Lifestyle

Çfarë dihet për vaksinën nga “AstraZeneca” dhe mpiksjen e gjakut

Në disa raste të rralla, reagimi imunitar ka çuar në antitrupa që shkaktuan një çrregullim serioz të mpiksjes. Por, sipas ekspertëve të shëndetit publik, ka më shumë përfitime nga vaksina sesa rreziqe për shumicën e njerëzve

Vaksina “AstraZeneca-Oxford” është vendosur kundër COVID-19 në të paktën 115 vende, në disa prej tyre tanimë qe disa muaj. Por kur u shfaqën disa raste të një çrregullimi të rrallë të mpiksjes së gjakut – disa edhe fatale - brenda muajit të kaluar, shumë shtete evropiane filluan ta rimendojnë përdorimin e saj te të gjitha grupmoshat.

Disa prej këtyre shteteve, të pajisura mirë me vaksina alternative, tani e kanë kufizuar përdorimin e vaksinës nga “AstraZeneca-Oxford” te të moshuarit dhe disa e kanë ndaluar përdorimin e saj plotësisht. Gjersa numri i këtyre çrregullimeve të mpiksjes është jashtëzakonisht i ulët, rregullatorët dhe studiuesit po përpiqen ta rrisin ndërgjegjësimin e publikut për simptoma të caktuara - ku përfshihen kokëdhimbja, ënjtja e këmbëve dhe dhimbjet e barkut - veçanërisht te të rinjtë që janë vaksinuar.

Megjithëkëtë ekspertët e shëndetit publik kanë shprehur drojën se lajmet rreth reagimeve të rralla të lidhura me vaksinat do ta ushqejnë ngurrimin, që është problem i veçantë në Evropë. Ata vazhdojnë të theksojnë se përfitimet e vaksinës “AstraZeneca-Oxford” i tejkalojnë rreziqet. Në shumë vende, është e vetmja vaksinë e disponueshme.

Më poshtë gjeni disa pyetje që po bëhen vazhdimisht.

Çfarë është mpiksja e gjakut dhe çka e shkakton përgjithësisht?

Mpiksja e gjakut është copë gjaku e trashë, xhelatinoze që mund ta bllokojë qarkullimin. Mpiksjet formohen si reagim ndaj lëndimeve dhe gjithashtu mund të shkaktohen nga shumë sëmundje, duke përfshirë kancerin dhe çrregullimet gjenetike, nga ilaçe të caktuara dhe ulja e zgjatur ose pushimi në shtrat. Vetë COVID-19 mund të shkaktojë probleme serioze të mpiksjes. Mpiksjet që formohen në këmbë ndonjëherë udhëtojnë deri në mushkëri ose, rrallëherë, në tru, ku mund të jenë vdekjeprurëse.

Mpiksjet në marrësit e vaksinës “AstraZeneca-Oxford” e kanë shtuar shqetësimin për shkak të plejadës së tyre të pazakontë të simptomave: bllokime në venat kryesore, zakonisht ato që kullojnë gjak nga truri, të kombinuara me numër të ulët të trombociteve. Trombocitet janë përbërës të gjakut që përfshihen në mpiksje.

Studiuesit në Gjermani dhe Norvegji zbuluan se marrësit e vaksinave që zhvilluan çrregullimin e mpiksjes kishin prodhuar antitrupa që i aktivizuan trombocitet dhe çuan në mpiksje. Shkencëtarët sugjeruan ta emërtonin reagimin e pazakontë "trombocitopeninë imune e shkaktuar nga vaksinat", ose shkurt VITT.

Deri më tani, studiuesit evropianë nuk kanë identifikuar ndonjë gjendje themelore shëndetësore në mesin e marrësve të vaksinave, që zhvilluan probleme të rënda të mpiksjes, që do të ndihmonin për ta shpjeguar ndjeshmërinë e tyre.

Disa zyrtarë shëndetësorë kanë thënë se duket se të rinjtë janë në rrezik pak më të lartë nga mpiksjet. Për shkak se ata gjithashtu kanë më pak të ngjarë që të zhvillojnë COVID të rëndë, kanë thënë rregullatorët. Çdo vaksinë që i jepet asaj grupmoshe duhet ta kalojë një shirit më të lartë sigurie.

Sa është shpeshtësia e rasteve të pazakonta në Evropë?

Deri më 4 prill, rregullatorët evropianë kishin pranuar raporte ku thuhej se ishin paraqitur 222 raste të problemit të rrallë të mpiksjes së gjakut në Britani dhe Zonën Ekonomike Evropiane me 30 shtete (Bashkimi Evropian dhe Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni). Sipas tyre rreth 34 milionë njerëz në ato vende e kishin marrë vaksinën “AstraZeneca” dhe se problemet e mpiksjes po shfaqeshin me një normë prej rreth një në 100.000 marrës.

Rregullatorët evropianë kanë thënë që deri më 22 mars kishin bërë shqyrtime të hollësishme të 86 rasteve, 18 prej të cilave ishin fatale. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë kanë përshkruar një numër disi më të ulët të rasteve, mbase si rezultat i fillimit të përdorimit të vaksinës te të moshuarit, të cilët sipas tyre duket se janë më pak të ndjeshëm.

Por ata këtë javë ofruan prova që rreziku i pranimit në kujdesin intensiv me COVID tejkaloi rreziqet e mpiksjes së gjakut në pothuajse çdo skenar të mundshëm. I vetmi grup për të cilin kanë thënë se rreziku i problemeve të mpiksjes tejkalon atë të pranimeve të kujdesit intensiv ishin njerëzit nën 30-vjeç, që jetonin në një vend me shifra të ulëta të rasteve me COVID. Njerëzit e të gjitha moshave me një rrezik mesatar ose të lartë të ekspozimit ndaj COVID kishin më shumë gjasa të kishin probleme serioze shëndetësore nga infektimi me virusin, sesa nga dhënia e vaksinës, kanë thënë ata.

Çfarë veprimesh po ndërmarrin shtetet?

Gjermania, Holanda, Filipinet, Portugalia dhe Spanja kanë rekomanduar që vaksina “AstraZeneca” t'u jepet vetëm njerëzve mbi 60 vjeç. Kanadaja dhe Franca e kanë ulur në mbi 55 vjeç; Australia, mbi 50 vjeç dhe Belgjika mbi 56. Britania, ku u krijua vaksina “AstraZeneca”, ka qenë mbrojtësi i saj më i vendosur, por të mërkurën ka njoftuar se do të fillonte të ofronte vaksina për nën 30-vjeçarët. Danimarka dhe Norvegjia e kanë ndaluar përdorimin e vaksinës dhe Republika Demokratike e Kongos e ka shtyrë fillimin e programit të saj të inokulimit.

Vaksinimi i plotë me vaksinën “AstraZeneca” kërkon dy doza, por rregullatorët në Francë kanë rekomanduar që njerëzit nën 55 vjeç, që kanë marrë një dozë, të marrin një vaksinë tjetër si dozë të dytë. Zyrtarët shëndetësorë gjermanë kanë rekomanduar të njëjtën gjë për njerëzit nën 60 vjeç. Vaksina “AstraZeneca” nuk është autorizuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara, por kompania ka thënë se do të kërkojë rishikim nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve. Të mërkurën, Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se etiketimi i vaksinës duhet të rishikohet për të përfshirë çrregullimin e mpiksjes si një efekt anësor "shumë të rrallë" të vaksinës.

Sa të zakonshme janë mpiksjet e gjakut?

Në Shtetet e Bashkuara, 300.000 deri në 600.000 njerëz në vit kanë mpiksje gjaku në mushkëri ose në venat e këmbëve ose në pjesë të tjera të trupit, sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve. Bazuar në këto të dhëna, rreth 1.000 deri në 2.000 mpiksje gjaku ndodhin në popullsinë e SHBA-së çdo ditë. Me disa miliona njerëz të vaksinuar në ditë, disa nga ato mpiksje do të ndodhin tek ata që e marrin vaksinën, si pjesë e shifrave normale, që nuk kanë lidhje me vaksinën.

Në Britani, rregullatorët kanë thënë se afërsisht një në 1.000 njerëz preken nga një mpiksje gjaku në venë çdo vit.

Por ekspertët mjekësorë kanë thënë se ishte më e vështirë të dallohej niveli tipik i prapavijës së rasteve më të pazakonta të mpiksjes që janë vërejtur në një numër të vogël të marrësve të vaksinës “AstraZeneca-Oxford”. Tromboza venoze cerebrale, ose mpiksja në tru, jo gjithmonë është diagnostikuar mirë, kanë thënë studiuesit.

Mirëpo, studiuesit gjermanë kanë thënë se ato mpiksje po shfaqeshin më shpesh te marrësit e vaksinës “AstraZeneca-Oxford” sesa që do të pritej te njerëzit që nuk e kishin marrë vaksinën.

Çfarë simptoma duhet të kërkojnë mjekët?

Rregullatorët evropianë kishin rekomanduar që marrësit e vaksinës të kërkojnë ndihmë mjekësore për një numër simptomash të mundshme, përfshirë ënjtjen e këmbëve, dhimbjet e vazhdueshme të barkut, kokëdhimbjet e forta dhe të vazhdueshme ose të parë të paqartë dhe njolla të vogla të gjakut nën lëkurë përtej zonës ku injeksioni është dhënë.

Por ai grup i simptomave ishte aq i paqartë sa pothuajse menjëherë, dhomat britanike të emergjencës patën shtim të pacientëve, që shqetësoheshin se i përshtateshin përshkrimit. Për këtë arsyeje disa mjekë të emergjencës kanë kërkuar udhëzime më kryesore se si t’i trajtojnë ato që i përshkruajnë si vizita kryesisht të panevojshme në spital.

Studiuesit gjermanë kanë përshkruar teste të specializuara të gjakut që mund të përdoren për të diagnostikuar çrregullimin dhe sugjeruan trajtimin me një produkt gjaku të quajtur globulin imunitar intravenoz, i cili përdoret për të trajtuar çrregullime të ndryshme të imunitetit.

Ilaçet e quajtura antikoaguluese, ose holluese të gjakut, gjithashtu mund të përdoren, por jo një që zakonisht përdoret - heparini - sepse gjendja e lidhur me vaksinën është shumë e ngjashme me atë që ndodh, rrallëherë, te njerëzit që u jepet heparin.

 A shkaktojnë vaksinat e tjera çrregullime të tjera të gjakderdhjes?

Vaksinat e tjera, veçanërisht ato që u janë dhënë fëmijëve për fruth, shyta dhe rubeolë, janë lidhur me nivele të ulura përkohësisht të trombociteve, një përbërës gjaku thelbësor për mpiksje.

Nivelet e ulura të trombociteve janë raportuar te një numër i vogël i pacientëve, që kanë marrë vaksinat nga “Moderna”, “Pfizer-BioNTech” dhe “AstraZeneca”. Një nga marrësit e vaksinës, një mjek në Florida, vdiq nga një hemorragji në tru, kur nivelet e trombociteve nuk mund të riktheheshin dhe disa të tjerë janë shtruar në spital. Zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë thënë se rastet po hetohen, por nuk kanë raportuar zbulimet e atyre analizave dhe ende nuk kanë treguar se ka ndonjë lidhje me vaksinat.

Çfarë ndikimi ka pasur në Evropë?

Menjëherë pasi shqetësimet për siguri u shfaqën muajin e kaluar, sondazhet filluan të tregojnë se në Gjermani, Francë dhe Spanjë, një shumicë e njerëzve dyshuan në sigurinë e vaksinës “AstraZeneca-Oxford”.

Në të gjithë Evropën, 64 për qind e dozave të dorëzuara të vaksinës “AstraZeneca” janë injektuar në krahët e njerëzve, dukshëm shifër më e ulët se e vaksinave të tjera.

Por shtet evropiane kanë qenë në gjendje t'i rezistojnë kufizimit të përdorimit të vaksinës sepse ata kanë blerë vaksina edhe nga prodhuesit e tjerë. Bashkimi Evropian po pret ardhjen e 360 milionë dozave të vaksinave gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Pjesa më e madhe e tyre janë të vaksinës “Pfizer-BioNTech”, e cila po bëhet një pjesë më e madhe e shpërndarjes së vaksinave në kontinent.

Dhe në shumë raste, evropianët që kanë të drejtë ta marrin vaksinën “AstraZeneca-Oxford” ishin të interesuar për ta marrë. Për shembull Gjermania, ku vaksina rekomandohet vetëm për njerëzit mbi 60 vjeç, ka filluar vaksinim më të shpejtë qëkur u vendosën masat e reja.