Lifestyle

Ëndrrat e çuditshme na përgatisin për të papriturat

Ëndrrat mund të jenë shumë të çuditshme, por sipas një teorie të re, që po e shpjegon se përse ëndërrojmë, kjo është poenta e tyre. Duke injektuar disa çudira të rastësishme në ekzistencën tonë rutinore, ëndrrat na përgatisin për t’u përballur me të papriturat

Inteligjenca artificiale e ka frymëzuar hipotezën, sipas së cilës truri i njeriut, kur është në gjumë, mundohet t’i shpërfaqë ngjarjet ditore.

Ekziston një skenar mjaft i zakonshëm: hyni në dyqan për të blerë pak qumësht, por kur mbërrini, shishja e qumështit është shndërruar në një peshk që flet. Pastaj, ju kujtohet se i keni marrë rezultatet e testit të matematikës në mëngjes, ndonëse nuk keni pasur orë matematike që gati tri dekada.

Ëndrrat mund të jenë shumë të çuditshme, por sipas një teorie të re, që po e shpjegon se përse ëndërrojmë, kjo është poenta e tyre. Duke injektuar disa çudira të rastësishme në ekzistencën tonë rutinore, ëndrrat na përgatisin për t’u përballur me të papriturat.

Dilema e madhe

Pyetja se pse ëndërrojmë ka kohë që i ka përçarë shkencëtarët. Natyra subjektive e ëndrrave dhe mungesa e ndonjë mjeti për t’i regjistruar, e bën fort të vështirë për të dëshmuar se pse ndodhin, apo edhe se si dallojnë midis individëve.

“Përderisa janë paraqitur hipoteza të ndryshme, shumë prej tyre janë në kundërshtim me natyrën e rrallë, halucinuese dhe narrative të një ëndrre, një natyrë që duket se nuk ka ndonjë funksion të veçantë”, ka thënë Erik Hoel, asistent profesor i neuroshkencës në Universitetin e Tuftsit në Massachusetts, SHBA.

Frymëzuar nga njohuritë e fundit se si mësojnë "rrjetet nervore" të makinës, Hoel ka propozuar një teori alternative: hipotezën e përshtatjes së tepërt të trurit.

Një problem i zakonshëm, kur bëhet fjalë për trajnimin e inteligjencës artificiale, është se ajo familjarizohet shumë me të dhënat mbi të cilat është trajnuar, sepse supozon se kjo hapësirë trajnimi është përfaqësim i përsosur i gjithçkaje që mund të hasë. Shkencëtarët përpiqen ta rregullojnë këtë “përshtatje të tepërt” duke futur pak kaos në të dhëna, në formën e inputeve të zhurmshme.

Hoel sugjeron që truri ynë bën diçka të ngjashme kur ëndërrojmë. Veçanërisht përderisa plakemi, ditët tona bëhen statistikisht shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, që do të thotë se “hapësira jonë e trajnimit” është e kufizuar. Por, nuk mund të injektojmë zhurma në tru përderisa jemi zgjuar, sepse duhet të përqendrohemi në punët që kemi dhe t’i kryejmë ato sa më saktë që të jetë e mundur. Mirëpo, gjumi është çështje tjetër.

Provat

Duke krijuar një version të çuditshëm të botës, ëndrrat mund të ndikojnë që ta kuptojmë atë më thjesht. Sipas Hoelit, ekzistojnë disa prova nga studimet e neuroshkencës që e mbështetin këtë gjë. Për shembull, një nga mënyrat më të mira për ta nxitur trurin për të pasur ëndrrat për diçka që ndodh në jetën reale është që të merreni vazhdimisht me diçka, përderisa jeni zgjuar, p.sh. të skijoni vazhdimisht në një simulator të skive. Aktiviteti i shtuar shkakton këtë fenomen të përshtatjes së tepërt, që do të thotë që truri përpiqet t’i përgjithësojë gjërat duke krijuar ëndrra.

Megjithëse hipoteza e Hoelit ende nuk është testuar, ka përparësi sepse e trajton fenomenologjinë e ëndrrave - veçanërisht përmbajtjen e tyre të rrallë, halucinuese dhe narrative - në vend që ta trajtojë si një nënprodukt të pashpjegueshëm të proceseve të tjera të trurit në sfond. Edhe përjetimi i aktiviteteve që duken se nuk kanë lidhje, por janë fizikisht të ngjashme, mund të ketë përfitime: për shembull, kur ëndërroni se po fluturoni, mund të përmirësohet ekuilibri dhe stabiliteti juaj gjatë vrapimit.

Sipas profesorit Mark Blagrove, që ka studiuar gjumin dhe ëndrrat, sipas kësaj teorie ne i përgjithësojmë gjërat që i mësojmë gjatë ditës.

“Sidoqoftë, sikurse shumë teori që thonë se ëndërrimi ka një funksion, ende nuk ka dëshmi që ëndërrimi është më shumë sesa një epifenomen, një nënprodukt pa funksion i aktivitetit nervor. Kështu që, kjo teori e re mund t’i inkurajojë psikologët dhe neuroshkencëtarët që të organizojnë eksperimente, për të analizuar nëse ëndrrat na ndihmojnë t’i përgjithësojmë gjërat që i kemi mësuar”, ka thënë ai.

Teoritë e ëndrrave

Pyetja se pse ëndërrojmë i ka magjepsur shkencëtarët dhe filozofët për mijëra vjet, por ende nuk kemi një shpjegim të qëndrueshëm se pse ëndërrojmë. Më poshtë janë disa nga teoritë kryesore:

Teoria frojdiane: Sigmund Freud besonte se ëndrrat përfaqësojnë “përmbushje të maskuara të dëshirave të ndrydhura” dhe se përbëhen nga përmbajtja e dukshme dhe e fshehtë. Përmbajtja e dukshme i referohet pamjeve, tingujve dhe historisë së ëndrrës, ndërsa përmbajtja e fshehtë është domethënia simbolike e ëndrrës, që përfaqëson dëshirat e pavetëdijshme të ëndërruesit.

Teoria e konsolidimit të kujtesës: Ndoshta ëndrrat janë thjesht përsëritje e ngjarjeve të kaluara. Ne i konsolidojmë kujtimet tona gjatë gjumit dhe sipas kësaj teorie, ëndrrat janë pasqyrimi i kësaj. Sigurisht, ka dëshmi që sekuencat specifike, që i përjetojmë kur jemi zgjuar, ndonjëherë “rishfaqen” gjatë gjumit.

Teoria e simulimit të rreziqeve: Ëndrrat janë një mekanizëm i lashtë mbrojtës biologjik, i cili na mundëson ta praktikojmë tejkalimin e rreziqeve. Në thelb, ato i sigurojnë ëndërruesit një mjedis realiteti virtual, në të cilin mund të praktikojë aftësi të rëndësishme mbijetese.

Teoria e aktivizimit të sintezës: Ndoshta ëndrrat janë vetëm një varg i rastësishëm i kujtimeve të grumbulluara së bashku. Nëse është kështu, ato mund të na provokojnë të krijojmë lidhje të reja, ose të shkaktojnë epifani krijuese gjersa flemë.

Teoria e empatisë: Ëndrrat mund të mos kenë një funksion, por e fitojnë një të tillë kur i ndajmë me njerëzit e tjerë. Ngjashëm sikur kur ndajmë histori, ëndrrat mund të shërbejnë për të ndërtuar empati midis njerëzve.

Teoria e rregullimit të ndjenjave: Propozon që ëndrrat krijohen nga historia jonë emocionale dhe mund të shërbejnë për të na ndihmuar t’i përpunojmë dhe t’i rregullojmë ndjenjat.