Lifestyle

Shkrimet keqinformuese për koronavirusin që po qarkullojnë online

Descriptive Text

Ndërsa pandemia e koronavirusit po vazhdon të prekë shtetet në mbarë botën, këshillat e rrejshme shëndetësore dhe çorientuese janë duke u shpërndarë nëpër rrjete sociale.

BBC shikon disa nga shembujt dhe nga kanë ardhur ata.

Mjekët që nuk kanë rekomanduar vegjetarianizmin

Shpesh do të shpërndahen mesazhet duke përmbajtur këshilla të shëndosha, por të kombinuara me disa këshilla të tjera që janë çorientuese dhe potencialisht edhe të dëmshme.

Pasi ato shpërndahen rregullisht në platforma të koduara të rrjeteve sociale është e vështirë të gjurmohen.

Dy nga institucionet lidere të mjekësisë në Kinë dhe një mjek i famshëm në Indi kanë kritikuar mesazhet false që po shpërndahen në grupe në WhatsApp e ku u atribuohen këshilla mjekësore atyre.

Në mesazhe është një numër i madh i masave paraprake për të evituar infektimin me virus, shumica prej tyre ishin shumë të arsyeshme si: distanca sociale, evitimi i zonave të ngarkuara dhe kujdesi për higjienën personale.

Por, po ashtu këshillohet dietë vegjetariane dhe evitimi i mbajtjes së rripit, unazave dhe orëve të dorës.

Asnjëra nga këto masa nuk kanë treguar se mbrojnë kundër virusit.

Në të vërtetë, në këshillat e ushqimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me COVID-19 thuhet se duhet konsumuar mish, si dhe pemë e perime, për të pasur një dietë të balancuar dhe të qëndrosh shëndetshëm.

Vaksina e gripit nuk do të rrezikojë më tepër nga COVID-19

Kjo është një informatë e rëndësishme për të potencuar pasi lidhet me një studim të vërtetë, por del me konkludime jo të sakta.

Në një postim të shpërndarë në Facebook thuhet se nëse ke marrë një vaksinë për grip sezonal, atëherë je në rrezik më të madh nga kontraktimi i COVID-19.

Postimi lidhet me një studim të publikuar nga Ushtria amerikane si dëshmi.

Por, ky studim është publikuar në tetor të vitit 2019, para se të identifikohej virusi Sars-CoV-2, përgjegjës për COVID-19, dhe të dhënat që janë përdorur janë nga stinorët e gripave 2017-18.

Për të evituar dyshimet, nuk ka dëshmi se vaksina për grip sezonal të rrezikon nga infektimi me COVID-19.

Udhëzimet nga Qendra e SHBA-së për Kontrollim të Sëmundjeve janë të qarta: “Vaksinat për influencë nuk i bëjnë njerëzit më të prekshëm nga infeksionet e tjera respiratore”.

Mbajtja e maskës për një kohë të gjatë mund të dëmtojë

Një artikull tjetër keqinformues që po shpërndahet në rrjetet sociale është se mbajtja e tepërt e maskave është e rrezikshme për shëndetin.

Këto informata së pari janë paraqitur online në gjuhën spanjolle e kanë qarkulluar edhe në Amerikë të Jugut dhe Amerikën Qendrore.

Përkthimi në gjuhën angleze më pas ka bërë qarkullimin nëpër botë, përfshirë edhe në një faqe të lajmeve të Nigerisë që është shpërndarë më tepër se 55 mijë herë në Facebook.

Në këtë shkrim thuhet se frymëmarrja e zgjatur duke mbajtur maskat çon te inhalimi i dyoksidit të karbonit, që u shkakton njerëzve marramendje dhe po ashtu e privon trupin nga oksigjeni. Rekomandon të hiqet maska çdo dhjetë minuta.

Por dr. Richard Mihigo, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë për BBC-në se kjo nuk është e vërtetë dhe në fakt mund të jetë e rrezikshme.

“Maskat mjekësore janë bërë nga materiali që e bën frymëmarrjen e mundshme. Maskat do të lejonin frymëmarrjen normalisht dhe i pamundësojnë kalimin e grimcave”, është thënë nga Mihigo.

Ai po ashtu thotë se këshilla që të hiqet maska herë pas here për të evituar efektet e dëmshme mund t’i ekspozojë ata ndaj kontaminimit.

Ka disa situata ku maskat nuk këshillohen:

Për fëmijët nën moshën dyvjeçare, mushkëritë e të cilëve ende nuk janë zhvilluar plotësisht

Njerëz me probleme respiratorike, që mund të kenë probleme me frymëmarrje.

Duhani nuk ndihmon ndaj virusit

Po ashtu ka informata që po qarkullojnë, të cilat konsumuesit e duhanit do të preferonin të ishin të vërteta - por nuk janë.

Nuk ka dëshmi se duhanpirësit janë më pak të rrezikuar nga COVID-19, por ka shumë shkrime që po qarkullojnë se ata janë më pak të rrezikuar.

Një shkrim i “Uk Mail Online”, i shpërndarë me dhjetëra mijëra herë, sugjeron se ka “më tepër dëshmi se duhani mund të ulë rrezikun nga koronavirusi”.

Në shkrim thuhet se studimet e shifrave nga një numër i shteteve tregojnë se duhanpirësit janë më të paktë në mesin e pacientëve me COVID-19 që përfundojnë në spital.

Po ashtu thuhet se ekspertët e kanë të vështirë të shpjegojnë nëse ka një lidhje me këtë.

Një studim nga një spital i famshëm francez sugjeron se nikotina mund të ndalë përhapjen e infeksionit COVID-19.

Hulumtuesit do të testojnë ndikimin e nikotinës dhe se mund të përdoret nikotina në terapitë për të luftuar koronavirusin.

“Nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të konfirmuar ndonjë lidhje se duhani apo nikotina parandalojnë COVID-19”, është thënë nga OBSH-ja.

Ka shtuar se duhanpirësit janë më të cenueshëm nga sëmundjet serioze nga koronavirusi, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore të asociuara me duhanin.

Po ashtu këshillohet që njerëzit që konsumojnë duhan ta lënë atë gjatë krizës së pandemisë, pasi mund të rrisë gjasat që të marrin sëmundje serioze të mushkërive.