Lifestyle

Barnat e rreme për koronavirusin vërshojnë tregjet botërore

Descriptive Text

Një numër në rritje i barnave të rreme të lidhura me koronavirusin tani janë nxjerrë në shitje në shumë shtete të zhvilluara, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një hulumtim i BBC-së ka zbuluar se barna të tilla po shiten me të madhe në Afrikë, teksa falsifikimet janë shtuar në treg. OBSH-ja ka paralajmëruar se barnat e tilla mund të kenë efekte të rënda anësore.

Një ekspert ka paralajmëruar për rrezikun e një pandemie paralele nga produktet e falsifikuara. Nëpër botë, njerëzit janë furnizuar me barna bazike. Sidoqoftë, meqë India dhe Kina, të cilat janë prodhueset më të mëdha të produkteve mjekësore, janë edhe më tutje në izolim, kërkesat kanë tejkaluar numrin e furnizimeve dhe qarkullimi i barnave të rrezikshme është rritur.

Në javën e parë të marsit, kur OBSH-ja e shpalli zyrtarisht pandemi përhapjen e koronavirusit, “Operation Pangea”, një njësit ky kundër krimeve farmaceutike në Interpol, ka ndërmarrë 21 arrestime në 90 shtete të botës brenda një periudhe kohore prej vetëm shtatë ditësh. Operacioni rezultoi me sekuestrimin e barnave të rrezikshme, vlera e të cilave kapi shifrën prej 14 milionë dollarësh.

Prej Malajzisë e deri në Mozambik, policitë kanë konfiskuar mijëra maska dhe barna të rreme. Krejt këto pajisje mjekësore thuhej se mund ta kuronin koronavirusin.

“Tregtia e paligjshme me artikuj të falsifikuar mjekësorë gjatë një krize të shëndetit publik e demonstron mospërfilljen totale të jetës së njerëzve”, ka thënë Jurgen Stock, sekretar i përgjithshëm i Interpolit.

Sipas OBSH-së, zgjerimi i tregtisë me barna të falsifikuara, që përfshijnë edhe aso të kontaminuara, përmbajnë përbërës të gabuar dhe joaktivë, ose edhe me afat të skaduar. Kjo tregti në vendet me financa të dobëta dhe të mesme kap vlerën prej 30 miliardë dollarësh.

“Skenari më i mundshëm është se barnat e rreme nuk e trajtojnë sëmundjen, për të cilën janë të destinuara”, ka thënë Pernette Bourdillon Esteve, nga OBSH-ja. “Më e mundshmja është se mund të shkaktojnë dëme, sepse mund të kenë përmbajtje shumë helmuese”.

Rrjeti i furnizimeve

Industria globale farmaceutike kap vlerën prej 1 trilion dollarëve. Rrjeti i gjerë i furnizimeve shtrihet që prej prodhuesve kryesorë, siç janë Kina dhe India, e deri te depot në Evropë, Amerikën Latine e krejt deri në Azi.

Shpërndarësit dërgojnë pako mjekësore në çdo cep të botës.

“Nuk ka asgjë më globale sesa mjekësia”, ka thënë Esteve. Sidoqoftë, teksa bota është e izoluar, rrjeti i furnizimeve ka filluar të çkapet. Disa prej kompanive farmaceutike në Indi kanë njoftuar se janë duke punuar me 50 deri në 60 për qind të kapaciteteve të tyre normale. Teksa kompanitë indiane furnizojnë 20 për qind Afrikën, kombet e saj po preken në mënyrë jo të barabartë.

Ephraim Phiri, farmacist në Lusaka, kryeqytet i Zambisë, ka thënë se mungesa e furnizimeve ka filluar të vërehet.

“Kemi mungesë të pakove mjekësore dhe nuk jemi furnizuar. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Furnizimi është shumë i vështirë... sidomos me barna esenciale, siç janë antibiotikët dhe ilaçet kundër malaries”, ka shtuar Phiri.

Prodhuesit dhe furnizuesit po dështojnë, sepse përbërësit e papërpunuar për prodhimin e tabletave janë shtrenjtuar dhe disa kompani nuk kanë fitim të mjaftueshëm për ta vazhduar punën.

Një prodhues në Pakistan ka thënë se barin e papërpunuar për prodhimin e ilaçit të quajtur Hidroklorokinë, dikur e blinte një kilogram për 100 dollarë. Mirëpo në ditët e sotme, çmimi ka shkuar në 1.150 dollarë për një kilogramë.

Me numrin në rritje të shteteve të izoluara, problemi nuk po shfaqet vetëm te prodhimi, por edhe te rritja e kërkesës. Njerëzit me çdo kusht duan që të furnizohen me barnat elementare. Kombinimi i rënies së furnizimeve dhe rritjes së kërkesës e ka detyruar OBSH-në që të paralajmërojë për prodhimin dhe shitjen e ilaçeve të rrejshme.

“Kur furnizuesi nuk përmbush kërkesën, krijon një ambient në të cilin cilësia e dobët dhe barnat e rrejshme provojnë ta përmbushin boshllëkun”, ka thënë Esteve, nga OBSH-ja.

Mjekësia e rrejshme

Kur bëhet fjalë për kompanitë farmaceutike nëpër botë, rrjeti global i furnizimeve me ilaçe kundër malaries tani është nën kërcënim.

Qëkur presidenti amerikan, Donald Trumpi, filloi t’u referohej potencialit të klorokinës dhe derivateve të saj, si Hidroklorokina, është shënuar rritje enorme e kërkesës për këto ilaçe që zakonisht kanë shërbyer kundër malaries.

OBSH-ja vazhdimisht ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se “Klorokina” dhe “Hidroklorokina” mund të përdoren kundër virusit që shkakton sëmundjen Covid-19. Megjithëkëtë, Trumpi, në njërën prej konferencave të fundit, ka thënë: “Çfarë keni për të humbur? Merreni”.

Teksa është rritur kërkesa, BBC-ja ka zbuluar se një numër i madh i “Hidroklorokinës” së rrejshme tashmë qarkullon në tregjet e Republikës Demokratike të Kongos dhe Kamerunit. OBSH-ja ka zbuluar se edhe në Nigeri po shiten ilaçe të rrejshme.

Hidroklorokina është shitur për 40 dollarë për një kuti me 1 mijë tableta. Por farmacistët në Kongo, një kuti të tillë po e shesin tani për 250 dollarë.

Ilaçet që po shiten në Afrikë besohet se janë prodhuar në Belgjikë, nga kompania farmaceutike “Brown and Burk”. Sidoqoftë, kjo kompani, e regjistruar në Britani, ka njoftuar se nuk ka të bëjë gjë me këto ilaçe.

“Nuk e prodhojmë, është e rrejshme”, ka njoftuar kompania.

Profesori Paul Nexton, ekspert i ilaçeve të rreme në Universitetin e Oxfordit, ka paralajmëruar se qarkullimi i këtyre ilaçeve të rreme dhe të rrezikshme do të rritet ndjeshëm, në rast se qeveritë nuk formojnë një front të përbashkët kundër tyre. “Rrezikojmë një pandemi paralele, nëse nuk bëjmë një planifikim të koordinuar për shpërndarje të ilaçeve dhe mbikëqyrjen e cilësisë së testeve. Përndryshe përfitimet e mjekësisë moderne do të humbnin”, ka thënë ai.