Shkencëtarët kanë zbuluar 27 proteina kryesore në gjakun e personave të infektuar me COVID-19 që thonë se mund të veprojnë si bioshënues parashikimi se sa rëndë mund të sëmuret pacienti nga kjo sëmundje.
Në hulumtimin e publikuar në revistën “Cell Systems” të martën, shkencëtarët në Institutin “Francis Crick” të Britanisë dhe Universitaetsmedizin Charite në Berlin, kanë zbuluar se proteinat janë prezente në nivele të ndryshme te pacientët me COVID-19, varësisht se sa të rënda janë simptomet.
Shënuesit mund të qojnë te zhvillimi i një testi që do të mund të ndihmonte mjekët të parashikonin se sa rëndë mund të sëmuret pacienti nëse infektohet me koronavirusin e ri, është thënë, e po ashtu mund të ofrojë shënjestra të reja për zhvillimin e tretmanëve potencial për sëmundjen.
Pandemia COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e më tepër se 374 personave në mbarë botën dhe ka infektuar rreth 6.7 milionë.
Mjekët dhe shkencëtarët thonë se ata që infektohen me SARS-CoV-2, virusin që e shkakton COVID-19, reagojnë ndryshe – ku disa nuk shfaqin fare simptome, derisa disa tjerë duhet të shtrihen në spital, e disa madje edhe marrin infeksione fatale.
“Një test për të ndihmuar mjekët që të parashikojnë nëse pacienti me COVID-19 do të sëmuret rëndë, është shumë i rëndësishëm’, ka thënë Christoph Messner, një ekspert i biologjisë molekulare te Instituti Crick.
Ai ka thënë se testet e tilla do të ndihmojnë mjekët të vendosin se si të menaxhohet më së miri sëmundja për secilin pacient, e të identifikohen më herët ata që kanë nevojë për kujdes intensiv.