Lifestyle

“Chanel” e prezantoi koleksionin e ri në një kështjellë të Francës

Në prezencën e vetëm një personi në publik, aktores Kristen Stewart, njëherësh ambasadore e fushatës reklamuese e shtëpisë së njohur franceze të modës “Chanel”, u prezantua koleksioni më i ri “Metiers D’art 2020/2021”.

Edhe pse kohëve të fundit disa shtëpi mode dhe disenjatorë kishin filluar t’i kthejnë sfilatat me publik në sallë, për shkak të vëndosjes së rregullave të reja të sigurisë shkaku i pandemisë në Francë, “Chanel” ka vendosur që koleksionin e ri ta preznatojë në formatin online, me një shou artistik dhe inspirues i cili zuri vend në kështjellën e shekullit 16-të, “Chateau de Chenonceau”.

Koleksisoni i krijuar nga disenjatorja Virginie Viard, e cila erdhi në krye të “Chanel” pas vdekjes së Karl Lagerfeldit, përfshinte veshje elegante, glamuroze të inspiruara nga periudha e Rilindjes, e të cilat ishin modernizuar me ndihmën e aksesorëve të ndryshëm.

Modelet parakaluan në korridorin e kështjellës “Chateau de Chenonceau” ndryshe e njohur edhe si “Kështjella e zonjave”, e cila është krijuar sipas grave që kanë jetuar në të, përfshirë këtu fisniken, Diane de Poitiers, e cila ishte edhe dashnorja e mbretit Henry II, dhe Catherine de Medici, e veja e mbretit.

Aktorja amerikane Kristen Stewart, një prej fytyrave reklauese të shtëpisë së modës “Chanel”, e ndoqi sfilatën e vetme në sallë, derisa publiku i gjerë pati mundësi ta shikojë atë online.