Lifestyle

Përndjekja e mjekëve

Një nga rastet më të famshme ka të bëjë me astronomin, fizikantin dhe inxhinierin nga Piza e italisë, Galileo Galilei. Ai u persekutua nga Kisha Katolike në fillim të shekullit XVII, pasi koncepti i tij mbi Universin, nuk ishte në përputhje me mendimin teologjik të kohës. Mbrojtja e teorisë “heliocentrike” nga Galileo – sipas së cilës është Toka dhe planetët e tjerë, ato që rrotullohen rreth Diellit në qendër të sistemit diellor – u hetua nga Inkuizicioni në Romë në vitin 1615. Shkencëtari u gjykua nga Inkuizicioni, u shpall si “i dyshuar për herezi”, dhe u detyrua të tërheqë mbrapsht ato që pretendonte. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës nën arrest shtëpiak.

Deri më tani, Anthony Fauci ka qenë më me fat se Galilei. Me gjithë përpjekjet e përsëritura nga presidenti aktual amerikan dhe administrata e tij, shumica e amerikanëve vazhdojnë t’i besojnë më shumë atij sesa Donald Trumpit. Sipas një sondazhi të realizuar nga “The New York Times” dhe Siena College, 67 për qind e amerikanëve i besojnë dr.Faucit si një burim informacioni i saktë në lidhje me pandeminë e Covid-19, ndërsa vetëm 26 për qind i besojnë shefit të Shtëpisë së Bardhë. Fauci në “duel” me Trumpin?

Kur të vijë koha e një sulmi tjetër nga Donald Trumpi apo njerëzit e tij, Fauci mund të këshillohet të veprojë sipas traditës krenare të mjekëve kurajozë. Mendja shkon te një rast i veçantë. Në vitin 1865, Rudolf Virshov, mjek, shkrimtar, shkencëtar dhe politikan gjerman, e kritikoi qeverinë e tij për investimet e mëdha në ushtri, në vend të një vëmendjeje më të madhe ndaj arsimit dhe eliminimit të varfërisë. Virshovit i njihet merita e hartimit të programeve të para mbi shëndetin publik në Gjermani.

Sipas legjendës, pas një sulmi të rëndë verbal nga Virshov, kancelari gjerman Oto von Bismark, u zemërua aq shumë, sa që i dërgoi menjëherë njerëzit e tij në laboratorin ku punonte Virshov, për ta njoftuar se e sfidonte këtë të fundit në një duel klasik më armë. Zyrtarët e Bismarkut e gjetën shkencëtarin duke punuar me Trichinella spiralis, parazitin më të vogël nematodik të njerëzve dhe një nga parazitët më të rëndësishëm klinikë në botë. Ai është shkaktar i sëmundjes Trichinosis, që po bënte kërdinë më atë kohë në Gjermani. Ndaj, Virshovi po punonte në mënyrën më të mirë për ta kontrolluar atë. “Oh”, tha Virshov, “një sfidë për duel nga Princi Bismark?

Epo mirë, meqë unë jam pala e sfiduar, supozoj se kam të drejtën e zgjedhjes së armëve. Ja ku i keni!”