Lifestyle

Irritimet në lëkurë, simptoma të mundshme të COVID-19

Sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga koronavirusi i ri, ka efekte të shumta në trup. Sipas institutit gjerman për epidemiologjinë “Robert Koch”, simptomat më të zakonshme të saj përfshijnë ethet, lodhjen, kollitjen, kokëdhimbjen dhe dhimbjet e trupit, çrregullime të shqisës së shijes dhe nuhatjes ose edhe diarrenë.

Tani është duke u raportuar për shenja të tjera, jo fort të zakonshme për këtë sëmundje. Dermatologu italian, Sebastiano Recalcati, ka bërë të ditur për shfaqjen e njollave në formë mavijosjeje në këmbët e një pacienti 13-vjeçar me COVID-19.

Edhe mjekë të tjerë kanë raportuar për paraqitjen e shenjave të ngjashme tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas Recalcatit, ndryshime në lëkurë, kryesisht në forma të ndryshme skuqjeje të lëkurës, janë konstatuar në 18 nga 88 pacientë e prekur nga koronavirusi.

Vëzhgime të ngjashme janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Akademia amerikane e dermatologjisë krijoi madje dhe një bazë të dhënash, në të cilën mjekët duhet të depozitojnë shenja përkatëse në rastet e pacientëve me COVID-19.

Skuqjet e lëkurës apo format e tjera të dermatitit nuk janë të rralla, në rastet e sëmundjeve virale - shpesh ato nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë, por edhe indirekte e infeksionit, për shembull, kur sistemi imunitar reagon ndaj virusit ose për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak që shkakton dëmtime në lëkurë.

Sipas profesordoktorit Bernd Salzberger, kryetar i Shoqatës Gjermane për Sëmundjet Infektive, “ndryshimet e përshkruara në lëkurë me siguri nuk mund të klasifikohen si simptoma specifike të COVID-19 dhe janë mjaft të rralla”.

Salzberger i relativizoi edhe njoftimet e disa mediave, të cilat kanë nisur prej njoftimeve të mjekëve në Itali dhe pretendonin për një metodë të re të mundshme për diagnostikimin e COVID-19. Edhe dermatologu Recalcati thotë se ndryshimet e lëkurës mund të jenë simptoma që shfaqen në shumë sëmundje virale dhe se baza e të dhënave është ende shumë e vogël për të arritur në përfundime bindëse. \ DW