Lifestyle

Studimi “identifikon” dëmtimet afatgjate në mushkëritë e pacientëve me COVID-19

Sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri mund të shkaktojë anormalitete të këtilla në mushkëri saqë dëmtimet prej tij mund të vërehen edhe më shumë se tre muaj, pasi që pacientët infektohen dhe shërohen, kanë sugjeruar studiuesit.

Një studim i kryer me dhjetë pacientë nga shkencëtarët e Universitetit të Oxfordit ka përdorur një teknikë të re të fotografimit për ta identifikuar dëmin që nuk vërehet nga fotografimet tradicionale.

Ai përdor një gaz të quajtur ksenon gjatë fotografimeve MRI për të marrë fotografi të dëmit në mushkëri. Ekspertët e mushkërive kanë thënë se një test që mund ta vërejë dëmin afatgjatë do të mund të bënte dallimin e madh tek pacientët me COVID-19.

Teknika e ksenonit kryhet përderisa pacientët e thithin gazin gjatë një fotografimi të rezonancës magnetike.

Profesori Fergus Gleeson, i cili e udhëhoqi studimin, ka provuar këtë teknikë të fotografimit tek dhjetë pacientë të moshave prej 19 deri 69-vjeçare.

Tetë prej tyre kanë pasur vështirësi në frymëmarrje dhe plogështi tre muaj, pasi janë infektuar me koronavirus, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka qenë i shtruar në repartin e kujdesit intensiv e as nuk ka pasur nevojë për ventilator. Mirëpo fotografimet tradicionale nuk kanë vërejtur kurrfarë problemi në mushkëritë e tyre.

Fotografimet kanë treguar shenja të dëmtimit të mushkërive – duke i theksuar zonat ku ajri nuk po rridhte lirshëm në gjak – në tetëshen që kanë pasur probleme me frymëmarrje.

Rezultatet e kanë nxitur profesorin Gleeson që ta planifikojë një studim me rreth 100 njerëz për të parë nëse e njëjta vlen për njerëzit që nuk kanë qenë të shtruar në spital dhe nuk kanë pasur simptoma aq serioze. Ai është duke planifikuar bashkëpunimin me mjekët për t’i fotografuar njerëzit që kanë dalë pozitivë me COVID-19, duke i përfshirë në këtë mes disa grupmosha.

Ndërrimi i qëllimit

“Qëllimi është që të zbulojmë nëse dëmtimi në mushkëri ndodh dhe po qe se ndodh, a është i përhershëm apo kalon me kohë”, ka thënë Gleeson. “Kam pritur se do të ketë njëfarë dëmi në mushkëri, por jo në shkallën që e kemi parë”.

Rreziku për t’u sëmurë rëndë dhe për vdekjen shtohen dukshëm tek personat mbi moshën 60-vjeçare. Por në rast se studimi zbulon se dëmi në mushkëri ndodh vetëm në një grupmoshë të caktuar dhe madje edhe tek ata që nuk kanë nevojë të shtrohen në spital, atëherë do të kalojmë tek një qëllim tjetër”, ka shtuar ai.

Gleeson beson se dëmi në mushkëri, i identifikuar nga fotografimet ksenon, mund të jetë një nga faktorët që qëndron prapa atij që njihet si “COVID-i i gjatë”, i cili përfshin personat që vazhdojnë të mos ndihen mirë për muaj me radhë pas infektimit. Teknika e fotografimit është krijuar nga një grup studimor në Universitetin e Sheffieldit, i udhëhequr nga profesori James Wild, i cili ka thënë se ka ofruar një mënyrë “unike” për ta treguar dëmin në mushkëri, të shkaktuar nga infektimi me COVID-19 dhe efektet pas tij.

“Në të tjerat sëmundje fibrotike të mushkërive kemi treguar se metodat janë shumë të ndjeshme ndaj këtij dëmtimi dhe shpresojmë se puna jonë do të mund të ndihmojë ta kuptojmë sëmundjen e mushkërive COVID-19”, ka thënë ai.

Mjekia Shelley Hayles, e cila vepron në Oxford dhe është përfshirë për të ndihmuar organizimin e studimit, beson se deri në 10 për qind e atyre që kanë pasur sëmundjen COVID-19 mund të kenë ndonjë formë të dëmit në mushkëri që mund të prodhojë simptoma afatgjata.

“Tani jemi në një kohë kur më shumë se një çerek milioni njerëz janë infektuar dhe 10 për qind e kësaj do të thotë shumë njerëz”, ka thënë ajo. “Kur stafi mjekësor u thotë pacientëve se nuk e dinë se çfarë nuk po shkon me ta dhe nuk dinë se si të merren me simptomat, është shumë stresuese. Shumica e pacientëve, edhe nëse lajmet nuk janë të mëdha, duan ta dinë diagnozën”.

“Më mirë ta di”

Kjo vlen për Tim Clayden, i cila e kaloi ditëlindjen e 60-të në spitalin “John Radcliffe” në Oxford me simptoma shumë serioze të COVID-it, madje aq saqë mendonte se do të vdiste. Fatmirësisht është shëruar, por sot e kësaj dite i ndien pasojat.

Tim ka qenë shumë i inatosur, pasi nuk e dinte pse nuk po shërohej plotësisht. Ai ka thënë se ka qenë njëkohësisht shumë i shqetësuar dhe i çliruar kur e ka marrë një fotografim të profesorit Gleeson, ku shihej se i kishte mushkëritë të dëmtuara.

“Është më mirë ta dish se ke problem me mushkëri”, ka thënë ai. “E di se çfarë është. E di nga po vjen. Ajo që nuk e di, për shkak se askush tjetër nuk e di, është në qoftë se është e përhershme apo do të kalojë. Por më mirë është ta di sesa mos ta di”.

Mjekia Samantha Walker, drejtoreshë e studimeve dhe inovacioneve në “Asthma UK” dhe në “Fondacionin Britanik të Mushkërive”, ka thënë se “ky është hulumtim i rëndësishëm dhe është e rëndësishme që dëmi në mushkëri pas COVID-it është i mbyllur në një shkallë më të madhe dhe të vazhdueshme, kështu që mund ta kuptojmë më mirë dëmin afatgjatë të shkaktuar”.

“Po qe se hulumtimi i radhës tregon se mushkëritë dëmtohen, do të mund ta mundësojë zhvillimin e një testi që mund ta masë dëmin në mushkëri të shkaktuar nga COVID-19 që mund të bëhet një dallim i madh te shumë njerëz me probleme të frymëmarrjes të ‘COVID-it të gjatë’ dhe gjithashtu lejon që të zhvillohen trajtime të veçanta”, ka shtuar ajo.