Lifestyle

Mukormikoza, sëmundja që po i gjymton pacientët me COVID në Indi

Të shtunën në mëngjes, mjeku Akshay Nair, një kirurg i syve nga Mumbai, po priste të operonte një grua 25-vjeçare që ishte rikuperuar nga COVID-19 tri javë më parë.

Më herët një specialist i sëmundjes së veshit, hundës dhe fytit kishte intervenuar te pacientja me diabet.

Ai kishte vendosur një gyp në hundën e saj për të larguar indet të infektuara me mukormikozë, një infeksion i rrallë, por i rrezikshëm. Ky infeksion agresiv prek hundën, syrin dhe nganjëherë trurin.

Pasi kolegu i tij përfundoi punën, mjeku Nair bëri një ndërhyrje triorëshe për të hequr syrin e pacientes.

“Jam duke ia hequr syrin për t’ia shpëtuar jetën. Kështu funksionon kjo sëmundje”, thotë Nair.

Në kohën kur vala e dytë e pandemisë COVID-19 ka rrënuar Indinë, mjekët po përballen edhe me raste në rritje të infeksionit të rrallë – të njohur si “kërpudha e zezë” – në mesin e pacientëve që janë rikuperuar nga COVID-19.

Mjekët po besojnë se mukormikoza, e cila ka një nivel të vdekshmërisë afro 50 për qind, mund të shkaktohet nga përdorimi i steroidëve, një trajtim që shpëton jetët e pacientëve të sëmurë rëndë nga COVID-19.

Steroidët reduktojnë inflamacionin në mushkëri nga COVID-19 dhe duket se ndihmojnë në ndalimin e disa dëmtimeve që mund të ndodhin kur sistemi imunitar i trupit kalon në mbingarkesë për të luftuar koronavirusin. Por, reduktojnë edhe imunitetin dhe rrisin nivelin e sheqerit në gjal si te diabetikët ashtu edhe te pacientët jo-diabetikë me COVID-19.

Mendohet se rënia e imunitetit mund të shkaktojnë në disa raste mukormikozë.

Mjeku Nair, që punon në Mumbai, ka thënë se ka parë rreth 40 pacientë të vuajnë nga ky infeksion kërpudhorë në prill. Shumica ishin me diabetë dhe ishin rikuperuar nga COVID-19. 11 prej tyre u desh të operoheshin në sy.

Në mes të dhjetorit dhe shkurtit, gjashtë nga kolegët e tij në pesë qytete, kanë raportuar 58 raste të infeksionit. Shumica e pacientëve e kishin marrë infeksionin 12 deri 15 ditë pas rikuperimit nga COVID-19.

Spitali “Sion” në Mumbai ka raportuar 24 raste të infeksionit të tillë në dy muajt e fundit, krahasuar nga gjashtë raste në vit sa ka zakonisht. Në 11 prej tyre u desh të bëhej ndërhyrje në sy, ndërsa gjashtë vdiqën.

“Ne jemi duke parë dy apo tri raste në javë këtu. Është makth në një kohë pandemie”, thotë mjekja Renuka Bradoo, që drejton repartin e ORL-së në këtë spital.

Mjekët janë befasuar me përhapjen e rasteve të infeksionit gjatë valës së dytë të pandemisë, krahasuar me numrat sa ishin gjatë valës së parë.

Mjeku Nair thotë se nuk ka parë më tepër se 10 raste në Mumbai në dy vitet e fundit.

“Këtë vit është diçka më ndryshe”, thotë ai.