Lifestyle

Pasojat e injorimit të paralajmërimeve

Foto: Reuters

Në javët e para të pandemisë së koronavirusit, unë nuk duroja dot të lexoja për gabimet tona të hershme kolektive. Jo vetëm sepse qortimi i nënkuptuar ndihej i kotë – çfarë qëllimi kishte të dinim se realiteti i zymtë që po jetonim mund të ishte shmangur? – Por sepse, në rastin tim, kjo ndihej thellësisht personale, shkruan Robin Marantz Henig në “National Geographic”.

Çdo artikull që lexoja për injorimin e shenjave paralajmëruese të një virusi të ri shkatërrues, më kujtonte se dekada më parë, shkencëtarët ishin shqetësuar për atë gjë, dhe disa gazetarë të shkencës kishin shkruar për alarmin e shkencëtarëve. Unë isha një prej tyre. Kur fillova ta hulumtoja këtë në 1990, termi “viruse në zhvillim” sapo ishte krijuar nga një virolog i ri, Stephen Morse.

Ai do të bëhej personazhi kryesor në librin tim “Një matricë vallëzimi”, botuar tre vjet më vonë. Atëherë e përshkrova si një asistent profesor: i sinqertë, me syze, një njeri që e jetonte jetën kryesisht në mendje. Morse dhe shkencëtarë të tjerë po identifikonin kushtet – ndryshimin e klimës, urbanizimin masiv, afërsinë e njerëzve me fermat ose kafshët e egra që ishin rezervuarë viralë – që mund të lëshonin mikrobe, të cilat kurrë nuk ishin parë te njerëzit dhe për këtë arsye qenë jashtëzakonisht vdekjeprurëse.

Ata po paralajmëronin që, falë një ekonomie gjithnjë e më të madhe globale, lehtësisë së udhëtimit ajror ndërkombëtar dhe lëvizjes së refugjatëve për shkak të urisë dhe luftërave, këta patogjenë vrasës mund të përhapeshin lehtësisht në të gjithë botën. Tingëllon e njohur? “Kërcënimi i vetëm më i madh për vazhdimin e dominimit të njeriut në planet është virusi”.

Në prezantimin e librit tim e përdora atë citim të guximshëm nga Joshua Lederberg, një biolog molekular që fitoi një çmim “Nobel” për punën e tij mbi bakteret. Në atë kohë mendova se Lederberg mund të ishte pak melodramatik. Tani thënia e tij më godet si jashtëzakonisht aktuale dhe parathënëse. Kur numri i vdekjeve në SHBA nga COVID-19 nuk kishte arritur ende një mijë dhe kishin kaluar tri ditë kur guvernatori ynë na kishte bërë thirrje ne njujorkezëve të rrinim në shtëpi, unë i telefonova Morse për të parë se si po ndihej.

Ai jep leksione epidemiologjie në Shkollën e Shëndetit Publik Mailman të Universitetit të Kolumbias dhe tani është në moshën e atyre që janë më të prekur nga pasojat më të këqija të koronavirusit. (Edhe unë jam.) Ai dhe gruaja e tij u vetëkarantinuan në apartamentin e tyre në Manhattan, vetëm disa milje larg nga i imi. “Jam dekurajuar, po, kur shoh se nuk jemi më të përgatitur pas gjithë kësaj, dhe se jemi ende mohues”, tha Morse.

Ai më përmendi madje një citat të preferuar nga guruja i menaxhimit Peter Drucker, i cili dikur u pyet: “Cili është gabimi më i keq që mund të bësh?” Përgjigjja e tij, sipas Mors ishte: “Të kesh të drejtë para kohe”. Unë dhe Morse nuk kishim të drejtë, para kohe apo jo. Askush nuk e kishte gjetur. Kur më pyetën në turneun e prezantimit të librit tim se cila do të ishte pandemia tjetër, unë thashë që shumica e burimeve të mia të ekspertëve besonin se do të ishte gripi.

“Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer listat”, më tha Morse gjatë telefonatës sonë; ai tha se gjithmonë e dinte se epidemia e radhës mund të vinte nga kudo.