Hipoteza e diskutueshme e rrjedhjes së virusit nga laboratori, e cila dikur u refuzua nga të gjithë si një teori e paqartë konspirative, kohëve të fundit ka fituar përsëri peshë, duke i ndërlikuar më shumë marrëdhëniet veçse të tensionuara midis Kinës dhe Perëndimit
Një studim “në kohën e duhur, transparent dhe i bazuar tek ekspertët dhe në gjetjet shkencore” – kjo është gjëja që liderët e G7-s kanë pretenduar se e duan prej shkencëtarëve që janë vënë në kërkim të origjinës së koronavirusit që e shkaktoi sëmundjen COVID-19.
Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësit e fuqishëm politikë shprehen në mbështetje të një hetimi, i cili do të zbardhte prejardhjen e virusit përgjegjës për pandeminë aktuale.
Presidenti amerikan, Joe Biden, kohë më parë ka urdhëruar ekipin e tij të zbulimit që t’i shtojnë përpjekjet dhe të dalin me një raport brenda 90 ditësh, duke përfshirë një analizë të hollësishme mbi mundësinë e rrjedhjes së koronavirusit nga një laborator kinez.
Hipoteza e diskutueshme e rrjedhjes së virusit nga laboratori, e cila dikur u refuzua nga të gjithë si një teori e paqartë konspirative, kohëve të fundit ka fituar përsëri peshë, duke i ndërlikuar më shumë marrëdhëniet veçse të tensionuara midis Kinës dhe Perëndimit, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle.
Kina ka hedhur poshtë vazhdimisht këtë teori si një “fushatë të njollosjes”, duke e cilësuar si arsye për “zhvendosjen e fajit” nga vendet perëndimore.
Një vit e gjysmë qëkur COVID-19 u regjistrua për herë të parë në Wuhan të Kinës, pyetja se si është shfaqur virusi mbetet edhe më tutje pa përgjigje. Por si ka vajtur në të vërtetë rrjedha shkencore e këtij kërkimi dhe pse është e rëndësishme që të anashkalohet politika dhe të gjendet origjina e përnjëmendtë e virusit?
Çfarë dimë... e çfarë nuk dimë?
Virusi SARS-CoV-2 u zbulua për të parën herë në Kinë nga fundi i 2019-s dhe deri në qershorin e 2021-s është përhapur në të gjithë botën, duke rezultuar me 178 milionë raste të konfirmuara të infeksionit dhe mbi 3.9 milionë vdekje.
Disa prej rasteve të hershme kanë qenë të ndërlidhura me tregun e produkteve të detit në qytetin Wuhan, ku u zbulua grupi i parë i njerëzve të infektuar, ka kujtuar DW.
Muajve në vijim shkencëtarët kanë arritur konsensus të gjerë se virusi është përhapur si pasojë e “bartjes zoonotike” – që e nënkupton “kërcimin e virusit” nga kafshët e infektuara tek njerëzit, para se të bëhej shumë i bartshëm nga njeriu te njeriu.
“Megjithëkëtë, një teori konkurruese sugjeron se virusi mund të ketë rrjedhur gjithashtu nga godina e madhe e laboratorit bio-kërkimor që ndodhet relativisht afër tregut, Instituti i Virologjisë në Wuhan (VIV), ku shkencëtarët kanë studiuar koronavirusin te lakuriqët e natës për më shumë se një dekadë”, ka shkruar agjencia gjermane.
Në ditët e hershme të pandemisë këtë pretendim kundërthënës e kishte mbështetur publikisht presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Disa të tjerë kanë shkuar madje aq larg sa të sugjerojnë se mund të jetë bërë nga njeriu për t’u përdorur si një armë biologjike.
Që atëherë hulumtimet kanë ofruar prova kundër idesë për një virus të krijuar.
“Teoritë lidhur me origjinën hipotetike njerëzore të SARS-CoV-2 janë plotësisht të paqëndrueshme”, ka shkruar një grup shkencëtarësh në revistën amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjienës, në korrikun e kaluar, raporton Deutsche Welle. Virusi nuk përmban “gjurmë gjenetike dhe as sekuencat gjenetike që do të ishin ‘nxjerrë në mënyrë inxhinierie që më parë nga viruset paraekzistuese”, kanë zbuluar ata.
Shefi për sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, ka hedhur poshtë gjithashtu këtë ide, duke pretenduar se “kinezët që bëjnë qëllimisht diçka që do t’i vriste edhe ata... Mendoj se kjo gjë është thjesht e ekzagjeruar”.
Por megjithëkëtë, pretendimi se virusi ka mundur të përhapej si pasojë e një incidenti të panjohur laboratorik ka filluar që përsëri të fitojë peshë.
Kërkimi për prejardhjen

Disa shkencëtarë e mbështesin idenë e hetimeve për të dy ide të kundërta – rrjedhja nga laborator i një virusi që më herët gjendej në natyrë, kundrejt kalimit të natyrshëm zoonotik (gjatë të cilit infeksionet kanë mundur të kalonin nga lakuriqët e natës tek njerëzit, direkt apo nëpërmjet një kafshe ndërmjetëse, si pangoli, ose ndonjë gjitar tjetër i pazbuluar).
“Opsioni i parë është edhe më tutje i vlefshëm, i cili nuk do të duhej që aq thjesht të përjashtohej”, kanë shkruar shkencëtarët nga Austria, Japonia, Spanja, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Australia në mars, raporton DW.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar në fillim të vitit një grup ekspertësh në Kinë për hetimin e këtij opsioni deri në fund, por, megjithëkëtë, raporti që ata përpiluan nuk përmbante kurrfarë përfundimi se prej nga ka buruar SARS-CoV-2 dhe, sipas shumëkujt, ka ngritur më shumë pyetje të reja sesa që ka ofruar përgjigje.
Në maj 18 shkencëtarë të njohur shkruan një letër për revistën “Science”, duke kërkuar hetime të mëtejshme.
“Duhet t’i marrim me seriozitet hipotezat për kalimin natyror dhe atë laboratorik, krejt derisa të kemi të dhëna të mjaftueshme”, kanë shkruar ata, raporton DW-ja. Për më tepër, ata kanë potencuar se edhe “hetimi i parë duhet të jetë transparent, objektiv dhe i bazuar në fakte”, si dhe t’i “nënshtrohet kontrollit të pavarur”.
Njëra nga autorët e letrës është profesoresha Akiko Iwasaki, imunologe nga Shkolla e Mjekësisë në Yale. Ajo pretendon këmbëngulësisht se të kuptuarit e origjinës së virusit është thelbësore për parandalimin e pandemive të ardhshme.
“Nëse dëshmohet se virusi ka kaluar drejtpërsëdrejti nga lakuriqët e natës te njerëzit, duhet që të ndërmarrim masa për t’i minimizuar kontaktet e ardhshme dhe të forcojmë mbikëqyrjen e infeksioneve te njerëzit, për të cilët e dimë se kanë pasur kontakt me lakuriqët e natës”, ka thënë ajo për BBC-në, raporton Deutsche Welle.
Ndërkohë, “nëse virusi doli aksidentalisht nga laboratori, duhet të vështrojmë se si ndodhi kjo dhe të zbatojmë masa më të forta sigurie për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”.
Profesori David Robertson, virolog në Universitetin e Glasgowit, ka të njëjtën pikëpamje.
“Edhe në rast se Instituti Wuhan është i përzier në këtë, prapëseprapë duhet të dimë se ku e kanë gjetur ata virusin”, ka theksuar ai për Deutsche Wellen.
A do të mësohet ndonjëherë e vërteta?
Shkenca, sipas vetë përkufizimit të saj, vazhdimisht e korrigjon vetveten: menjëherë pasi që të shfaqet ndonjë provë e re, teoritë e vjetra rishikohen dhe rrëzohen.
“Prandaj mund të ndodhë që kurrë të mos gjendet një përgjigje përfundimtare, e edhe nëse gjendet, rëndom duhet që të kalojnë shumë vjet para se të përcaktohet se nga burojnë sëmundjet e reja”, ka shkruar agjencia gjermane DW.
Profesori Robertson mbështetet në përvojën e tij me hulumtimin e origjinës së HIV-it, virusit të deficiencës imunologjike që e shkakton AIDS-in. HIV kishte rrokur vëmendjen e gjithë botës në vitet tetëdhjetë dhe deri atëherë besohet se ka infektuar 76 milionë njerëz. Pavarësisht hulumtimeve të vazhdueshme, vetëm gjatë mesit të viteve 2000 origjina e virusit doli se ishte e ndërlidhur me shimpanzetë e egra.
Provat ekzistuese mbi SARS-CoV-2 “nuk kanë ndryshuar që nga pranvera e 2020-s”, ka shkruar gazetari që i përcjell çështjet e shkencës, Adam Rogers.
“Këto dëshmi kurrë nuk kanë qenë komplete e mbase as kurrë nuk do të jenë”, ka shkruar ai për revistën “Weird”, ka raportuar Deutsche Welle. \ DW