Lifestyle

“Pfizer” nis testimin e pilulës eksperimentale kundër COVID-19

Descriptive Text

Studiuesit kanë pretenduar se pilula mund të shndërrohet në “kurën e parë nga shtëpi për COVID-19” – që mund të jetë gati për përdorim më vonë gjatë këtij viti

Me dhjetëra vullnetarë janë përfshirë në një testim fillestar për pilulën, rreth së cilës kompania farmaceutike “Pfizer” ka pretenduar se synon që të bëhet kura e ardhshme ndaj COVID-19, që mund të jetë e qasshme më vonë gjatë këtij viti.

Testimi i këtij ilaçi është duke u zhvilluar në dy qendra të “Pfizerit”, njëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra në Belgjikë, ndërkaq do të përfshijë më shumë se 60 vullnetarë të moshave prej 18 deri 60-vjeçare.

Testimi do të ndahet në tri faza me një interval të ndërmjetëm kohor prej 145 ditës, plus 28 ditë të tjera për gjurmimin e “skanimit dhe dozimit”, është bërë e ditur në raportin e kompanisë.

“Nëse do të lëvizet drejt fazës së re, atëherë kemi gjasa për optimizëm”, ka thënë profesoresha Penny Ward, pjesë e departamentit për mjekësi farmaceutike në Kolegjin Mbretëror të Londrës. “Çështja do të jetë se si do të përballohet ilaç”, ka shtuar Ward për të përditshmen britanike “Telegraph”.

Ward kishte ndihmuar më herët në zhvillimin e ilaçit Tamil, një antiviral ky për trajtimin e gripit.

“Faza e parë e testimit ka të bëjë me vrojtimin se sa mirë tolerohet ilaçi i ri dhe nëse ekzistojnë efekte anësore domethënëse si dhe se si ndihen njerëzit pasi që e marrin atë”, është bërë e ditur në një dokument të “Pfizerit”, të cituar nga gazeta britanike.

Faza pasuese do të përfshijë marrjen e disa dozave të ilaçit, teksa ajo e treta do ta vrojtojë ndikimin e konsumimit të ushqimit në të njëjtën kohë me marrjen e ilaçit.

Vullnetarët janë paralajmëruar se ilaçi deri më tani është testuar vetëm te kafshët, thuhet në dokumentin e kompanisë.

“Siguria e ilaçit të studiuar është testuar vetëm te kafshët. Te këto kafshë nuk janë identifikuar rreziqe të theksueshme apo shqetësime të sigurisë, ndërsa ilaçi i studiuar nuk ka gjeneruar efekte anësore në asnjërin nivel të dozimit, që është përdorur në studimet klinike”, thuhet më tutje në dokument.

Po qe se testimet nuk gjenerojnë ndonjë efekt anësor, ilaçi më pas do të mund të testohej te ata që i janë ekspozuar koronavirusit.

Në epiqendër të kërkimit është një molekulë antiviruale e gjeneruar prej njeriut – PF 07321332 – një proteinë kjo bazë, e cila e parandalon riprodhimin e virusit në hunë, fyt dhe mushkëri.

Mikael Dolsten, zyrtari kryesor shkencor dhe kryetar i kërkimeve mbarëbotërore në “Pfizer”, ka thënë në një deklaratë zyrtare muajin e shkuar se molekula ishte dizajnuar “si një terapi potenciale orale që mund të përshkruhet në shenjat e para të infeksionit, pa kërkuar hospitalizimin e pacientit apo përkujdesjen klinike”.

Ndërkaq, Ward ka tërhequr vërejtjen se edhe në rast të suksesit, ilaçi do të nevojitej që të zhvillohej tërësisht dhe t’i bëhet i gatshëm përdorimit publik me një çmim të arsyeshëm teksa koronavirusi ende është duke përbërë një kërcënim të theksueshëm shëndetësore.

“Është kjo një garë kundër kohës”, ka theksuar ajo.

“Pfizeri”, bashkë me partnerin e saj “BioNTech”, tanimë kanë prodhuar një vaksinë kundër COVID-19 që është dëshmuar mbi 95 për qind efikase dhe është vënë në epiqendër të inokulimit masiv në Izrael. Deri më tani, më shumë se gjysma e popullatës së Izraelit ka marrë që të dy dozat e nevojshme të kësaj vaksinë, duke e bërë shtetin hebraik lider botëror në vaksinimin për kokë banori. \ Telegraph