Lifestyle

Antitrupat zgjasin gjashtë muaj pas infektimit me koronavirus

Studimi ka treguar se personat më të rinj në moshë - 13.5 për qind mes atyre të moshës nën 30-vjeçare – kishin antitrupa më të detektueshëm sesa të moshuarit - 6.7 për qind mes atyre mbi 70 vjeç

Londër, 4 shkurt (AP) – Një trup britanik i hulumtimeve biomjekësore ka bërë të ditur të enjten se antitrupat e COVID-19 qëndrojnë në trupin e personave të shëruar gjashtë muaj pas infektimit, ka treguar një studim i ri.

“UK Biobank” ka studiuar mostrat e gjakut të më shumë se 20.000 pjesëmarrësve, të cilët ishin rikuperuar nga koronavirusi, dhe ka zbuluar se 99 për qind të tyre antitrupat ndaj virusit kanë zgjatur për tre muaj radhazi, ndërsa në 88 për qind të rasteve për gjashtë muaj.

Duke folur për transmetuesin britanik “ITN”, shkencëtarja kryesore e “UK Biobank”, profesoresha Naomi Allen, i ka quajtur rezultatet e studimit “një lajm i mirë”.

Allen ka thënë megjithatë se dyshon që bartja e virusit në mesin e atyre që kanë antitrupa, pas infeksionit të natyrshëm, mundet të reduktohet, siç kanë sugjeruar gjetjet preliminare nga studimi i vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”.

Image

Megjithëkëtë, ka shtuar ajo, “përgjigjja më e sinqertë është se nuk e dimë këtë gjë me siguri të plotë”.

Studimi ka treguar se personat më të rinj në moshë - 13.5 për qind mes atyre të moshës nën 30-vjeçare – kishin antitrupa më të detektueshëm sesa të moshuarit - 6.7 për qind mes atyre mbi 70 vjeç.

Simptoma më e zakonshme e ndërlidhur me praninë e antitrupave të koronavirusit ishte ajo e humbjes së shqisës së të shijuarit dhe nuhatjes, e cila ishte raportuar në mesin e 43 për qind të pjesëmarrësve sero-pozitivë.

Rreth një e katërta e pjesëmarrësve sero-pozitivë (24 për qind) ishin tërësisht asimptomatikë gjatë sëmundjes, ndërsa 40 për qind nuk kishin përjetuar njërën prej tri simptomave të zakonshme të COVID-19: ethet, kollën e thatë dhe të vazhdueshme apo humbje e shqisës së shijimit dhe nuhatjes.

Britania e Madhe ka aktualisht 3 milionë e 882 mijë e 972 raste të raportuara të infektimit me koronavirus dhe 109 mijë e 547 vdekje të ndërlidhura me COVID-19.