Lifestyle

Pse janë të vaksinuarit ndaj gripit më rezistues kundër COVID-19?

Personat, të cilët kanë qenë të vaksinuar kundër gripit, preken më rrallë nga COVID-19 dhe priren që të sëmuren më lehtë. A është kjo për shkak se personat e vaksinuar janë më të kujdesshëm apo ekzistojnë shpjegime mjekësore për një gjë të tillë?

A ofron vaksinimi kundër gripit ndonjë mbrojtje ndaj COVID-19? Nëse po, pse?

Këto janë pyetje që profesionistët shëndetësorë janë duke i shtruar, pasi që një ekip mjekësh, i prirë nga Anna Conlon prej Universitetit të Michiganit, ka ardhur deri në disa konstatime interesante me rastin e një studimi të fundit, të publikuar në revistën “American Journal of Infection Control”.

Mjekët me këtë rast i kanë kontrolluar të dhënat shëndetësore të 27.201 banorëve të Michiganit, të cilët i janë nënshtruar testimit për COVID-19 para 15 korrikut të 2020-s. Nga mesi i tyre, 12.997 ishin vaksinuar më herët kundër gripit sezonal.

Studimi ka treguar se proporcioni i personave të vaksinuar kundër gripit, të cilët janë infektuar me koronavirus ishte dukshëm më i ulët sesa në mesin e atyre që më herët nuk ishin vaksinuar, 4 për qind krahasuar me 4.9 për qind. Pos kësaj, pacientët e vaksinuar kanë shfaqur tendenca më të pakta për të kërkuar hospitalizim apo trajtim me ventilator shkaku i infeksionit me koronavirus, dhe qëndrimet e tyre në spital ishin mesatarisht më të shkurtra.

Megjithëkëtë, nuk ekzistonte ndonjë dallim i theksueshëm në shkallën e mortalitetit midis dy grupeve krahasimore.

Cili është ndikimi?

Pyetja vendimtare për mjekët është nëse ekziston ndonjë shpjegim mjekësor apo mikrobiologjik për këto rezultate. Fjala me këtë rast mund të jetë, për shembull, te mbrojtja e lindur imunitare, e cila mbase është aktivizuar nëpërmjet vaksinimit kundër gripit. Mbrojtja imunitare funksionon në mënyrë të pavarur prej imunitetit të mësuar të antitrupave, të cilët fillimisht e marrin në shënjestër proteinën karakteristike majë kur e luftojnë COVID-19, kësisoj dhe e bëjnë virusin të padëmshëm.

Për dallim prej kësaj, mbrojtja e lindur imunitare, e cila mund të stimulohet nga vaksinimi, konsiston me një numër elementesh të ndryshme që reagojnë përgjithësisht ndaj infeksioneve, jo ndonjë virusi specifik. Kjo ushtri në pritje e mbrojtjes imunitare përfshinë, për shembull, fagocitet dhe qelizat e degëzuara (qeliza këto të cilat i gëlltisin grimcat e dëmshme të huaja), por edhe citokinat e ndryshme (proteina këto që luajnë rol në reagimin imunitar dhe në proceset inflamatore), si dhe leukocitet T dhe B (qelizat e bardha të gjakut).

Disa vaksinime janë përgjithësisht të mira për aktivizimin e mbrojtjes imunitare, siç është rasti, për shembull, te personat e vaksinuar kundër fruthit. Studimet epidemiologjike kanë treguar vite më parë se fëmijët e vaksinuar kanë ende imunitet më të fortë karshi një mori patogjenësh dhe atë për një kohë bukur të gjatë që pas vaksinimit, sesa në mesin e fëmijëve të pavaksinuar.

Korrelacioni?

Është gjithashtu e mundshme që një numër më i paktë i personave të vaksinuar ndaj grupit janë prekur nga COVID-19 thjeshtë për shkak se ata ishin më të kujdesshëm sesa personat e pavaksinuar. Më shumë persona nga mesi i grupeve më të rrezikuara, si të moshuarit dhe personat me sëmundje të tjera shoqëruese, rëndom vaksinohen më shpesh kundër grupit sesa të rinjtë dhe të shëndetshmit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, shumë të moshuar dhe të pensionuar janë izoluar vullnetarisht në fillim të vitit të shkuar, derisa të tjerët ende dalin jashtë.

Sidoqoftë, ekzistojnë dy indikacione kundër një korrelacioni të tillë: Të moshuarit rëndom shfaqin rrjedhë më të rëndë të sëmundjes COVID-19, i cili nuk ka qenë rasti mes atyre që ishin vaksinuar kundër gripit dhe të përfshirë në studimin e Michiganit.

Studimi i vitit të shkuar, i cili ende nuk i është nënshtruar rishikimit, aludon gjithashtu për një shpjegim më imunologjik. Në mesin e nëpunësve të një spitali holandez, të cilët kanë marrë vaksinën kundër grupit para sezonit të gripit 2019-2020, rastet me COVID-19 janë shfaqur dukshëm më rrallë sesa në mesin e tyre që nuk ishin vaksinuar. Dhe nuk kishte të moshuar mbi 70 vjeç në asnjërin prej këtyre dy grupeve. \ DW