Një studim i ri gjerman ka treguar se kombinimi i vaksinës AstraZeneca me atë të Pfizer-BioNTech ka nxitur përgjigje theksueshëm më të fortë imunitare sesa në rastet e përdorimit të këtyre kurave veç e veç
Berlin, 11 qershor (DW) – Menjëherë pas miratimit nga Agjencia Evropiane e Barnave në janar, vaksina kundër COVID-19 e kompanisë AstraZeneca u ishte administruar të rriturve në Gjermani. Pas zbulimit se sidomos gratë më të reja të cilat kanë marrë këtë vaksinë përballen me rrezikun e shtuar për mpiksje të rrezikshme të gjakut në tru, Komiteti gjerman për Vaksinim (Stiko) ka rekomanduar në prill kufizimin e përdorimit të AstraZenecas mes personave më të moshuar se 60 vjeç.
Kjo, sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, ka nënkuptuar se një grupi të vogël personash që kishin marrë dozën e parë nga AstraZeneca duhej t’u administroheshin për të dytën herë vaksinat e Pfizerit apo Modernas. Tani, të gjithë të rriturit në Gjermani, pa marrë parasysh moshën, mund të vaksinohen sërish me AstraZeneca, po qe se pacienti dhe mjeku i shqyrtojnë paraprakisht rreziqet nga kura.
Mirëpo, Deutsche Welle ka shkruar se një studim i ri ka treguar që kombinimi i dy vaksinave të ndryshme mund të jetë shumë më i çmueshëm sesa vetëm si opsion emergjent.
Studiuesit në Universitetin Saarland në Gjermaninë Perëndimore kanë mësuar se personat që për dozë të parë kanë marrë AstraZenecan dhe të dytën Pfizer-BioNTechin kanë shfaqur përgjigje imunitare shumë më të fortë sesa pacientët që janë imunizuar me dy doza të njëjta.
Por, a ka ardhur koha që qasja e imunizimit të ndryshohet kah përzierja e vaksinave për të gjithë?
Agjencia gjermane pretendon se jo tamam.
Rezultatet preliminare
Rezultatet e dala nga studimi i Universitetit Saarland janë preliminare dhe ende nuk janë vlerësuar tërësisht në rrafshin shkencor, është bërë e ditur në një njoftim mbi rezultatet e studimit, ka raportuar DW. Para se studiuesit t’i publikojnë zyrtarisht gjetjet e tyre, atyre u duhet ta rishikojnë rolin që e luajnë mosha dhe gjinia e pacientëve, si dhe të hulumtojnë më thellë se cili kombinim mund të nxisë potencialisht efekte më të rënda anësore. Ndonëse të dhënat e plota të hulumtimit nuk janë kompletuar ende, ekipi prapa studimit është befasuar nga rezultatet e qarta.
“Për këtë arsye kemi dashur t’i ndajmë gjetjet tona tani dhe jo ta presim përfundimin e procesit të vlerësimit shkencor”, ka thënë për DW-në Martina Sester, profesoreshë për transplantime dhe imunologji infektive në Universitetin Saarland.
Dhjetëfishi i antitrupave
Kanë qenë 250 persona që kanë marrë pjesë në testimin e ndërmarrë në spitalin universitar të Saarlandit gjatë disa muajve të fundit. Disa prej tyre i kanë marrë që të dy dozat e AstraZenecas, disa dy Pfizer-BioNTech dhe një grup i tretë kanë marrë së pari AstraZenecan e pastaj Pfizerin.
Studiuesit më pas kanë krahasuar fuqinë e përgjigjeve imunitare te marrësit dy javë pas dozës së dytë.
“Nuk e kemi hulumtuar vetëm numrin e antitrupave ndaj koronavirusit që (marrësit) e kanë zhvilluar, por edhe se sa efikas ishin të ashtuquajturit antitrupa neutralizues”, ka shpjeguar Sester. “Kjo na tregon se sa të suksesshëm janë antitrupat në parandalimin e hyrjes së virusit në qelizat tona”, ka transmetuar Deutsche Welle pretendimet e studiueses gjermane.
Në aspektin e zhvillimit të antitrupave, imunizimi i dyfishtë me Pfizer si dhe kombinimi i vaksinimit me AstraZeneca-Pfizer ishte theksueshëm më efikas sesa alternativa me dy doza të AstraZenecas. Pjesëmarrësit që i janë nënshtruar njërit prej dy kombinimeve të para të dozave kanë shfaqur dhjetëfish më shumë antitrupa sesa ata me dy doza të AstraZenecas.
Ndërkaq, në aspektin e antitrupave neutralizues, rezultatet nga përzierja e vaksinave janë dëshmuar si qasje “edhe më e mirë” sesa ajo e dy dozave me Pfizer, ka theksuar Sester, ka raportuar agjencia gjermane.
Për vaksinat që jepen me dy doza, ekspertët shëndetësorë kanë rekomanduar që e dyta të jetë përherë e njëjtë sikurse e para. Meqë nuk ka ndryshime në rekomandimet e rregullatorit për vaksinën Pfizer, ka fare pak raste të njohura të personave që kanë marrë dozën Pfizer para asaj të AstraZenecas.
Përzierja e vaksinave, jo gjithnjë e pranuar
Ani pse rezultatet fillestare janë premtuese, Organizata Botërore e Shëndetësisë ende këshillon kundër kombinimit të vaksinave.
“Deri më tani nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar nëse kjo qasje është e sigurt”, ka thënë më herët zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris.
Në Gjermani, një person konsiderohet tërësisht i imunizuar nëse ka marrë dy doza të së njëjtës vaksinë, sikurse edhe nëse ka matur përzierje të vaksinave. Qeveria gjermane me këtë ka ndjekur udhëzimet e Institutit Paul Ehrlich (PEI).
Megjithëkëtë, i këtillë nuk është rasti në të gjitha vendet. Në Kanada, për shembull, përzierja e vaksinave është e miratuar, përderisa në SHBA studimet janë ende në vazhdim e sipër. Ndërsa në Bashkimin Evropian pritet të shihet nëse kombinimi i vaksinave do të pranohet për pasaportat digjitale të vaksinimit, të planifikuara për të hyrë në fuqi më 1 korrik.
“Nëse rezultatet fillestare avancojnë, kombinimi i AstraZenecas dhe Pfizerit duket të jetë mënyra premtuese për imunizimin e njerëzve ndaj COVID-19”, ka shkruar Deutsche Welle. “Kjo jo për shkak se dy vaksina janë disi të ngjashme. Ato paraqesin dy forma të vaksinës që aktualisht janë në përdorim.”
AstraZeneca është vaksinë tradicionale me vektor. Përdor një version të padëmshëm të një virusi tjetër për të përçuar instruksione në qelizat njerëzore, të cilat mësojnë të ndërtojnë antitrupa ndaj koronavirusit. Nga ana tjetër, ajo e Pfizerit është një vaksinë mARN, një lloj i ri i metodës së imunizimit. Vaksinat mARN i mësojnë qelizat njerëzore se si ta prodhojnë proteinën që në këmbim e nxit përgjigjen imunitare dhe prodhimin e antitrupave.
Studimet nuk kanë informata të mjaftueshme për të ditur se pse kombinimi i këtyre dy vaksinave mund të rezultojë me aktivizimin e imunitetit, ka shkruar DW.
Sesteri nga Universiteti i Saarlandit ka thënë se është në pritje të studimeve të tjera mbi kombinimin e tipave të ndryshëm të vaksinave dhe të ndërveprimit të tyre.
“Besojmë se nëse ekipet e tjera kërkimore dalin me konstatime të ngjashme me të tonat, kombinimi i vaksinave vektor dhe mARN duhet të merret parasysh”, ka theksuar ajo për Deutsche Wellen.