Lifestyle

Shqyrtohet opsioni i infektimeve të qëllimshme për testimin e vaksinës ndaj COVID-19

Descriptive Text

Kjo teknikë, e cila ndryshe njihet si testi i të sfiduarit të njerëzve, është përdorur për vlerësimin e efektshmërisë edhe të vaksinave të tjera

Njëra prej mënyrave për të parë nëse një vaksinë kundër koronavirusit përnjëmend funksionon është ajo e imunizimit të njerëzve të shëndoshë, pastaj ekspozimi i tyre i qëllimshëm karshi virusit, kanë sugjeruar disa shkencëtarë. Kritikët thonë se kjo strategji, e njohur ndryshe si testi i të sfiduarit, do të kursente kohë, ngase në vend të testimeve të rëndomta, për të cilat duhet pritur që njerëzit e vaksinuar të infektohen me virus në mënyrë të natyrshme, shkencëtarët do të mund t’i infektonin ata menjëherë.

Testet e të sfiduarit janë përdorur për përcaktimin e efektshmërisë së vaksinave kundër tifos, kolerës, malaries dhe sëmundjeve të tjera. Për malarie, vullnetarët kanë futur duart nëpër dhoma përplot me mushkonja, për t’u kafshuar dhe infektuar. Por ekzistonin të ashtuquajturat ilaçet shpëtimtare në rast se dikush do të sëmurej. Për COVID-19 të këtilla ilaçe nuk ekzistojnë. Edhe për arsye etike, edhe praktike, ideja e të sfiduarit për një vaksinë të koronavirusit ka nxitur debat të zjarrtë.

Mendime përplasëse

Në një raport të publikuar muajin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se testimet sfiduese do të ofronin informata të rëndësishme, por do të ishin edhe të rrezikshme, ngase koronavirusi ka potencial “të shkaktojë sëmundjen e rëndë dhe madje fatalitet, ndërsa ka bartshmëri të madhe”.

Raporti, i shkruar nga një panel prej 19 këshilltarësh, dha udhëzime të detajuara rreth mënyrës më të lehtë për realizimin e testimeve sfiduese, duke këshilluar që të bëhen në njerëz të shëndetshëm të moshave prej 18 deri 25 vjeç, ngase kjo shtresë është më së paku e rrezikuar nga të sëmurit rëndë dhe vdekja. Virusi, që do të jepej në doza të kalkuluara dhe në mënyrë të kujdesshme për të prodhuar infeksion, por që nuk duhej të shkaktonte sëmundje, do të spërkatej në hundët e vullnetarëve për testim. Por paneli ka bërë të ditur, po ashtu, se anëtarët ishin të ndarë rreth disa çështjeve të rëndësishme. Ishin të ndarë rreth çështjes nëse duhen bërë testime pa terapi efektive për të shëruar pacientët që do të sëmureshin, si dhe rreth çështjes nëse studimet te të rinjtë dhe personat e shën doshë do të ishin efikase edhe te të moshuarit apo te ata në rrezik. Një çështje ndarëse ishte edhe ajo nëse testet e të sfiduarit në fakt do të përshpejtonin zhvillimin e vaksinës.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkencëtarët qeveritarë kanë pretenduar se edhe pse përqendrohen në testime tradicionale klinike, tashmë kanë filluar përgatitjet për testimet e të sfiduarit të njerëzve, në rast se kjo gjë del të jetë e domosdoshme për testimin e vaksinës apo një trajtimi.