Lifestyle

Simptomat e variantit Delta janë ndryshe nga ato të COVID-19

Ndërsa rastet me COVID-19 po rriten në të gjithë globin, ekspertët kanë kaluar muajt e fundit duke u fokusuar veçanërisht në variantin Delta.

Efektet e këtij varianti kanë arritur deri në Washington, me ç’rast Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po i rekomandon njerëzit që t’i mbajnë maskat në ambiente të mbyllura, edhe pas vaksinimit.

Doktori Todd Bell, Profesor në Qendrën e Shkencave Shëndetësore të Universitetit “Texas Tech”, tha se kjo po ndodhë për shkak të faktit se sa ngjitës është varianti Delta.

“Mutacioni ka rezultuar në një ndryshim në mënyrën se si virusi futet në qeliza, si dhe është në gjendje ta rrisë ndjeshëm sasinë e virusit që e prodhon”, ka deklaruar Dr. Bell.

Ky ndryshim nuk do të thotë vetëm se njerëzit janë më të ekspozuar nga prekja prej këtij virusi, por mund të përhapet po me aq lehtësi tek personat që tashmë e kanë kaluar koronavisurin apo janë plotësisht të vaksinuar.

Disa studime sugjerojnë se një person me variantin Delta, ka 1.000 herë më shumë virus në pasazhet e hundës dhe të frymëmarrjes, në krahasim me llojin origjinal.

Dr. Bell në deklaratat e tij e përshkroi vaksinën, e cila është 90 për qind efektive, si një jelek antiplumb.

“Jeleku antiplumb i bllokon nëntë nga 10 plumba të shtënë në drejtim tëndin. Kjo mund të jetë gjithçka që më duhet nëse nuk më qëllojnë më shumë. Sidoqoftë, nëse jam në mes të një fushëbeteje dhe kam njerëz që më gjuajnë nga të gjitha anët, një sukses i mbrojtjes nga plumbat prej 90 për qind mund të mos jetë i mundur”.

Tutje Dr. Bell e ripërsëriti këshillën e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke thënë se maskat janë një mënyrë e sigurt për të zvogëluar rrezikun e transmetimit.

Varianti Delta mund të duket dhe të veprojë shumë ngjashëm me COVID-19, por mjekët kanë vënë re disa dallime. Ethet dhe kolla janë të pranishme në të dy llojet e virusit, por dhimbjet e kokës, kongjestioni i sinuseve, dhimbja e fytit dhe rrjedhja e hundëve, të gjitha këto simptoma duket se janë më të zakonshme me variantin Delta. Teshtitja e vazhdueshme është po ashtu një simptomë e Deltas, kurse humbja e shijes dhe nuhatjes, që konsiderohej një prej simptomave më identifikuese të COVID-19, mund të manifestohet me rrallë.