Lifestyle

Anija kozmike e NASA-s niset në Tokë me mostra të asteroidit

Udhëtimi për në shtëpi për gërmuesin robotik “Osiris-Rex” do të zgjasë dy vjet. “Osiris-Rex” kishte mbërritur në asteroidin “Bennu” më 2018 dhe kishte kaluar 2 vjet aty, duke fluturuar afër dhe përreth tij, para se të mblidhte copëza nga sipërfaqja e tij gjatë vjeshtës së shkuar

Duke bartur copëza të një asteroidi, një anije kozmike e NASA-s i ka ndezur motorët dhe ka nisur udhëtimin e saj të gjatë drejt kthimit në Tokë, duke lënë prapa gurin e vjetër hapësinor.

Udhëtimi për në shtëpi për gërmuesin robotik “Osiris-Rex” do të zgjasë dy vjet.

“Osiris-Rex” kishte mbërritur në asteroidin “Bennu” më 2018 dhe kishte kaluar 2 vjet aty, duke fluturuar afër dhe përreth tij, para se të mblidhte copëza nga sipërfaqja e tij gjatë vjeshtës së shkuar.

Shkencëtari kryesor i Universitetit të Arizonas, Dante Lauretta, ka vlerësuar se anija kozmike bart rreth 200 deri në 400 gramë copëza. Megjithëkëtë, lehtë e kishte tejkaluar synimin fillestar për mbledhjen e të paktën 60 gramë mostrave.

Sasia konsiderohet si më e madhja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga koha kur ishin mbledhur mostra gurësh nga sipërfaqja e hënës me anë të anijes kozmike “Apollo”.

Përderisa NASA ka sjellë pluhur të kometës dhe mostra diellore të erës, kjo është hera e parë që do të sjellë pjesë të një asteroidi. Japonia e ka bërë këtë gjë dy herë më herët, porse me sasi më të vogla.

Shkencëtarët e kanë përshkruar nisjen e së hënës nga Bennu si me shije të hidhur në fund.

“Kam qenë duke punuar për ta marr një mostër nga një asteroid qyshkur vajza ime ka qenë në pelena dhe tani është në përfundim të shkollës së mesme, kështu që ka qenë udhëtim i gjatë”, ka thënë shkencëtari i projektit të NASA-s, Jason Dworkin.

Ndërkaq Lauretta ka shtuar: “Ishim mësuar që të jemi në Bennu dhe që të shohim fotografi të reja dhe emocionuese dhe të dhënat të vinin në Tokë te ne”.

“Osiris-Rex” ishte pothuajse afro 300 kilometra nga orbita diellore e Bennus, kur ka ndezur motorët kryesorë të hënën në mesditë, për një largim të shpejtë dhe të pastër.

Kontrollorët e fluturimit në Colorado të anijes kozmike “Lockheed Martin” kanë duartrokitur, në momentin kur ka mbërritur konfirmimi për nisjen e anijes kozmike.

“Po i sjellim mostrat në shtëpi!”, kanë bërtitur ata.

Shkencëtarët shpresojnë që t’i zbulojnë disa prej sekreteve të sistemit diellor nga mostrat e marra tetorin e kaluar nga sipërfaqja e errët, e vrazhdë dhe e pasur me karbon e Bennusë. Asteroidi është vlerësuar se është 490 metra i gjerë dhe ka 4.5 miliardë vjet.

Bennu – i konsideruar si copë e ndarë prej një asteroidi më të madh – besohet se mban blloqet e ruajtura të ndërtimit të sistemit diellor. Copëzat që do të vijnë në Tokë do të mund të hedhin dritë në çështjen se si janë krijuar planetët dhe se si ka lindur jeta në Tokë.

Ndonëse asteroidi është 287 milionë kilometra larg, “Osiris-Rex” do të vendosë edhe 2.3 miliardë kilometra në odometrin e tij për të arritur në Tokë.

Anija kozmike me madhësi të një veture SUV do të sillet përreth diellit dy herë para se ta dërgojë kapsulën e vogël me mostra në sipërfaqen e shkretëtirës së Utah, më 24 shtator të vitit 2023, për t’i dhënë fund kështu misionit me vlerë prej më shumë se 800 milionë dollarësh.

Ajo ishte nisur nga Cape Canaveral në vitin 2016.

Mostrat e vlefshme do të vendosen në një laborator të ri që po ndërtohet në Qendrën Hapësinore të NASA-s “Johnson” në Houston, tashmë shtëpi e materialit hënor që është mbledhur nga personat që kanë shkelur në Hënë nga misioni “Apollo 12” prej vitit 1969 deri më 1972.

Shkencëtarët fillimisht kishin menduar se anija kozmike kishte mbledhur 1 kilogram copëza nga asteroidi, por më së fundi kishin korrigjuar vlerësimin e tyre. Nuk do ta dinë me siguri se sa shumë ka në anije derisa kapsula të hapet pas arritjes në Tokë.

“Çdo pjesë e mostrës është e vlefshme”, ka thënë Dworkin. “Duhet të jemi të durueshëm”.

NASA ka planifikuar shumë projekte të tjera për asteroid.

E caktuar që të nisej në tetor, një anije e quajtur “Lucy” do të fluturojë nëpër tufat e asteroideve afër Jupiterit, kurse një anije e njohur me emrin “Dart” do të niset në nëntor si një përpjekje për ta ridrejtuar një asteroid, në kuadër të një testi planetar për mbrojtje.

Më pas, në vitin 2022, anija kozmike “Psyche” do të niset drejt një asteroidi metalik që mban emrin e njëjtë. Megjithëkëtë, në asnjërën prej këtyre misioneve nuk përfshihet marrja e mostrave.