AstraZeneca Plc ka njoftuar të enjten se ka pranuar marrëveshjet e para për të furnizuar së paku me 400 milionë doza të vaksinës për COVID-19 që është duke e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit.
Kompania farmaceutike britanike ka thënë se ka kapacitet total për të prodhuar një miliard doza deri në vitin 2021 dhe vazhdon të rrisë kapacitetet më tepër.
Aktualisht nuk ka trajtim të aprovuar apo vaksina për COVID-19, sëmundje që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Qeveritë, kompanitë farmaceutike dhe shkencëtarët janë duke punuar në rreth 100 programe të vaksinave. Ekspertët parashikojnë se do të duhet 12 deri në 18 muaj për të zhvilluar një vaksinë efikase dhe të sigurt.
AstraZeneca po ashtu ka thënë se ka marrë më tepër se një miliard dollarë nga Autoriteti i Hulumtimit të Avancuar Biomjekësor dhe Zhvillimit në SHBA për zhvillim, prodhim dhe dorëzim të vaksinës potenciale.
Zhvillimi do të përfshinte një testim klinik të fazës së avancuar me rreth 30 mijë pjesëmarrës dhe testim pediatrik. Është thënë se rezultatet e fazës fillestare të testimeve të bëra në jug të Anglisë pritet së shpejti. Nëse janë pozitive atëherë do të shkohet me testime në fazë më të avancuar në një numër të shteteve.
Kompania ka thënë se është duke bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për një shpërndarje korrekte të vaksinës nëpër botë.
AstraZeneca pranon se vaksina mund edhe të mos funksionojë, por është e përkushtuar të vazhdojë drejt fazës së avancuar të testimeve.
Ka thënë se planifikon të fillojë me furnizim me vaksina në Britani të Madhe në shtator.