshmërisë dhe mund të ndodhë te personat e rinj e të shëndetshëm, kanë zbuluar hulumtuesit në Britani, raporton “The Guardian”.

Te personat nën moshën 50 vjeç, mpiksja e gjakut ndodh një në 50 mijë persona që kanë marrë vaksinën, bazuar në të dhënat.

Hulumtuesit kanë analizuar simptome, shenjat dhe rezultatet në 220 raste të konfirmuar dhe të mundshme në spitalet e Britanisë nga 22 marsi deri më 6 qershor.

“Duhet të ceket se këto lloj reaksione të vaksinës Oxford/AstraZeneca janë shumë të rralla”, thotë Sue Pavord, hematologe në Spitalin Universitar të Oxfordit, që ka drejtuar këtë hulumtim të publikuar në New England Journal of Medicine.

Por, ata që zhvillojnë mpiksje gjaku, mund të kenë rezultate shumë të rënda, thotë ajo.

“I prek edhe personat e rinj, persona të shëndosh që janë vaksinuar dhe ka shkallë të lartë të vdekshmërisë”, thotë Sue Pavord.

50 për qind e rasteve në analizën nuk kanë pasur më herët sëmundje të njohura. Hulumtimi ka zbuluar se sindromi, ka shkaktuar vdekjen e 23 për qind të rasteve të analizuara.